Intervistë me zonjën Suzana Numani, drejtore dhe administratore e shkollës jopublike "Numani" në Fier.

CMG: Epidemia e koronavirusit ka prekur dhe qytetin e Fierit. Shkolla jopublike Numani që ju drejtoni po i zhvillon mësimet online, duke zbatuar urdhërin e Ministrisë së Arsimit. Si po e realizoni mësimdhënien online në shkollën tuaj?

Suzana Numani: COVID 19 ka prekur dhe qytetin e Fierit. Momentalisht janë 6 të prekur, ndërsa qytetarët po qëndrojnë në shtëpi. Kur dëgjuam se cfarë po ndodhte në Kinë për shkak të epidemisë e morëm disi lehtë, sepse na dukej diçka e largët. Rrugët e Fierit janë të zbrazura qysh pas vendimit të qeverisë për ndëshkimin me masa ndaj atyre që do të thyejnë rregullat. Në oraret e caktuara për lëvizje sheh qytetarë që nxitojnë të bëjnë blerje ushqimesh ose për nevoja të tjera emergjente. Frika është shtuar sidomos pasi shohim gjendjen në Italinë fqinje. Është nje situatë shumë e vështirë ku rrezikohet shëndeti, si dhe gjendja ekonomike e qytetarëve.

Sapo u dha urdhëri i Ministrisë së Arsimit për mbylljen e shkollave shkova vetë në cdo klasë për të sqaruar nxënësit se për shkak të epidemisë së COVID-19 shkolla do të mbyllej dhe duhet të qëndronin në shtëpi. Ju thashë se duhet të kemi shpresë për hapjen së shpejti të shkollës.

CMG: Për përballimin e epidemisë me rëndësi është qëndrimi në shtëpi. Si keni mundur të ndërgjegjësoni nxënësit e shkollës suaj për ta bërë këtë dhe për të ndjekur mësimet online?

Suzana Numani: Urdhëri i Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e mësimeve online në fakt na gjeti të papërgatitur. Por falë bashkëpunimit që kemi me prindërit dhe komunikimit me ta mësueset e klasave kujdestare i informuan dhe kjo metodë mësimore u mirëprit nga nxënësit tanë dhe prindërit e tyre. Kjo është një mënyrë solidarizimi. Mësuesit krijuan grupe në aplikacionin whatsapp por dhe klasa sipas modelit të google classroom dhe kështu nisi mësimdhënia online.

CMG: Mendoni se me zgjatjen e epidemisë mësimi online do të jetë me vlerë ? A do të ndikojë kjo në formimin e mëtejshëm të nxënësve tuaj?

Suzana Numani: Nuk është e lehtë, sepse kemi nxënës që jetojnë larg qytetit. Ndërkohë ka probleme dhe me internetin, me fuqinë e internetit për të zhvilluar online mësimin. Nga ana tjetër vështirësi krijon fakti se jo të gjithë kanë mundësi të kenë teknologji të avancuar në familje nëse do t'i referohem shkollave publike. Stresi i krijuar ndikon gjithashtu në veprimtarinë mësimore të nxënësve dhe mësuesve. Më shumë këtë e ndjejnë maturantët , pasi nuk mund të zëvendësohet mësimi dhe shpjegimi i lëndëve në klasë me atë online. Te maturantët prej vitesh aplikohen testet, por aktualisht ato po bëhen përmbledhtas, pas anashkaluar njohuritë bazë. Mësuesit seleksionojnë temat dhe ua ofrojnë nxënësve në mënyrën më të mirë të mundshme.

CMG: Si kanë reaguar nxënësit e shkollës suaj në përballimin e gjendjes?

Suzana Numani: Nxënësit e kanë kuptuar situatën dhe vështirësitë e mësuesve për përballimin e saj dhe shpesh falënderojnë. Nëpërmjet videokonferencave nxënës-mësues është krijuar mirëkuptim dhe afrimitet mes tyre. Ka shumë solidaritet. Çdo ditë marrim mesazhe optimiste nga nxënësit e nivelit parashkollor e deri te maturatët. Përvec procesit mësimor mësuesit u rekomandojnë nxënësve lojra të ndryshme, përdorin teknika argëtuese të mësimdhënies dhe nuk i ngarkojnë shumë me detyra, me qëllim që mësimet të mos jenë të paasimilueshme.

Në këto kushte komunikimi mësues-nxënës është shumë i rëndësishëm, sepse nxënësit përvec lëndëve mësimore marrin nga mësuesit e tyre dhe këshilla për situatën dhe rregullat që duhet të zbatojnë.

Mendoj se nëse zgjat kjo situatë do të jetë e vështirë për shkollat dhe mësimdhënien, sepse të mësuarit në klasë nuk e zëvendëson asgjë. Kur shoh këto ditë oborrin e boshatisur të shkollës sonë, ku lulet kanë celur por nuk ka asnjë nxënës të vjen vërtet keq. Mungojnë nxënësit që i zbukurojnë çdo ditë mjediset e shkollës. Shumë video dhe fotografi inkurajuese kanë publikuar këto ditë online nxënësit e shkollës sonë, në shenjë solidariteti.

CMG: Dëshirojmë të njohim veprimtarinë e kësaj shkolle jopublike para gjendjes së jashtëzakonëshme për shkak të epidemisë së koronavirusit.

Suzana Numani: Shkolla jopublike "Numani" festoi sivjet 20 vjetorin e saj. Ky institucion arsimor jopublik u hap në vitin 1999, si shkolla e parë e këtij lloji në Fier. Janë 20 vite pune dhe përkushtimi të stafit pedagogjik dhe arritje të nxënësve të të gjitha cikleve shkollore të Institucionit arsimor "Numani". Nxënësit e kësaj shkollë kanë ardhur këtu fëmijë në kopsht dhe kanë mbaruar maturën. Kjo është një përgjegjësi e madhe sepse kemi në dorë edukimin e brezave të rinj. Nxënësit që kanë mbaruar studimet në shkollën tonë më pas kanë studjuar në universitetet më të mira shqiptare, por dhe jashtë vendit. Ata japin kontributin e tyrë në fusha të ndryshme të jetës.

Eda Merepeza