Marsela Musabelliu ka mbrojtur doktoraturën në ekonomi në Universitetin e Xiamen-it në Kinë. Aktualisht ajo drejton Institutin e Studimeve të Globalizimit. Një ndjekëse e vemendëshme e aktualitetit politik dhe ekonomik të Kinës, doktore e shkencave ekonomike Marsela Musabelliu bën një analizë të thellë të marrëdhënieve të Kinës dhe Bashkimit Evropian gjatë dhe pas pandemisë, për rëndësinë e bashkëpunimit në kohën e globalizimit, ekskluzivisht për Radio Ejani, China Media Group.
CMG:Më 22 qershor u zhvillua videokonferenca midis krerëve të Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian dhe presidentit kinez Xi Jinping, në fokus të të cilës ishte bashkëpunimi dypalësh, hapja e tregjeve, investimet dhe bashkëpunimi me palët e treta. Cili do të ishte komenti juaj për këtë videokonferencë ?
Dr.shk. Marsela Musabelliu: Ky takim ishte i shumëpritur sidomos nga analistët dhe ndjekësit e Kinës në Evropë dhe më gjerë pasi ky është takimi i parë zyrtar midis udhëheqësve kinezë dhe udhëheqjes së re të Bashkimit Evropian, pas inaugurimit të kësaj të fundit, vitin e kaluar. Ky është takimi dypalësh i nivelit më të lartë që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Mendoj që mesazhi që përcjell kjo konferencë virtuale mund të gjendet shumë qartë në fjalët e presidentit kinez Xi Jinping. Ai duke vlerësuar paraprakisht marrëdhëniet midis R.P të Kinës dhe BE-së, arritjet e deritanishme, intensifikimin e shkëmbimeve të gjithanëshme theksoi se Kina dhe BE-ja si dy fuqi të mëdha, dy tregje dhe dy civilizime të mëdha kanë dhe përgjegjësi të mëdha sepse çfarë ato mbrojnë dhe kundërshtojnë dhe në cilat fushat bashkëpunojnë ka impakt global.
Pra një marrëdhënie e mirë midis Kinës dhe BE-së shkon përtej këtyre dy partnerëve, sepse do të shërbejë si një katalizator dhe promovues dhe për pjesën tjetër të botës. Për vendin që zenë dhe peshën që kanë në zhvillimet ndërkombëtare besoj se të dy palët duhet të rritin vazhdimisht mirëkuptimin dhe besimin e ndërsjellë, të zgjerojnë interesat e përbashkëta në bashkëpunim, të zgjidhin problemet e vështira zhvillimore dhe të ndërtojnë një partneritet strategjik, gjithëpërfshirës Kinë-BE.
Në vlerësimin tim ky ishte një takim "që vuri pikat mbi i" për shumë çeshtje për të cilat mendoj se është spekuluar gjatë dhe intensivisht sidomos muajt e fundit. Mund të dallojmë në këtë kontekst sërish fjalët shumë domethënëse të presidentit Xi. Duke theksuar se "Kina është partnere dhe jo rivale", ai thekson se "Kina do të vazhdojë të zgjerojë reformën dhe hapjen, e cila do t'i sigurojë Evropës një raund të ri të mundësive të bashkëpunimit dhe hapjes së zhvillimit". Gjithashtu ai theksoi se "Kina është mundësi dhe jo kërcënim. Ne do të ndjekim me ngulm rrugën e zhvillimit paqësor". Një tjetër mesazh i rëndësishëm i presidentit Xi ishte se "Kina dëshiron paqen në vend të hegjemonisë". Ndër të tjera kreu kinez i shtetit e vuri theksin se " nuk ka asnjë konflikt të interesave themelore midis Kinës dhe Evropës" dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse "bashkepunimi tejkalon konkurencën" dhe "konsensusi tejkalon mosmarrëveshjet". Ai gjithashtu tha se "pavarësisht se si do të ndryshojë situata ndërkombëtare më tej, Kina do të mbajë anën e multilateralizmit" dhe shtoi se "Kina do t'i përmbahet gjithmonë konceptit të qeverisjes globale me bazë konsultimi të gjerë, kontributi të përbashkët dhe përfitimeve të përbashkëta". Ndërvarësia ekonomike midis Kinës dhe BE-së është një fakt i pakundërshtueshëm sepse vetëm vitin e kaluar tregtia dypalëshe arriti në 685.8 miliardë dollarë me një rritje mbi 8 për qind nga viti parardhës. Në 2019 më shumë se 3200 kompani kineze kanë investuar direkt në vendet e BE-së , duke krijuar mbi 260 mijë vende të reja pune. Duket qartë nga fjalët e presidentit kinez se Kina synon lidhje më të qëndrueshme, të pjekura edhe në periudhën pas pandemisë.
CMG: Bota po përballet me pandeminë e koronavirusit ndaj me shumë rëndësi janë marrëdhëniet që do të pasojnë këtë periudhë të vështirë. Në bashkëbisedimin e presidentit kinez me liderët e BE-së këta të fundit shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit me Kinën për studimin dhe prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit. Njëkohësisht në vende të ndryshme të botës po punohet për prodhimin e medikamenteve dhe të vaksinës kundër COVID-19 . Si e vlerësoni ju këtë bashkëpunim?
Dr.shk. Marsela Musabelliu: Ky është padyshim një lajm i mire për të gjithë. Të dyja palët shpresojnë të japin një sinjal pozitiv bashkëpunimi për të luftuar COVID-19, të avancojnë bashkëpunimin, të promovojnë rimëkëmbjen e ekonomisë globale, duke sjellë më shumë stabilitet dhe energji pozitive për të gjithë botën. Për më tepër më 7 qershor Zyra e Informimit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi Librin e Bardhë të veprimeve të Kinës kundër epidemisë COVID-19. Në këtë libër Kina ndau me botën eksperiencën e saj në parandalimin e përhapjes së virusit, të mjekimit të pacientëve si dhe u shpreh besimi për fitoren në betejën antiepidemike në mbarë botën.
Gatishmëria e palës kineze në studimin dhe prodhimin e vaksinës ka qenë e shprehur zyrtarisht dhe përbën një sinjal pozitiv që edhe BE-ja po përpiqet të ndajë eksperiencën dhe të punojë bashkërisht me palën kineze. Unë mendoj se fundi i kësaj lufte është në dorë të shkencëtarëve dhe të mjekëve, por sa më i thellë të jetë bashkëpunimi aq më i mirë dhe rezultati.CMG: Në kulmin e pandemisë COVID 19 prej së cilës linden mjaft teori konspirative rreth origjinës, parandalimit, trajtimit dhe përhapjes globale të virusit, ju publikuat një artikull në fokus të të cilit është Kina dhe paragjykimet ndaj këtij vendi dhe qytetarëve kinezë në vende të ndryshme. A mund të na risillni disa nga pikat kyçe të artikullit tuaj?
Dr.shk. Marsela Musabelliu: Dua ta nis me "përse-në" e shkrimit. Edhe pse e kam lënë fizikisht Kinën prej gati një viti ende kam shumë miq atje me të cilët komunikoj gati çdo ditë. Gjatë shpërthimit të epidemisë isha në kontakt të vazhdueshëm e shqetësuar për shëndetin e tyre dhe situatën atje. Por gjatë kësaj kohe dëgjoja dhe lexoja teori apo akuza të paqëna, ide komplotiste të cilat përveçse ishin të pabaza anashkalonin tragjedinë njerëzore, që po ndodhte në Kinë.
Në mesin e shkurtit ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë organizoi një veprimtari solidariteti për betejën kundër COVID-19 dhe pata mundësi të bisedoj me qytetarë kinezë që jetojnë në Shqipëri, por mbi të gjitha ishte fjalimi i ambasadorit Zhou Ding në këtë event që më dha një shtysë më tepër për artikullin. Në një kohë të vështirë për Kinën, duke iu referuar betejës kundër epidemisë së popullit të tij, ambasadori Zhou Ding tha "Dielli do të shkëlqejë nëpër re më në fund dhe atëherë ne do të dimë që një ndër flladet e lehta erdhi nga Tirana e largët". Me shkrimin tim doja të isha një shtysë më tepër në këtë "fllad solidariteti" nga Tirana. Ndër pikat kryesore që solla në vemendje të shqiptarëve ishte një panoramim i situates në Wuhan, Hubei dhe më gjerë të betejës së populli kinez kundër epidemisë, përpjekjet e qeverisë kineze për parandalimin dhe çrrënjosjen e virusit si dhe perspektivat ekonomike të vendit.
Unë shënjestrova teoritë konspirative dhe lajmet e rreme sepse informacioni që po vinte në Shqipëri ishte nga çdo burim tjetër, përveç Kinës. Thellova idenë se të flasësh për Kinën dhe rreth Kinës duhet të jenë dy qasje shumë të ndryshme, domethënë kur analizohet Kina edhe burimet duhet të jenë kineze. Në kohën që jetojmë, të përkëdhelur nga teknologjia nuk ka justifikime për mungesë informacioni, sepse mund të gjendet kudo. Më tej fola për marrëdhëniet dypalëshe, për miqësinë e hershme që kemi, duke sjellë në kujtesën tone kolektive idenë se në disa vite shumë të izoluara për Shqipërinë, Kina ishte i vetmi vend mik dhe na ndihmoi përtej mundësive të saj.
CMG: COVID-19 pritet të ndikojë në ekonominë globale. Mendoni se ky ndikim do të jetë i menaxhueshëm, siç ndodhi me epideminë SARS në vitin 2003?
Dr.shk. Marsela Musabelliu: Bota e 2020-ës fatmirësisht nuk është bota e 2003 dhe për këtë mendoj se Kina ka një meritë të madhe. Integrimi i Kinës në rrjetet globale të furnizimit të mallrave qysh prej vitit 2001 kur Kina u bë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë me të drejta të plota i ka dhënë një shtysë jo vetëm këtij vendi dhe Azisë, por dhe rritjes së mirëqenies në të gjithë botën. Sot Kina është partneri i parë tregtar për 127 vende të globit dhe kjo tregon shumë për shkallën e zhvillimit dhe qasjen tregtare ndërkombëtare të Kinës.
David Shambaugh, një studiues i shquar i Kinës thotë: "Hapja e Kinës kundrejt botës është padyshim zhvillimi më domethënës i marrëdhënieve ndërkombëtare për kohët tona. Që nga hapja e Kinës në 1978, bota ka ndryshuar Kinën dhe tani Kina ka filluar të ndryshojë botën." Zhvillimi i ekonomisë së Kinës, do të thotë zhvillim i ekonomisë globale. Dhe ky zhvillim e kjo sjellje pragmatike dhe proaktive në terma ekonomikë e Kinës duket edhe pas heqjes së izolimit në territorin e tyre. Në fakt deri në fund të prillit, 99% e ndërmarrjeve të mëdha industriale kineze rifilluan prodhimin dhe 88.4% e ndërmarrjve të mesme dhe të vogla rifilluan aktivitetin.
Duke ju rikthyer konferencës virtuale të liderëve të 22 qershorit të dy palët shpresojnë në bashkëpunim të thelluar. Në fakt Presidenti Xi theksoi se dy ekonomitë përkatëse kryesore duhet të luajnë rolin si motorë të dyfishtë të ekonomisë botërore, të nxisin rimëkëmbjen e ekonomisë globale, të mbështesin bashkërisht një rifillim të rregullt të punës dhe prodhimit, të forcojnë koordinimin e politikës makroekonomike dhe të mbajnë zinxhirët industrialë dhe të furnizimit global të qëndrueshëm dhe të qetë.Për t'ju rikthyer pyetjes suaj, patjetër që ky event ishte i paparashikueshëm. Ekonomistët e quajnë "Mjelma e Zezë", një event i cili përshkruan një ngjarje që vjen si befasi, ka një efekt të madh dhe shpesh racionalizohet në retrospektivë. Në terma ekonomikë ka efekte negativë, por përgjegjshmëria e çdo qeverie në detyrë sot është reagimi i menjëhershëm dhe efikas. Projeksionet e institucioneve ndëkombëtare parashikojnë në Qershor 2020, se tkurrja e ekonomisë globale do të jetë në -5% (FMN) kur prisnim një rritje prej 2.2% në fillim të këtij viti.
Mendimi im është se një reçesion ekonomik global do të jetë i menaxhueshëm vetëm nëse nuk ka elementë agresiviteti shtesë si: "luftë tarifash", rritje e praktikave proteksioniste të tregut, shënjestrim i vendeve të caktuara në prodhimet e tyre, etj.
Pra, një ndalje ose regres i procesit të globalizimit është i papranueshëm nëse duam të dalim nga kjo situatë e bllokazhit ekonomik.
CMG: Ju jeni një njohëse e mirë e Kinës. Keni kryer doktoraturën në Universitetin e Xiamen-it me temë investimet kineze në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe mekanizmin e bashkëpunimit 17 +1. Në optikën tuaj si studjuese, cili është pozicioni i Shqipërisë në këto nisma kineze me përhapje dhe ndikim të gjerë në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.
Dr.shk. Marsela Musabelliu: Unë mundohem të ndjek dhe të analizoj Kinën e sotme për shkak të studimeve dhe punës sime akademike dhe patjetër për kënaqësi dhe kureshtje personale. Studimi i thelluar i mekanizmit të bashkëpunimit ka qënë një punë shumë intensive 4-vjeçare, por unë kam patur fatin e mirë të kisha si udhëheqës doktorature një nga profesorët më të shquar në Kinë në fushën e ekonomisë, Prof. Wu Chongbo. Nën udhëzimet dhe drejtimin akademik të tij, kam patur mundësinë që në Universitetin e Xiamen-it të hulumtoja në mënyrë rigoroze aspektet e investimeve kineze dhe tregtisë në EQL.
Gjetjet e mia të doktoraturës janë gati 300 faqe, por po përmbledh për ju disa pika kyçe.
Mekanizmi i bashkëpunimit "17+1" është një qasje multifunksionale me të cilën RPK ka shfaqur interesin për bashkëpunim në një territor që shkon nga vendet Balltike deri në Ballkan. E themeluar në 2012, kjo platformë është integruar më tej në çadrën e nismës globale të RPK "Një Brez, Një Rrugë".
Gjetjet me anë të shifrave në doktoraturën time tregojnë një angazhim të ulët të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të platformës. Po të shohim shifrat zyrtare në Shqipëri janë 149 kompani me pronësi totale ose mbi 50% kineze, dhe stoku në vlerë i investimeve direkte kineze për vitin e kaluar ishte afro 8 milion Euro (shumë pak për ekonominë e dytë të botës). Vetëm këto shifra tregojnë një mungesë të investimeve direkte kineze në Shqipëri. Ka në fakt disa investime të tjera siç janë Aeroporti i Rinasit TIA i cili menaxhohet nga China Everbright Limited, dhe ish Bankers Petroleum, që tashmë është nën menaxhim të Geojade Petroleum Corporation, por këto investime në terma ekonomkë hyjnë te shkrirje/ blerje ose Mergers and Acqusitions.
Nëse do të bëjmë një krahasim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor përsa i përket investimeve kineze ja disa shifra: Në Malin e Zi, autostrada e parë Bar-Boljare, do të bëhet me investim kinez me vlere 800 milion dollarë, si dhe një investim kinez prej 100 milion dollarësh bëhet për flotën detare.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut vlera e investimeve kineze në asfalt shkon 670 milion dollarë, si dhe 28 milion dollare investim në hekurudhë dhe 87 milion në hidroçentrale.
Në Bosnje-Hercegovinë, termocentrali Tusla me mbështetje të fondeve kineze ka investim prej 732 milion dollarë dhe termocentrali Stanari kap shifrën 500 milion dollarë.
Serbia është tërheqësja më e madhe e investimeve kineze në Ballkan që nga hekurudha e Beograd-Budapest, që mendohet se segmenti serb në përfundim do të kapë vlerën e mbi 1 miliard Euro.
Mendoj se "17+1" dhe "Një brez, një rrugë" i kanë dhënë pa dyshim impulse të reja marrëdhënies dypalëshe, mjafton të kujtojmë disa nga arritjet në kuadër të kësaj platforme si heqja e vizave për shtetasit kinezë, krijimi i sekretariatit të rinisë dhe mbledhja në Tiranë e kryebashkiakëve të platformës kanë dhënë fryte të mira. Qoftë edhe kanalet e shtuara të bashkëpunimit nëpërmjet platformës janë një rast i mirë njohjeje dhe komunikimi midis politikëbërësve. Por, unë mendoj se në këtë marrëdhënie ka shumë potencial të pashfrytëzuar ende.
CMG: Aktualisht jeni Drejtore Ekzekutive e Institutit të Studimeve te Globalizimit. Do të ishte me interes të mësonim për veprimtarinë dhe bashkëpunimet e institutit që drejtoni.
Dr.shk. Marsela Musabelliu: Në fakt ideja e institutit u formësua nga unë dhe dy akademikë të shquar me të cilët kam patur kënaqësinë të punoja para disa vitesh, Prof. As. Pandeli Taci dhe Prof. As. Stavri Sinjari. Të dy profesorët kanë një karrierë të gjatë dhe shumë dinjitoze akademike, respektivisht në studime të çështjeve të sigurisë dhe shkencave sociale, ndërsa unë shtoj elementin ekonomiko- politik të këtij instituti.
Ne vendosëm të bashkojmë ekspertizat tona përkatëse për të analizuar impaktet e dukshme dhe efektet anësore të globalizimit në vendin tonë duke u përpjekur të hedhin dritë mbi çështje të interesit publik dhe institucional si: integrimi ekonomik kombëtar me rrjetet globale, sfidat e Shqipërisë për të arritur standardet kontinentale, politikëbërja, mirëqeverisja, etj..
Instituti ka për qëllim promovimin e perspektivave ndërdisiplinore dhe angazhimin aktiv në fushat e globalizimit si dhe promovon kërkime shkencore cilësore, publikime analitike, angazhimin intelektual dhe dialog të përqëndruar në ngjarje me impakt dhe interes publik, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ne jemi ende në fazë gati embrionale por kemi patur sukses të bashkëpunojmë me Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës (CASS), China-CEE Institute ne Budapest, Akademinë e Shkencave të Rumanisë, Insititin AITE të Maqedonisë së Veriut, etj. Ju rikujtoj që jemi vetëm 6 muaj hapur e kemi në plan shumë bashkëpunime te tjera.
Intervistoi Eda Merepeza