20-vjeçari Wang Haoran (me emrin shqiptar Ditmir) është një student i gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Nga fundi i tetorit të vitit të kaluar, ai filloi të studionte në degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Mirëpo, për shkak të epidemisë së COVID-19, ditët e fundit ai u kthye në Kinë bashkë me disa shokë shkolle dhe gjendet në periudhën karantinore14-ditore. Ditët e fundit, ai tregoi për Radio "Ejani" në formë ditari për këtë përvojë të veçantë.
30 mars, Hotel "Grand Madison", Shangai
Drejtpërdrejt nga aeroporti, vajtëm te hoteli për të bërë karantinim. Nata në Shangai ishte jashtëzakonisht e bukur, me drita neoni të shumëngjyrshme dhe rrokaqiejt e shumtë. Nuk kishte shumë njerëz e as makina, e cila më krijoi një ndjenjë të veçantë, një ndjesi qëllimi që duhet të luftonim kundër virusit dhe ta fitonim këtë betejë. Gjatë gjithë rrugës, nga lodhja e madhe, asnjeri nuk fliste. Në orën 4 të mëngjesit, arritëm më në fund në Hotelin Ndërkombëtar "Grand Madison".
Hoteli i madh me zbukurime mermeri më la përshtypjen e një kalaje europiane. Disa kate ishin caktuar për të strehuar njerëzit që do të karantinoheshin. U vendosëm në katin e dhjetë, secili në një dhomë të vetëm. Dhoma ka një krevat dopio, televizor, tavolinë pune, "Wi-fi" të shpejtë, tualet me vaskë dhe dritare të pastra, përtej të cilave mund të shijoj pamjen piktoreske të lumit pranë hotelit. Përveç tyre, më janë siguruar edhe ujë e ushqim kur vjen koha për të ngrënë, kështu që nuk kam aspak nevojë për të dalë jashtë. Ngrihem në orën 7:30 për të marrë mëngjesin tim në tavolinën jashtë dhomës para se të ftohet.
Çdo ditë duhet të mas temperaturë dy herë, në orën 8 të mëngjesit dhe në orën 3 pasdite. Pas matjes së temperaturës, duhet t'ia raportoj shifra punonjësit mjekësor në telefon. Nga e hëna deri në të premten kemi mësime me pedagogët e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit në internet, kurse fundjavën e shfrytëzoj për lexim dhe argëtim. I vlerësoj shumë përpjekjet e përkushtimin e pedagogëve tanë të nderuar, të cilët mbajnë cilësinë e mësimdhënies njësoj si kur na jepnin mësim ballë për ballë. Para se të fillojmë mësimin, ata gjithmonë kujdesen për ne, duke na pyetur për gjendjen shëndetësore. Kjo më jep shumë ngrohtësi në zemër.
Zakonisht pas drekës, lidhem me nënën në telefon. Ajo nuk e duron dot të mos më shohë edhe për një ditë tjetër. Tani ajo nuk është më e shqetësuar për sigurinë time. Shpeshherë me të është edhe babai. Ata lidhen me mua nëpërmjet videos duke shëtitur, në mënyrë që të shoh lagjen tonë në Pekin. Përveç tyre, ruaj edhe kontakte të ngushta me shokët e mi, kështu që nuk e ndiej fare vetminë gjatë karantinës.
Në kohën e lirë, lexoj libra, ndjek lajmet shqipe në online dhe shoh telenovela. Sikur është një luks që të largohem për një kohë nga zhurmat e shoqërisë moderne, prandaj duhet ta shfrytëzoj këtë për t'u përmirësuar dhe reflektuar. Tani po lexoj librin "21 leksione për shekullin e 21-të", i cili më jep njohuri për problemet politiko-shoqërore të kohës sonë. Po më vjen keq që nuk mund të mbaj premtimin që u kam bërë shokëve shqiptarë se do të dilnim së bashku dhe do t'i qerasja me gatime kineze në restorantin "Oriental City". Gjithashtu shqetësohem për gjendjen e shokëve kinezë dhe shqiptarë në Tiranë. Por lajmi i mirë është se edhe në Shqipëri po merren masa të forta kontrolluese dhe njerëzit po i zbatojnë si duhet ato. Jam i bindur se Shqipëria do t'ia dalë patjetër. Duhet të ushqejmë gjithmonë optimizëm, vetëm kështu mund të vazhdojmë së jetuari. (Wang Haoran)