Intervistë me Kryetaren e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, Drita Avdyli

CMG: Po jetojmë në vetizolim për shkak të pandemisë së COVID-19. Si e kryen misionin e saj Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit?

Drita Avdyli: Sigurisht në këtë situatë të pandemisë globale dhe Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit ka zvogëluar aktivitetin sipas Akteve Normative, por pa u ndalur për t'i ardhur në ndihmë çdo qytetari, sipas rasteve. Ajo vepron vetëm ndaj çështjeve urgjente, si dhe kemi pezulluar çdo trajnim apo mbledhje, por duke u bazuar në misionin tonë vijojme punën, duke respektuar rigorozisht distancën dhe komunikimin. Për çdo konflikt me të miturit, dhunën në familje dhe konflikte për fëmijët me prindër të divorcuar, ne vijojmë me zgjidhjet alternative, të cilat janë shtuar duke qenë se Gjykatat nuk kanë funksionuar në këtë periudhë. Plotësimi i misionit tonë rregullon marrëdhëniet midis njerëzve, komunikimin e tyre që në këtë kohë ka qenë i vështirë.

CMG: Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit është një institucion ligjor i ri për shoqërinë shqiptare. Kur është krijuar dhe cila është veprimtaria e saj?

Drita Avdyli: Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit u krijua si nevojë për zgjidhje të shpejta dhe të drejta për konflikte të ndryshme midis individëve dhe institucioneve, ku palëve i jepen alternativa për mosmarrëveshje me anë të një personi të tretë asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme dhe që nuk bie në kundërshtim me ligjin, jashtë gjyqesorit, pasi besimi tek sistemi gjyqësor po binte ndjeshëm në komunitet. Nisur nga kjo, Enti Publik, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit u krijua më 7 korrik 2013, në selinë e Ministrisë së Drejtësisë nga disa ndërmjetës, duke zgjedhur organet drejtuese dhe kuadrin ligjor sipas Ligjit nr 10375 datë 24.3.2011, i ndryshuar. Nëpërmjet marrëveshjeve me ndërmjetësim arrihen zgjidhjet ligjore ekonomike, të shpejta dhe shumë konfidenciale, pasi arrihet një zgjidhje dypalëshe, duke rregulluar dhe marrëdhëniet njerëzore në konflikt. Kjo marrëveshje veç të tjerash është titull ekzekutiv dhe kjo e bën akoma më në avantazh se zgjidhjet gjyqësore, që zgjasin më shumë se 5- 7 vjet.

Përveç avantazhit në kohë, në procesin e ndërmjetësimit pala apo palët e zgjedhin vetë ndërmjetësin dhe jo me short si në Gjykatë, po ashtu zgjedhin vetë dhe vendin dhe orën. Ndërsa në një vendim gjykate, njëra palë fiton dhe tjetra humb, në ndërmjetësim ndodh ndryshe sepse në këtë proces fitojnë të dyja palët, ku zgjidhja gjyqësore nuk zgjidh një mosmarrëveshje, por thellon akoma më shumë konfliktin midis palëve.

Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe në ato raste kur gjykata, prokuroria apo policia ka filluar procesin gjyqësor. Në çdo seancë gjyqtarët janë të detyruar të orientojnë palët për zgjidhjen e mosmarrëveshjes drejt ndërmjetësimit, sipas pikave 4 dhe 5 të këtij Ligji. Ndërmjetësimi ul jo vetëm ngarkesat në Gjykata por dhe shkallën e korrupsionit në këtë sistem. Mosfunksionimi i tërë shkallëve të Gjyqësorit krijon përparësi ndaj zgjidhjeve alternative me ndërmjetësim, duke ndihmuar komunitetin.

CMG: Marrëveshjet e lidhura online nëpërmjet ndërmjetësimit çfarë vlere ligjore kanë?

Drita Avdyli: Sipas rasteve te përcaktuara në Aktet Normative, komunikimi me palët në konflikt bëhet sipas rasteve në skype, whatsup, viber etj, duke komunikuar veç e veç me palët, duke i çuar drejt zgjidhjes dhe në fund po qe nevoja në lidhje të përbashkët on-line. Marrëveshja në këto raste lidhet duke u nënshkruar në takime individuale, duke nënshkruar palët në takime të ndara, duke repsektuar distancën e caktuar dhe me masat mbrojtëse. Duhet theksuar se takimet e palëve bëhen on-line, por në fund kontrata lidhet e nënshkruar pranë zyrës sonë, ku palët vijnë të ndara dhe firmosin.

CMG: Kjo përvojë e re online e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit mendoni se do të ndikojë pozitivisht në veprimtarinë e saj të mëtejshme?

Drita Avdyli: Kjo metodë, kërkesat, bidesat dhe seancat on-line janë shumë produktive, pasi palët nuk vijnë nga distancat disa herë në zyrën e ndërmjetësimit, por nga shtëpia, pa kosto transporti, në çdo kohë kryejnë seancat, duke arritur një konsensus. Seanca përfundimtare bëhet në takime zyrtare pasi finalizohet Marrëveshja, si titull ekzekutiv.

Kjo metodë ka avantazhet e veta, të sipërpërmendura, por seancat direkte, metodat e komunikimit ndikojnë pozitivisht në arritjen me sukses të realizimit dhe shmangies së konfliktit.

CMG: Ju personalisht si po e kaloni përvojën e vetizolimit dhe si i vlerësoni masat e ndërmara për parandalimin e epidemisë dhe reagimin qytetar ndaj tyre?

Drita Avdyli: Personalisht, po shfrytëzoj maksimalisht kohën e vetëkarantinimit, pasi përveç angaxhimeve familjare, po bëj sensibilizim për qytetarët për situatën nëpërmjet medias sociale dhe televizionit lidhur me distancimin social, komunikoj me klientët dhe ndjekësit e mi që në këtë situatë të shmangin konfliktet, të cilat mund të shtohen nga stresi i qëndrimit mbyllur. Manaxhoj kohën time dhe bashkë me partnerët e Projektit CSSP- Berlin po merremi me "Forcimin e Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri", duke nxjerrë aktet nënligjore të Ligjit të Ndërmjetësimit. Në rastet e kërkuara shkoj në zyrë e pajisur me Leje nga autoritetet përkatëse, duke zbatuar rreptesisht rregullat me imagjinatën që "armikun covid imagjinar" e kam përballë.

Falënderoj Institucionet përkatëse që marrin masa shtrënguese të njëpasnjëshme për parandalimin dhe mospërhapjen e kësaj epidemie në përmasa të mëdha në Republikën e Shqipërisë. Jam një femër shumë optimiste dhe bëj thirrje "Qëndroni në Shtëpi! Do ja dalim si gjithmonë!" Kam gjithashtu një falënderim të veçantë për miqtë kinezë, të cilët ishin të parët që sollën ndihma të nevojshme për përballimin e epidemisë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Itali, duke u bërë furnizuesi i parë me këto mjete në të gjithë botën.

Eda Merepeza