(Refleksion mbi kumtesën e prof. Emil Lafes në Konferencën Shkencore “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze: tradita, gjendja dhe e ardhmja”)
… âsht nji e bukur
Mbretní e madhe
Tanë mal i blerun
Fushë e livadhe
janë mjaft t’mêçem
Kinezët e ngratë
Punen e dijen
I kanë zanatë.
Kanë gjyqe t’mira
E dijn shka âsht besa
E der tash s’vonit
S’kanë pasë ngatrresa…
“Casus belli”
Gjergj Fishta
Këto vargje janë shkëputur nga vjersha “Casus Belli” e vëllimit “ Ânzat e Parrnasit”, i vitit 1907, që mban firmën e një ndër autorëve më të shquar të kulturës shqiptare, poetit Gjergj Fishta.
Në konferencën shkencore “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze:tradita, gjendja dhe e ardhmja”, mbajtur në tetor të vitit 2019 në Vlorë dhe Gjirokastër, me rastin e 70-vjetorit të themelimit të RP të Kinës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, prof. Emil Lafe mbajti kumtesën “Gjergj Fishta dhe Kina”. Para një audience të përbërë nga albanologë dhe akademikë të ardhur nga Kina si dhe studjues të mirënjohur shqiptarë, profesori i njohur Emil Lafe, që gjatë gjithë karrierës së tij akademike ka trajtuar studimet albanologjike, autorët e vjetër shqiptarë, problemet e gramatikës shqipe parashtroi një analizë të thellë letrare dhe historike të krijimit të Gjergj Fishtës “Casus Belli”, kushtuar Kinës.
Prof. Emil Lafe tha se :
“Konferenca është një rast i bukur për ta bërë më të njohur, për shqiptarët dhe për kinezët, këtë vjershë të shkruar rreth 120 vjet më parë, e cila dëshmon se një ndër njerëzit më të shquar të kulturës shqiptare, siç është poeti Gjergj Fishta, duke shprehur ndjenja simpatie, dhembshurie e dashurie për Kinën dhe popullin e saj, ua ka përçuar ato edhe lexuesve shqiptarë. ”
Sipas akademikut Emil Lafe, vjersha“Casus Belli, që për arsye të ndryshme ka mbetur si në hije dhe është pak e njohur, përmban mjaft mesazhe të çmuara edhe për marrëdhëniet e ngjarjet ndërkombëtare në ditët tona.
Në analizën e sfondit historik të vjershës “Casus Belli”, shkruar nga poeti shqiptar Gjergj Fishta në moshën 27 vjeçare, akademiku Emil Lafe vuri në dukje se në të pasqyrohen “Ngjarje të Kinës në kapërcyell të shekullit XX (Kryengritja e Boksierëve). Nga vargjet kuptohet se vjersha është shkruar në vitin e parë të shpërthimit të kryengritjes, më 1898. “
Po në këtë kontekst prof. Emil Lafe analizoi më gjerësisht ngjarjet e kohës, që dukshëm ndikuan në tërheqjen e vëmendjes së poetit Gjergj Fishta, për të na sjellë vjershën “Casus Belli”. Ai nënvizon se:
“Në gjysmën e dytë të shek. XIX Kina ishte e dobësuar shumë nga Lufta e Opiumit dhe agresioni japonez i viteve 1894–1895. Në këto rrethana fuqitë imperialiste të kohës, Anglia, Gjermania, Franca, Rusia, Japonia, e kishin ndarë Kinën në zona influence , grabisnin pasuritë e saj, ndërhynin në punët e brendshme, merrnin nëpër këmbë zakonet dhe rregullat shekullore të jetesës së kinezëve dhe mbeteshin pa u ndëshkuar, sepse të huajt kishin imunitet dhe nuk mund të procedoheshin në gjyqet e Kinës. Të gjitha këto ngjallën zemërim të thellë te populli kinez, që u ngrit në një revoltë të fuqishme, e cila njihet në histori si Kryengritja e Boksierëve (Boxer Rebellion) 1898–1901.
Në atë kohë Shqipëria gjendej nën sundimin e Perandorisë Osmane, por idetë çlirimtare të Lidhjes së Prizrenit (1878–1881) dhe të Rilindjes Kombëtare kishin ndezur zemrat e shqiptarëve, që dëshironin të jetonin e të qeveriseshin vetë pa të huaj në vatër. Prandaj edhe për shkrimtarët shqiptarë luftërat për liri e për vetëqeverisje të popujve të tjerë, sado që mund të ndodhnin në vende shumë të largëta gjeografikisht, ishin shumë të afërta emocionalisht.”
Ndërsa në skanimin e vjershës “Casus belli” permes kumtesës së tij, profesor Lafe tha se ajo “ka 29 strofa me nga katër vargje dhe është e ndërtuar në formën e një dialogu: në fillim (18 strofa) raportojnë Lajmtarët (ambasadorët) e fuqive europiane në Kinë dhe në pjesën e dytë Europa (mbretërit dhe të pushtetshmit e fuqive) arsyeton vendimin për të ndërhyrë në Kinë me ushtri, duke pasur si casus belli vrasjen e ambasadorit gjerman nga kryengritësit (“boksierët”) kinezë.
Vjersha e Fishtës përshkohet nga një ndjenjë e sinqertë simpatie për Kinën me pasuritë e me bukuritë e saj natyrore. Duke lexuar vjershën të duket sikur me të vërtetë Poeti ynë ka jetuar jo pak në mes të asaj natyre e të atyre njerëzve që i përshkruan sikur t’i kishte përpara syve. “
Si një ndër gjuhëtarët më në zë shqiptarë, prof. Emil Lafe analizoi thellësisht vargun e Fishtës, por dhe përqasjen letrare të vjershës në tërësi, kur vëren se :
“Vjersha e Fishtës është interesante edhe nga thurja e saj, nga leksiku e nga frazeologjia e përdorur, nga figurat artistike, nga mjeshtëria e karakterizimit të personave e të psikologjisë së tyre”.
Ishte me interes gjatë kumtesës në konferencë, kur prof. Emil Lafe zbuloi para të pranishmëve se vjershën “Casus Belli” e kishte lexuar për here të pare në fillim të viteve 60-të të shekullit të kaluar dhe jo rastësisht. Atëkohë poeti Gjergj Fishta ishte i ndaluar të botohej dhe studjohej, por një grup profesorësh të letërsisë shqipe dhe Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë kërkuan botimin vjershës “Casus Belli”. Prof.Lafe e kujtoi gjatë kumtesës këtë përpjekje
“Në fillim të viteve ’60, kur po merrnin hov marrëdhëniet e gjithanshme me Kinën, me nismën e disa profesorëve të letërsisë shqipe, pati një përpjekje nga Instituti i atëhershëm i Historisë dhe i Gjuhësisë për ta botuar këtë vjershë dhe për të hapur kështu rrugën që Gjergj Fishtës t’i përmendej emri edhe për mirë. Me këtë rast e lexova për herë të parë vjershën e Fishtës për Kinën. Por “nga lart” erdhi përgjigje negative.”
Për akademikun Emil Lafe, një gjuhëtar dhe pedagog i njohur prej shumë kinezëve që kanë studjuar gjuhën shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit
“Kjo vjershë është njëkohësisht edhe një dëshmi historike e simpatisë së hershme të Shqiptarëve për Kinën dhe popullin e saj, gati gjysmë shekulli para se të shpallej solemnisht Republika Popullore e Kinës dhe të vendoseshin për herë të parë marrëdhënie diplomatike ndërmjet dy vendeve. Ajo i bën nder jo vetëm Poetit tonë të shquar të Rilindjes Kombëtare, po edhe letërsisë shqipe në tërësi, si dëshmi historike që shqiptarët kanë qenë gjithnjë në anën e popujve që luftonin për të drejtat e për dinjitetin e tyre kombëtar.”
Kumtesa e akademikut Emil Lafe “Gjergj Fishta dhe Kina” përbën një kontribut të çmuar në marrëdhënien ndërkulturore midis Shqipërisë dhe Kinës, duke shërbyer si një nxitje për hulumtime të tjera në vlerat që bart kjo miqësi.
Eda Merepeza