Edhe shumë pak kohë ka mbetur që artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të kthehen në shtëpinë e tyre 70 vjeçare. Një shtëpi e vjetër por e dashur, që i është dashur të presë shumë kohë, për t'u kthyer në shtëpinë me standarde, që duhet të përmbushë një opera bashkëkohore.
Projekti i nisur në janar të 2017-s, pas katër vitesh pritje, e cila u bë edhe më e gjatë për shkak të pandemisë botërore, tani po shkon drejt finalizimit. Artistët më në fund do të kthehen në vjeshtë, në një skenë dinjitoze, ndërsa publiku ynë në salla komode dhe të ngrohta.
Që prej ndërtimit në vitin 1953 asnjë ndryshim i dukshëm nuk kishte ndodhur në ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe të Baletit. Derisa u gjetën fondet e nevojshme dhe nisi procesi i konstruksionit të parë dhe rrënjësor të ndërtesës së tij.
Për rikonstruksionin e ndërtesës, fondit të vënë të dispozicion nga qeveria shqiptare, iu shtuan edhe 1.5 mln euro, dhuratë nga Republika Popullore e Kinës. Ky grant është përdorur për dhurimin e pajisjeve gjatë fazës së parë, ndërsa për fazën e dytë është parashikuar një grant tjetër, prej 500 mijë euro, dedikuar totalisht për rikonstruksionin e TKOB.
"Është një marrëveshje që kurorëzon një ëndërr të madhe që kemi pasur prej një kohe të gjatë. Kultura është shkëmbim i natyrshëm mes dy vendeve. Dhurimi i pajisjeve që do të përdoren për rikonstruksionin e TKOB vjen si rezultat i traditave miqësore afatgjata që synojnë të nxisin një bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen”.
Kështu do të shprehej për median, ish-ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu, në vitin 2017 gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, asaj kohe me ministren Kumbaro.
Drejtoresha e TKOB Zana Çela u vu në krye të zbatimit të projektit madhor për realizimin e të cilit u deshën katër vite punë me shumë ngarkesë, për një teatër të ri dhe modern.....
“Unë kam udhëtuar dhe kam parë shumë teatro, por sinqerisht e them me sinqeritetin më të madh që rrallë janë kushte të tilla, vetëm në shtete të pasura mund të themi, si Gjermania i gjen. Por nuk i gjen. ndoshta në pjesën më të madhe të teatrove europiane .”
Qytetarët e Tiranës që përditë kalojnë në sheshin Skënderbej, as që mund ta marrin me mend se çfarë pune është bërë pas mureve që mbajnë të varura reklamat e projekteve artistike, që gjithsesi nuk u ndalën asnjëherë, madje edhe në kohën e pandemisë dhe me salla të prishura. Për ndryshimet e ndërtesës drejtoresha Çela është shprehur në media.
“Kishte 60 vjet që nuk vihej dorë as për të ndërruar një karrige , jo më për të bërë një investim kaq kolosal”
Teatrit të Operas dhe Baletit, i janë modernizuar ambientet ekzistuese, i janë shtuar ambiente të reja, si studiot e solistëve dhe salla më të vogla, janë shtuar arkiva e biblioteka, i është rinovuar totalisht salla e shfaqjeve, janë shtuar llozha dhe janë vendosur kolltukë luksozë dhe të rehatshëm, por megjithatë investimet më të konsiderueshme janë bërë në pjesën e akustikes dhe në sallat e koncerteve, që konsiderohen pjesa kryesore e teatrit.
Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit Zana Çela flet për të gjitha detajet e projektit, tashmë të realizuar.
“I gjithë sistemi, i ngrohjes, se nuk kemi patur ngrohje, i kondicionimit, i akustikës, pra përmirësimi i infrastrukturës së domosdoshme, që ne nuk e kemi patur, por tashmë është, madje edhe ajo sipërfaqe që ka qenë na rezulton pak më e rritur, më e zmadhuar dhe është bërë më e lartë.”
Kreu i qeverisë Edi Rama inspektoi më 18 maj përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e TKOB, duke vlerësuar standardin e tyre.
“Në hapësirën e transformuar rrënjësisht të Teatrit të Operas dhe Baletit, ku pas 70 vjetësh solistët, orkestrantët, trupat tona të këngëtarëve e balerinëve, si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë, do të ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, New York apo Tokio”
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, asgjë nuk do të jetë si më parë. Transformimi është total. Asgjë nuk të lidh me të shkuarën, përveç pllakave që janë ruajtur për të lidhur historikun e ndërtesës.
Për median Drejtoresha e Teatrit tregon se ky projekt përmban edhe plot risi të domosdoshme për funksionimin bashkëkohor të tij.
Pavarësisht se historikisht njerëzit e ndjekin operan në sallë, të veshur me frak dhe fustane elegante, pandemia kushtëzoi një risi në operan shqiptare: operan me pizhame.
Kur publiku u lajmërua se jeta artistike në vend do të pezullohej dhe opera “La Boheme” si dhe baleti “Carmina Burana” nuk do të zhvillohen, spektatorët vërshuan drejt biletarive për të rimbursuar biletat e tyre. Ndërsa Drejtoresha e institucionit Zana Çela, vetëm pas pak javësh, prezantoi në media një projekt të ri artistik që rezultoi mjaft i suksesshëm dhe që synonte jo vetëm zhvillimin e agjendës artistike, por edhe mbajtjen në formë të artistëve.
Pas një fushate publicitare në media ajo ftonte jo vetëm publikun e përhershëm, por edhe një publik më të ri, që të ndiqnin shfaqje të ndryshme online, përmes kanalit të youtube.
“Ndoshta s'e keni shijuar ndonjëherë operan me pizhame, kështu që ky është rasti. Kemi vendosur përfundimisht këtë radhë që të hyjmë në çdo shtëpi, madje të hyjmë deri tek dhoma e gjumit. Nga shtëpia mund të ndiqni shumë gjini, gjithçka çfarë prodhon teatri ynë, opera, balet, koncerte, si dhe koncerte më të vogla recitale. Të gjitha këto së bashku ne vendosëm që t'i fillojmë t'i transmetojmë në kanalin tonë të youtube, me titullin "Sezon artistik online".
Dhe nëse operën "La Boheme", pandemia e pengoi të ngjitej në skenë, ajo ishte e para që u transmetua e regjistruar në kanalin YouTube. Këtij projekti i janë bashkuar të gjithë solistët e operas, të baletit, të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore, të cilët kanë performuar nga shtëpitë e tyre, për publikun e munguar në sallë.
Sipas drejtoreshës Çela nëse kjo trupë do të rrinte pa shfaqje do të humbiste gjithçka që kishte krijuar gjatë 60 viteve. Ajo fton vazhdimisht njerëzit që ta përkrahin projektin më të ri të Operas.
“Konkretisht ju duhet të abonoheni në kanalin youtube, abonimi është falas dhe menjëherë merrni aksesin që të hyni e të shikoni shfaqjet tona ditë pas dite. E gjitha kjo është zero lekë, është falas. Kjo nismë do të vazhdojë edhe kur në të kthehemi në teatër”
Tani kur sytë dhe veshët me të drejtë janë kthyer nga projektet artistike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ne presim vetëm datën e përurimit të godinës së tij, për ta kthyer Operan dhe baletin në vendin ku i takon: në sallë, me frak e kravatë!
Neritana Kraja