Në thellësinë e vargmaleve Yaoshan të provincës Guizhou jetojnë në mënyrë të shpërndarë mbi 5000 banorë të pakicës kombëtare yao. Në historinë e hershme, paraardhësit e tyre, për të shmangur luftërat e shpeshta, u shpërngulën gjithnjë e më thellë në male. Kurse tani banorët atje po përqafojnë një jetë plot shpresë pasi largohen nga zonat e prekura rëndë nga varfëria. Në saje të politikës së zbutjes së varfërisë nëpërmjet zhvendosjes, jeta e tyre ka ardhur duke u përmirësuar.
39-vjeçari He Guoqiang banon në lagjen "Xingwang" të kontesë Libo. Në muret e shtëpisë së re varen dy foto: njëra është e një kasolleje druri me shtresë shajaku si çati, ndërsa tjetra e një godine të re me ashensor. "Shtëpia e tanishme është 1000 herë më e mirë se e vjetra. Po bëj një jetë që nuk e kisha menduar kurrë më parë", shprehet He.
Që nga shpallja e Kinës së Re në vitin 1949, në Yaoshan janë bërë shtatë zhvendosje. He është përfitues i herës së gjashtë. Zhvendosjet dëshmojnë përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë për lumturinë e banorëve në thellësi të maleve. Në marsin e sivjetshëm, të gjithë banorët vendorë i dhanë lamtumirën varfërisë që i kishte kapluar për qindra vjet.
Në të kaluarën, banorët e kombësisë yao në vargmalet Yaoshan banonin në zona të ftohta malore. Me mungesë të ujit e tokës së punueshme, ata jetonin me bujqësi primitive dhe gjueti. Pasi mbaronin së shfrytëzuari një hapësirë toke, hapnin toka të reja. Në vitin 1955, një pjesë e banorëve i dëgjuan thirrjet e qeverisë dhe zbritën nga mali. Por shumica prej tyre parapëlqyen të qëndronin në mal.
He Guoqiang-u, i lindur në vitin 1981, e la shkollën për shkak të varfërisë. Para se të banonte në një barakë druri, kishte jetuar mbi dhjetë vjetë në një kasolle kashte. "Nuk e dija çfarë është krevati, sepse tërë familja flinte mbi pllaka druri ose 'fole' bari", e përshkruan jetën e hidhërueshme të mëparshme ai.
Sipas një sondazhi të vitit 1980, të ardhurat mesatare vjetore për frymë të banorëve ishin më pak se 40 juanë. Për shkak të mungesës së drithërave, shumica e banorëve hanin vetëm patate të egra tërë vitin. Vetëm 14 ndër 304 shtëpitë kishin çati me tjegulla, kurse të tjerat vetëm me kashtë. Ndërkohë, 87 % e popullsisë ishte analfabete dhe asnjë nuk kishte përfunduar ndonjë shkollë të mesme profesionale, pa përmendur pastaj shkollën e lartë.
Duke marrë parasysh këtë situatë, pushteti vendor e ndihmoi vazhdimisht fshatin. Për pesë vjet, banorët e përdorën energjinë elektrike falas dhe, para zbatimit të arsimit të detyrueshëm falas në mbarë vendin, të gjithë nxënësit në Yaoshan ishin të përjashtuar nga tarifat shkollore.
Mirëpo, me kushte të ashpra natyrore dhe mungesë të rrugëve, banorët vuanin vazhdimisht nga varfëria e madhe. Për këtë arsye, në vitin 1996, u bë zhvendosja e dytë, gjatë së cilës 30 familje zbritën nga malet, dhe pushteti u dha banesa të reja dhe tokë të punueshme.
Në vitin 1998, 70 familje të tjera u zhvendosën me ndihmën e programit kombëtar. Më pas, provinca Guizhou vuri në jetë tre projekte për zbutjen e varfërisë me zhvendosjen, dhe afro 500 familje të tjera u shpërngulën në lagje të reja dhe u vendosën në shtëpi me kushte të mira.
Nga viti 2017 deri në vitin 2019, pas nisjes së zbatimit të politikës së "zhdukjes së varfërisë sipas kushteve specifike", u bë zhvendosja e shtatë dhe më e madhe. Me mbi 60 milionë juanë investime, 246 familje me 1045 pjesëtarë, që kishin mbetur të fundit në thellësinë e maleve në Yaoshan, filluan jetën e re në kontenë dhe qytezën afër.
Megjithëse tani banorët e zhvendosur gëzojnë jetë të lumtur, në fillim ishte shumë e vështirë që t'i bindje të lëviznin. Para zhvendosjes, shumica prej tyre kishin frikë nga bota e jashtme dhe shmangnin kontaktet me përfaqësuesit e pushtetit. "Në fillim, shumë familje na pritën me dyer të mbyllura", kujton He Chunliu, një zyrtare e kontesë, sipas së cilës, ekipi i punës duhej të bënte shumë vizita në shtëpitë e tyre për të siguruar mirëkuptimin.
Jo vetëm kaq, por pas zhvendosjes, në lagjet ku u strehuan malësorët, kishte kuadro që i ndihmonin të mësoheshin me jetën e ndryshme. Për shembull, në lagjen "Xingwang", ku banon He Guoqiang-u, ka tre zyrtarë të tillë. Ata u japin ndihmë në çdo aspekt: banorëve që nuk dinë shkrim e këndim, u mësojnë njohuri bazë, si për shembull të dallojnë numrat e ndërtesave, duke shpikur metoda, si: "7-a i ngjan draprit dhe 11-a u ngjan shkopinjve të ngrënies"; i shoqërojnë ata të vizitojnë mjedisin e ri për të njohur vendet publike, si supermarketin, tregun e perimeve, spitalin, shkollën, sheshin etj.
Pikërisht kjo ndihmë i bindi banorët të qëndrojnë në shtëpitë e reja. Pas një periudhe ambientimi, He Guoqiang i hoqi dyshimet dhe shqetësimet. Nëpërmjet He Chunliun-it, ai gjeti punë në ndërtim dhe e shoqja Li Meili punon në një shtëpi të moshuarish. "Më kujtohet se herën e parë, kur u njoha Meili-në me punëdhënësin, ajo e nervozuar u fsheh prapa meje, duke më kapur cepin e fustanit. Tani, nëpërmjet kontakteve të shpeshta me njerëzit, është bërë më e hapur dhe me më shumë vetëbesim", u shpreh e gëzuar He Chunliu.
Ajo është një kuadro e bazës. Në sytë e banorëve të shpërngulur, kjo grua e re mund të zgjidhë çdo problem. Në një grup në "Wechat" të krijuar nga ajo ka 357 pjesëmarrës. "Epidemia na ndërpreu planin e paracaktuar për punësimin e banorëve të zhvendosur. Kështu që krijova një grup në 'Wechat', ku publikohen vazhdimisht informacionet e rekrutimit që nga fundi i shkurtit. Pasi marr këto informacione, bëj përzgjedhje dhe ua paraqes familjeve të ndikuara nga epidemia. Po punojmë për të siguruar që çdo familje të gjejë rrugëdalje sipas kushteve të veta", thotë He Chunliu për masat e marra nga qeveria për të shmangur rënien përsëri në varfëri të banorëve të shpërngulur.
Në fakt, ajo është vetëm një ndër kuadrot e bazës që janë djersitur gjatë shtatë zhvendosjeve. Në disa dekadat e fundit, ata kanë punuar pandërprerë, duke kapërcyer vështirësi të panumërta, madje duke luftuar deri në çastet e fundit të jetës.
Tan Hongjian nga konteja Libo u caktua në vitin 1999 si sekretari i Partisë për fshatin e pakicës yao. Ai kaloi 19 vjet këtu, deri në gushtin e vitit 2018, kur ndërroi jetë për shkak të kancerit të stomakut. Shumë banorë e mbajnë mend shumë mirë se si, në ditët e para pasi erdhi këtu, Tan shpesh u shpërndante drithërat e veta familjeve që u mungonte ushqimi. Në fund të vitit kur u largua nga jeta, të ardhurat mesatare vjetore për frymë të fshatit arritën në 6545 juanë, që ishin mbi 150 herë më shumë se në kohën kur u themelua Republika Popullore e Kinës. Në ceremoninë e deklarimit të zhdukjes së varfërisë, banorët u ranë daulleve të bakrit për një kohë të gjatë, riti më i lartë i nderimit i pakicës kombëtare yao, për të kujtuar Tan Hongjian-in.
Tani, banorët nga Yaoshan po punojnë në zona të tjera në fabrika, kantiere ose në sektorin e shërbimeve, madje disa prej tyre kanë krijuar ferma të mbjelljes së bimëve ekonomike në periferi të qyteteve. 100% e fëmijëve të tyre po marrin arsim të detyrueshëm nëntëvjeçar dhe mbi 30 të rinj janë diplomuar nga shkollat e larta.
Fëmijët e He Guoqiang-u po mësojnë në shkollë, gjë që e kënaq shumë babain e tyre, i cili e kupton shumë mirë rëndësinë e arsimit pas vuajtjeve shumëvjeçare.