Ditët e fundit, Kina dhe BE-ja kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh ekonomiko-tregtare, duke pasur përparime në negociatat e marrëveshjes së investimeve të ndërsjella. Lidhur me këto sinjale pozitive në bashkëpunimin dypalësh, shumë kompani europiane, në intervistat për gazetën e përditshme “Renminribao”, u shprehën se, përballë goditjes së pandemisë së COVID-19 ndaj ekonomisë globale, forcimi i bashkëpunimit midis këtyre dy ekonomive kryesore botërore është në favor të nxitjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe mbrojtjes së multilateralizmit dhe sistemit të tregtisë së lirë.
“Nuk do të ndryshojmë strategjinë tonë për zhvillimin afatgjatë në Kinë”
Sipas një sondazhi të kryer nga gjiganti britanik i shërbimeve bankare e financiare “Standard Chartered” dhe disa media profesionale mbi besimin e investitorëve te tregu kinez, në 12 muajt e ardhshëm, pritet të vijojë rritja e investimeve të huaja në Kinë. 58% e të intervistuarve u shprehën në mënyrë të palëkundur se do të shtojnë investimet në Kinë, gjë që përputhet me rezultatet e një sondazhi të zhvilluar nga Dhoma e Tregtisë e Bashkimit Europian në Kinë, ku 65% e pjesëmarrësve e listuan Kinën ndër tre destinacionet e parapëlqyera për bërjen e investimeve të reja.
“Sondazhi tregon se investitorët e huaj janë optimistë për tregun kinez dhe kanë besim te luajtja e rolit kyç nga Kina në rigjallërimin e ekonomisë globale. Ky rezultat përputhet me realitetin që shohim. Krahas hapjes së mëtejshme të tregut kinez, mundësitë e reja do të tërheqin më shumë investime të huaja”, tha Simon Kellaway, drejtor i shërbimit të letrave me vlerë për Kinën dhe Azinë Veriore në “Standard Chartered”.
Ndërsa presidenti i ABB-së për Kinën Gu Chunyuan është i mendimit se kjo kompani nuk do ta ndryshojë strategjinë për zhvillimin afatgjatë në Kinë. Sipas tij, politikat e përpikëta dhe efektive e kanë ndihmuar Kinën të arrijë rezultate të rëndësishme strategjike në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë dhe në stabilizimin e situatës ekonomike. Kina është tregu i dytë më i madh për ABB-në dhe një destinacion i pëlqyer i investimeve të këtij grupi.
Vitin e kaluar, ABB-ja bëri 1 miliard juanë investime për ndërtimin e fabrikave të robotëve dhe qendrave të studimit e të zhvillimit në fushën e inteligjencës artificiale, duke zgjeruar bizneset në fushat e automatizimit, digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale. Në marsin e sivjetshëm, nëpërmjet blerjes së një kompanie kineze të teknologjisë së energjive të reja, ABB-ja e zgjeroi biznesin në tregun e transportit elektrik në Kinë. Lidhur me ndikimet e epidemisë, Gu Chunyuan u shpreh se COVID-19 është një provë për vendet dhe ndërmarrjet. “Pas kësaj prove, është thelluar më tej besimi ynë te tregu kinez”, shtoi z. Gu.
Ndërsa z. Achim Haug, drejtori i tregut për Azinë i Agjencisë së Tregtisë dhe Investimeve të Gjermanisë (GTAI), vuri në dukje se Kina është tregu më i rëndësishëm pas BE-së për kompanitë gjermane. Që nga viti 2017, Kina është partnerja më e madhe tregtare e Gjermanisë. Në fushat e automjeteve, makinerive dhe industrisë kimike, Kina është një treg gjigant i eksporteve gjermane.
Jo vetëm për shkak të përmasës së madhe të tregut, po edhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjedisit të biznesit ka forcuar besimin e kompanive europiane. Sipas raportit të publikuar në fund të korrikut nga Banka Botërore “Suksesi i bërjes së biznesit të Kinës: forcat nxitëse të reformës dhe mundësitë për të ardhmen”, për shumë vjet Kina është ekonomia kryesore botërore me përmirësimet më të dukshme në mjedisin e biznesit.
Për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me palën europiane, ambasadori kinez në Bruksel, z. Zhang Ming, u shpreh se pas 45 vjetëve që prej vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe, vëllimi i tregtisë së mallrave midis Kinës dhe Bashkimit Europian është rritur 250 herë. Ndërkohë, nga viti 2004 deri në vitin 2019, BE-ja ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Kinës. Kina është e gatshme të bëjë përpjekje së bashku me palën europiane për të ngritur nivelin e hapjes së ndërsjellë, duke krijuar mjedis më të mirë biznesi në tregjet e njëri-tjetrit.
“Ekonomia digjitale ofron mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-BE”
Vitet e fundit, grupi francez “Thales” ka forcuar vazhdimisht bashkëpunimin me partnerët kinezë në digjitalizimin e administrimit të trafikut ajror, duke krijuar qendra të reja të novacionit në Pekin dhe Hong-Kong.
“Ekonomia e gjelbër dhe ekonomia digjitale po bëhen nxitës të rinj në thellimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar Kinë-BE”, tha Jérôme Bendell, kryeekzekutivi i degës së “Thales”-it në Kinë. “Kina është një vend ideal për zhvillimin e risive dhe studimin e projekteve të zgjidhjes e të teknologjisë digjitale. Do të vijojmë bashkëpunimin me partnerët vendorë për krijimin e më shumë teknologjive novatore”, shtoi Bendell.
Kina dhe Europa i kushtojnë rëndësi zhvillimit të ekonomisë së gjelbër dhe digjitale. Bashkëpunimi dypalësh në fushat përkatëse po ecën mbarë. Kina dhe Gjermania kanë krijuar parkun ekologjik në qytetin Qingdao dhe kanë ngritur laboratorë të përbashkët në Pekin dhe Shangai për studimin dhe zhvillimin e automjeteve me energji të reja. Ndërkohë, Kina dhe BE-ja po thellojnë bashkëpunimin në fushat e energjisë së erës e asaj bërthamore, të silikonit polikristalor etj.
Siç tha znj. Claudia Vernotti, drejtorja e organizatës jofitimprurëse “ChinaEU”, ekonomia digjitale ka krijuar mundësi të reja për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar Kinë-BE. “Nga perspektiva afatgjatë, ndërmarrjet kineze dhe ato europiane kanë mundësi të shumta për zhvillimin e bashkëpunimit në fushat si inteligjenca artificiale, të dhënat e mëdha, qyteti inteligjent, interneti i gjërave, informatika cloud dhe zinxhiri i blloqeve”, theksoi Vernotti.
Lidhur me të ardhmen e bashkëpunimit në fusha të tilla, ambasadori kinez në Bruksel Zhang Ming u shpreh se Kina dhe Europa mbajnë qëndrime të ngjashme dhe kanë interesa të përbashkëta mbi zhvillimin e ekonomisë së gjelbër dhe digjitale. “Të dy palët do të bashkëpunojnë për të përballuar ndryshimin klimatik dhe nxitur zhvillimin e gjelbër, të vazhdueshëm dhe me lëshim të ulët karboni”, shtoi ambasadori.