Sipas të dhënave statistikore, në tre muajt e kaluar janë krijuar 2.29 milionë vende të reja pune në Kinë, 950 mijë më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa përqindja e papunësisë në qytete shënoi vlerën 5.9 %, 0.7 pikë përqindjeje më shumë se në fund të vitit të kaluar. Krahas rinisjes graduale të prodhimit, qeveria kineze po merr më shumë masa nga drejtime të ndryshme për të stabilizuar tregun e punës.
"Gjendja e punësimit është më serioze", deklaroi znj. Zhang Ying, drejtore e Departamentit të Punësimit të Ministrisë së Burimeve Njerëzore në një konferencë shtypi të organizuar ditët e fundit në Pekin. Sipas saj, më shumë masa po merren në tre drejtime për të përballuar vështirësitë.
Së pari, shtimi i vendeve të punës.
Për të nxitur sa më parë rifillimin e punës dhe të prodhimit në përputhje me kërkesat e kontrollit të pandemisë, autoritetet në nivele të ndryshme kanë krijuar mekanizma për garantimin e ofertës së forcës punëtore për ndërmarrjet kryesore dhe sigurimin e vajtjes së punëtorëve nga fshati në punë. Deri në mesin e prillit, nëpërmjet këtij mekanizmi, gati 500 punonjës janë punësuar në ndërmarrjet kryesore, ndërsa afro 5.9 milionë punëtorë nga fshati kanë mbërritur të sigurt në vendet e tyre të punës. Znj. Zhang theksoi se disa projekte të mëdha infrastrukturore dhe kompanitë shtetërore kanë zgjeruar përmasën e rekrutimit të punonjësve.
Në të njëjtën kohë, një sërë masash financiare dhe tatimore janë zbatuar për të lehtësuar barrën e ndërmarrjeve. Nga shkurti deri në mars janë pakësuar 232.9 miliardë dhe shtyrë 28.6 miliardë juanë sigurime shoqërore që paguheshin nga punëdhënësit. Afro 10 miliardë juanë fonde janë shpërndarë për të ndihmuar ndërmarrjet të ruajnë nivelin e stafit dhe individët të fillojnë bizneset e veta. Gjithashtu, mbi 80 milionë punëmarrës kanë marrë subvencione nga sigurimet e papunësisë dhe politika të favorshme po zbatohen që bizneset e reja të marrin më lehtë kredi bankare, të gjejnë me kosto më të ulët vende për funksionimin e tyre etj.
Posaçërisht për të diplomuarit në shkollat e larta, organet e pushtetit të niveleve të ndryshme, ndërmarrjet shtetërore dhe institucionet publike, duke përfshirë edhe ushtrinë, kanë zgjeruar përmasën e rekrutimit. Për punëtorët nga zonat rurale, ndihmat qeveritare mbulojnë publikimin e informacioneve të punësimit, rregullimin e udhëtimeve, krijimin e sistemit të njohjes së rezultateve të kontrollit shëndetësor në vendin e origjinës dhe vendin e punës etj.
Së dyti, lehtësimi i punësimit.
Për shkak të epidemisë, shumë aktivitete punësimi nuk mund të organizohen ballë për ballë si më parë. Prandaj, Ministria e Burimeve Njerëzore ka krijuar platformë elektronike për të përmbushur kërkesat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve. Deri më 16 prill janë publikuar 5031 kontingjente informacionesh rekrutimi për 13.39 milionë vende pune në 1.34 milionë ndërmarrje, duke marrë 7.67 milionë CV të aplikuesve. Siç mësohet, punëdhënësit dhe punëmarrësit mund të publikojnë dhe kërkojnë informacione sipas tre sferave, që përkatësisht janë fushat, rajonet dhe grupi i njerëzve. Çdo javë te "Fushat" publikohen bashkërisht vendet e reja të punës në katër fusha të veçanta, si bujqësia, interneti, financa etj. Ndërsa, në "Rajonet" mund të gjenden të gjitha informacionet e publikuara sipas njësive administrative dhe në "Grupet e njerëzve" mund të gjenden veprimtari të posaçme që zhvillohen për njerëzit që kërkojnë më shumë vëmendje, si të diplomuarit, punëtorët nga fshati, qytetarët e papunë dhe banorët nga krahinat e varfra etj.
Përveç publikimit të informacioneve për vendet e punës, në platformë ofrohen edhe shërbimet informative për politikat e favorshme qeveritare, trajnimin profesional, konsultimet për punësimin etj.
Deri tani janë krijuar 137 klasa virtuale, ku jepen 5562 programe trajnimi profesional.
Së treti, ndihma ndaj njerëzve më të paprivilegjuar.
Sivjet është viti vendimtar për zhdukjen e varfërisë në Kinë. Por, ndodhja e epidemisë ka vështirësuar realizimin e këtij zotimi të qeverisë, duke i nxitur autoritetet kineze të gjejnë më shumë mënyra për të ndihmuar njerëzit e prekur nga varfëria.
Lidhur me këtë, znj. Zhang Ying bëri të ditur se më shumë politika po zbatohen për të siguruar punësimin jashtë vendlindjes të punëtorëve nga fshati, si dhe për të zgjeruar kanalet e tyre të punësimit në vendet ku banojnë. Deri më 10 prill, mbi 23 milionë banorë nga krahinat e varfra janë punësuar jashtë vendlindjes, shifër kjo sa 86 % e nivelit të vjetshëm.
Pushteti vendor po i kushton vëmendje edhe krahut të punës me paqëndrueshmëri të lartë punësimi. 50-vjeçari Hong Jianmin nga fshati Dinglou në verilindje të provincës Anhui punonte më parë në ndërtim në Pekin. Pas rënies së epidemisë, për shkak të kërkesës për karantinim, ai u detyrua të qëndronte në shtëpi pas Festës së Pranverës që nga janari. Në fillim të marsit, me ndihmën e pushtetit vendor, ai gjeti punë në projektin e ndërtimit të banesave ekonomike në kontenë ku ndodhet fshati i tij. "Jam shumë mirënjohës. Kisha qëndruar shumë kohë në shtëpi pa të ardhura. Tani jam shumë i lehtësuar. Megjithëse rroga nuk është aq e lartë sa në qytet, jetesa bazë mund të garantohet dhe ndihem i kënaqur se po punoj afër familjes", i tha ai gazetës "Renminribao". Disa autoritete provinciale po marrin masa në përputhje me kushtet vendore për të zgjidhur problemin e punësimit të punëtorëve fshatarë. Për shembull, ata që nuk mund të kthehen në qytet për arsye të ndryshme, mund të gëzojnë subvencione financiare dhe politika të tjera të favorshme për punësimin në kultivimin e drithërave e të bimëve ekonomike dhe rritjen e shpendëve e të kafshëve shtëpiake etj.