Në gushtin e vitit 1980, Shenzhen-i, një qytezë e vogël bregdetare në Kinën Jugore u bë zona e parë e posaçme ekonomike e vendit, ku lejohej të zhvillohej ekonomia me pronësi të ndryshme, duke u inkurajuar shfrytëzimi i kapitaleve private dhe të huaja. Asokohe në Shenzhen jetonin 330 mijë banorë, kishte shumë pak rrugë të mira dhe ndërtesat më të larta ishin vetëm trekatëshe.
Por, pas 40 vjetësh zhvillimi, PBB-ja vjetore e Shenzhen-it, me një sipërfaqe vetëm sa 1/3 e Shangait dhe 1/8 e Pekinit, arriti në 2.7 trilionë juanë, duke u radhitur në vendin e tretë në mbarë vendin, vetëm pas Pekinit dhe Shangait, 10 mijë herë më shumë se në vitin 1979. Tani Shenzhen-i është bërë vatra e mbi 20 milionë banorëve, gjatësia e rrugëve i kalon 6 mijë kilometrat, numri i rrokaqiejeve mbi 100 metra të larta arrin afro 1000, porti i qytetit është i treti më i madh në botë për trajtimin e kontejnerëve dhe dogana e Shenzhen-it është dogana më e madhe tokësore në Azi. Në Shenzhen kanë lindur shtatë ndërmarrje të përfshira në listën e 500 kompanive kryesore të botës të revistës “Fortune“, duke tërhequr investimet e mbi 200 kompanive më të mëdha botërore.
Në një artikull të revistës prestigjoze “The Economist” vlerësohet se “gjatë zbatimit të ‘Reformë dhe Hapjes’, praktika më e spikatur e Kinës është krijimi i zonave të posaçme ekonomike. Ndër mbi 4 000 zona të tilla në botë, Shenzhen-i është mrekullia nr. 1”.
Cilat janë sekretet e zhvillimit të qytetit?
Reforma ka çliruar një potencial gjigant produktiviteti
Në gushtin e vitit 1980, Shenzhen-i u bë zyrtarisht zonë e posaçme ekonomike, e para e tillë në Kinë, ku lejohej zbatimi i shumë politikave që synonin hapjen e mëtejshme ndaj investimeve të huaja. Në fazën fillestare qindra mijë punëtorë u mblodhën për krijimin e rrjetit infrastrukturor të qytezës, duke shënuar një rekord të ri ndërtimi. Madje “Shpejtësia e Shenzhen-it” u bë një shprehje për të përshkruar efektshmërinë mahnitëse. Një shembull përfaqësues ishte ndërtimi i ndërtesës “Guomao”: në atë kohë, në çdo tre ditë u ngrit një kat i kësaj godine me një sipërfaqe ndërtimi 100 mijë metra katrorë.
Shpejtësia nuk pasqyrohet vetëm në ndërtim, por edhe në tërheqjen e investimeve. Në fillim firmat merreshin vetëm me përpunimin e thjeshtë dhe montimin e produkteve industriale. Por shumë shpejt u krijuan mijëra kompani të reja me investime të përziera (vendëse dhe të huaja). Në pesë vjetët e parë të krijimit të zonës së posaçme ekonomike, Shenzhen-i tërhoqi 3.35 miliardë dollarë amerikanë, 1/6 e investimeve të drejtpërdrejta të përgjithshme që Kina thithi gjatë së njëjtës periudhe.
Në Parkun Industrial “Shekou”, një provë e hapjes e zhvilluar nga autoritetet vendore, u morën shumë masa eksperimentale, duke mbledhur përvojë për 24 praktika, që kanë domethënie të madhe për zhvillimin e zonave të tjera ekonomike të vendit. Jo vetëm kaq, po gjatë procesit të zhvillimit të gjithë qytetit, shumë reforma u vunë në zbatim, si caktimi i marrëdhënieve të punësimit nëpërmjet kontratave të tregut, reformimi i plotë i standardeve të caktimit të rrogave të punëmarrësve, krijimi i bursës, formimi i kompanisë së parë aksionare në pjesën kontinentale të Kinës etj.
Reforma dhe hapja shfrytëzuan mundësitë gjigante të prodhimit. Kapitalet, teknologjia dhe talentet u derdhën pandërprerë këtu, duke i dhënë forca të vazhdueshme rritjes ekonomike. Gjigantët teknologjikë “Huawei”, “Tencent”, DJI etj. kanë lindur këtu, duke formuar imazhin e ri të produkteve të prodhuara në Kinë.
Rolet e përshtashme të qeverisë dhe të tregut
Që nga viti 1993, Shenzhen-i ka mbajtur vendin e parë për vëllimin e import-eksportit ndër të gjitha qytetet kineze. Në kohën e artë të tregtisë së jashtme, autoritetet vendore morën një vendim të guximshëm: ta shndërronin strukturën ekonomike mbështetëse nga tregtia e përpunimit në teknologjinë e lartë dhe të re, që kishte ndikim afatgjatë dhe synonte zhvillimin cilësor në të ardhmen. Në vitin 2008 filluan politikat favorizuese për sektorët e bioteknologjisë, energjive të reja dhe internetit; në vitin 2009 për teknologjinë e brezit të ri të ruajtjes së të dhënave digjitale e materialet e reja, ndërsa në vitin 2013 për sektorin e shëndetësisë, të pajisjeve të mbajtshme etj.
Gjatë transferimit të forcave të zhvillimit, roli i bashkisë së qytetit pasqyrohet kryesisht në këto tre fusha: krijimi i mjedisit të favorshëm nga ana administrative dhe ligjore për të sistemuar veprimet dhe për të garantuar interesat e ligjshme të operatorëve të tregut; përpilimi i politikave inkurajuese për të pakësuar kufizimet ndaj novacionit të ndëmarrjeve; krijimi i mekanizmit të përgjithshëm mbështetës për përqendrimin e komercializmit të rezultateve studimore kombëtare dhe botërore.
Sot, në çdo kilometër katror të Shenzhen-it funksionojnë mesatarisht 5.6 kompani të teknologjisë së lartë dhe të re, çdo ditë 51 të drejta të pronësisë intelektuale autorizohen për shfrytëzim në Shenzhen dhe shpenzimet shoqërore për kërkim-zhvillim në mbarë qytetin zënë mbi 4 % të PBB-së vjetore të tij. Të marrim “Huawei”-n si shembull: 45 % e stafit të këtij gjiganti teknologjik punojnë për kërkim-zhvillim dhe 15% e të ardhurave bruto të kompanisë përdoren për kërkime tekniko-shkencore.
Të dhënat statistikore tregojnë se nga viti 2011 deri në vitin 2016, shpejtësia e rritjes së aplikimeve për të drejta të pronësisë intelektuale në bashkëpunim ndërkombëtar ishte 2.5 herë më shumë se ajo e Tokio-s dhe 3.6 herë më shumë se e “Silicon Valley”-t. Pas 40 vjetësh, Shenzhen-i nga “shkretëtira e teknologjisë” është bërë “qytet i novacionit”.
Me politikat e favorshme dhe mjedisin e lirshëm të biznesit, kompanitë vendore shfrytëzojnë epërsitë e dukshme të tregut. Nga viti 1980 deri në 2016-n, PBB-ja e Shenzhenit pati rritje mesatare vjetore 22.6 %. Tani, një ndër 12.5 banorët e qytetit ka një kompani aktive (që paguan taksa rregullisht). Mbi 90 % e institucioneve studimore janë private, mbi 90 % e studiuesve punojnë për kompani, mbi 90 % e fondeve studimore dhe mbi 90 % e shpikjeve të reja burojnë nga ndërmarrjet.
Për mrekullinë e Shenzhen-it, nobelisti për ekonominë Ronald H. Coase, që ka ndjekur për një kohë të gjatë zhvillimin e ekonomisë kineze, përgjithësoi se reforma e qeverisë qendrore kineze bëhet “nga lart poshtë”, por ka edhe një forcë tjetër reformimi “nga poshtë lart”. Janë këto dy forca që nxisin transformimin shoqëror dhe zhvillimin ekonomik.