Kodikët e Beratit, përkatësisht Kodiku i Purpurt dhe ai i Artë, ndër dokumentet më të hershëm të gjetur në Shqipëri janë ndër kodikët më të vjetër në botë, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kodikët e Beratit janë pasuria më e madhe e trashëgimisë sonë kulturore, tregues i pasurisë kombëtare kulturore shqiptare. Komiteti Ndërkombëtar Konsultativ i UNESCO-s i përbërë nga shumë ekspertë botërorë në një mbledhje të vitit 2016 në Lijiang të Kinës i përfshiu dy Kodikët e Beratit në regjistrin e “Kujtesës së Botës”, si vlera unikale të njerëzimit, të mbrojtura nga UNESCO. Por ky nuk ishte kontakti i vetëm i Kodikëve të Beratit me Kinën.
Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze : tradita, gjendja dhe e ardhmja” mbajtur në tetor të vitit të kaluar në Vlorë, prof.dr Ke Jing nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU) referoi kumtesën “Restaurimi i Kodikëve të Beratit, një histori e paharrueshme”. Kjo kumtesë e trajtuar me të dhëna historike dhe shkencore nga albanologia e njohur Ke Jing u prit me mjaft interes nga studjuesit shqiptarë.
Në 52 vjetorin e zbulimit të Kodikëve të Beratit kujtojmë rëndësinë e tyre për kulturën shqiptare, evropiane dhe botërore, pa harruar kontributin e specialistëve kinezë në ringjalljen e tyre.
Saga e Kodikëve
Kodiku i Purpurt i Beratit ka pasur mbijetesë të vështirë. Prej shekullit të 14-të, kur ishte njohur mirë tashmë vlera e tij, të paktën tri herë ky dorëshkrim i rrallë është rrezikuar për t'u grabitur.
Gjatë pushtimit dhe djegies së Beratit nga ushtria serbe në vitin 1356 murgjit ortodoksë arritën të shpëtonin Kodikët nga zhdukja e sigurtë.
Në Luftën e Parë Botërore Berati u pushtua nga trupat austriake që përdorën të gjitha mjetet për të zotëruar Kodikët, por pa sukses.
Kodiku i Purpurt dhe ai i Artë i Beratit ishin dy prej veprave që ndodheshin në listen e objekteve të shpallura “në kërkim” gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këshilli kishtar dhe besimtarët beratas bënë shumë sakrifica për të mos dorëzuar Kodikët. Ato u fshehën brenda një arke metalike në grykën e një pusi. Për një kohë të gjatë Kodikët “Beratinus 1” dhe “Beratinus 2” u konsideruan si të humbur.
Në vitet e para mbas çlirimit, punonjësit shkencorë në përpjekjet për identifikimin e monumenteve të kulturës konstatuan mungesën e dy kodeve mesjetarë.
Nga kërkimet më 12 gusht të vitit 1968 në Kishën e Fjetjes së Shën Mërisë në Berat, aty ku sot ndodhet Muzeu “Onufri”, në brendësi të një bodrumi u zbuluan në një arkë prej llamarine të mbështjellë me kashtë dy Kodikët. Specialistët e arkeologjisë vërejtën se fletët e brendëshme ishin pjesërisht të prishura nga lagështira dhe myku.
Më 21 gusht të po atij viti Kodikët iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithëshme të Arkivave. Specialistët shqiptarë sugjeruan restaurimin e menjëhershëm të dorëshkrimeve të lashta me përmbajtje fetare, me një rëndësi të jashtëzakonëshme në trashëgiminë kulturore. Për kushtet e Shqipërisë restaurimi i veprave të tilla ishte i pamundur ndaj falë bashkëpunimit dhe gatishmërisë së pales kineze në mars të vitit 1971 arkivistët e Arkivit Qendror të Shtetit, Reshat Alia dhe Sanije Mara udhëtuan drejt Kinës për të asistuar në restaurimin e Kodikëve në Laboratorin e Institutit Arkeologjik të Kinës. Nga ana e tyre restauruesit kinezë, ndonëse nuk kishin asnjë përvojë pune me materiale të tilla, premtuan se do të realizonin restaurimin e Kodikëve.
Restaurimi i Kodikëve nga specialistët kinezë
Në vitin 1971, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, Kodiku i Purpurt u dërgua për restaurim pranë Institutit Arkeologjik të Kinës, ku u realizua një riprodhim identik, plotësisht i shfrytëzueshëm për studime. Vetë origjinali u restaurua, duke siguruar tejkalimin e gjendjes kritike dhe duke premtuar jetëgjatësi, përmes teknikës së mbylljes hermetike të fletëve një nga një ndërmjet dy xhameve në boshllëk.
Restaurimi i Kodikëve të Beratit kaloi në disa procese dhe ishte i vështirë. Të 190 fletët e Kodikut të Purpurt, i njohur si Beratinus 1 u vendosën në 9 vëllime, kurse 420 fletët e Beratinus 2 u vendosën në 21 vëllime. Përpos restaurimit u bë dhe një punë e madhe dhe e kushtueshme për përgatitjen e kopjeve të dy Kodikëve dhe të maketeve të tyre. Për prodhimin e kopjes së Kodikut të Artë (Beratinus 2) , Instituti i Arkeologisë i Kinës tërhoqi nga Banka Kombëtare e Pekinit 50 gr ar për shkrimin si dhe u therën 119 kokë dhi për prodhimin e 420 fletëve të pergamenës. Madje falë kësaj përvoje të re restauruese edhe për vetë specialistët kinezë, restauruesi Wang Xu zbuloi një teknikë të re.
Pas restaurimit në nëntor të vitit 1971, të tre arkat ku ndodheshin Kodikët dhe material të tjera u ngarkuan në vaporin “Vlora”, që u nis drejt Shqipërisë dhe mbërriti në portin e Durrësit më 31 dhjetor. Arkat me Kodikët iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithëshme të Arkivave, ku u zhvillua një ceremoni e posaçme.
Restaurimi i Kodikëve të Beratit nga specialistët kinezë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Vlerësime për Kodikët e Beratit
Koleksioni i Kodikëve përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar në të gjitha kohërat dhe një pasuri me vlera botërore.
Ish kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. Aleks Buda shkruan “Të fshehur gjatë Luftës së Dytë Botërore, dy Kodikët mbetën për më shumë se 20 vjet në qimitirin e lagur të një kishe të Beratit, ku u gjetën më në fund, pas kërkimesh këmbëngulëse, për ti siguruar përfundimisht për shkencën e kulturën tone”.
Ilo Mitkë Qafëzezi shkroi për Kodikët e Beratit në vitet 30-të të shekullit të 20-të në rubrikat bibliografike të një buletini të Bibliotekës Kombëtare.
Sipas specialistëve në Kodikun e Purpurt të Beratit gjendet një prej varianteve më të vjetra të tekstit të Dhjatës së Re.
Sipas Monsinjor Francesco D'Aiuto, studiues i paleografisë, njohës i traditës së shkrimeve të shenjta dhe i gjuhëve të vjetra të letërsisë biblike, nën kujdesin e të cilit u bë renditja profesionale e dorëshkrimeve të ekspozitës Ungjijtë e Popujve në vitin 2000 në Romë e bashkon Kodikun e Purpurt të Beratit me 2-3 kodikët më të vjetër të botës.
Aktualisht ekziston kopja digjitale e Kodikëve të Beratit falë bashkëpunimit midis Librarisë Digjitale Botërore të Kongresit amerikan dhe Arkivit Qendror të Shtetit.
Eda Merepeza