Pas shpërthimit të epidemisë së pneumonisë së shkaktuar nga koronavirusi i ri, në qytete të ndryshme italiane, si Romë, Milano, Napoli, Venecie etj., autoritetet e niveleve të ndryshme dhe qytetarët kanë shprehur solidaritet, për të mbështetur përpjekjet e popullit kinez në përballimin e virusit të ri.
Romë
Më 14 shkurt, një koncert i posaçëm u zhvillua në Presidencën Italiane. Në këtë aktivitet të organizuar me nismën e kreut të shtetit italian, pianistja kineze Ju Jin interpretoi shumë melodi të njohura në Kinë dhe botë.
"Epidemia është armikja jonë e përbashkët. Kemi besim për suksesin e përpjekjeve të Kinës në mposhtjen e virusit dhe garantimin e sigurisë publike ndërkombëtare", tha presidenti Sergio Mattarella para koncertit.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që presidenti Mattarella shpreh mbështetje për popullin kinez. Më 6 shkurt, ai bëri një vizitë në një shkollë fillore në Romë, ku studiojnë shumë nxënës kinezë. Ai shtrëngoi duart me nxënësit dhe foli me ta për të shprehur kundërshtimin ndaj panikut të panevojshëm.
Ndërsa më 8 shkurt, kryebashkiakja e Romës Virginia Raggi shkoi në një restorant kinez dhe hëngri drekë me pronarin kinez. Ajo me këtë rast i shprehu përshëndetje dhe solidaritet komunitetit kinez në kryeqytetin italian.
Milano
Më 7 dhe 8 shkurt, presidenti i rajonit të Lombardisë në Italinë Veriore Attilio Fontana dhe kryebashkiaku i qytetit Milano Beppe Sala bënë një vizitë në lagjet ku banojnë imigrantët kinezë, duke u shprehur mbështetje dhe urime. Gjatë vizitave, ata shijuan edhe ushqim kinez së bashku me përfaqësues të banorëve kinezë. Kryeadministratori i Milanos u shpreh se, para vështirësive dhe sfidave, duhet dialogu e bashkëpunimi dhe të nxitet miqësia midis dy popujve nëpërmjet krijimit të një komuniteti harmonik.
Në mbrëmjen e 9 shkurtit, në ndeshjen derbi të Milanos në Serie A, futbollistët e "Interit" kishin veshur bluza me shirit në krah, ku shkruheshin hieroglifet kineze me kuptimin "Forca, Kina!". Përveç kësaj, në ekranin gjigant LED të stadiumit "Giuseppe Meazza", pas stolit të "Interit", u shfaqën parullat për të shprehur mbështetje ndaj Wuhan-it në gjuhën angleze, si "Today and always", "Together as a team"etj. Në llogarinë e ekipit në medien sociale kineze "Sina" u postua më 8 shkurt një mesazh solidariteti me gjithë popullin kinez. Siç mësohet, klubi i "Interit" ka dhuruar 300 mijë euro për epiqendrën e epidemisë, Wuhan.
Napoli
Më 6 shkurt, në Napoli u organizua aktiviteti "Të përqafojmë kinezët". Në këtë aktivitet shumë qytetarë thërritën me zë të lartë fjalë mbështetjeje ndaj Wuhan-it dhe Kinës. Ata u shprehën se tani populli kinez është bashkuar për të përballuar epideminë. Megjithëse në disa krahina të Italisë ka pasur panik për shkak të thashethemeve dhe informacioneve të rreme, nëpërmjet raportimeve në vijim, gjithnjë e më shumë italianë kanë njohur realitetin e epidemisë dhe kanë respektuar përpjekjet radikale të Kinës. Ata janë të mendimit se Kina do ta mposhtë pa dyshim epideminë, prandaj dolën vullnetarisht për të marrë pjesë në këtë aktivitet.
Venecie
Mbi 7000 nxënësve në 56 institucione arsimore të Venecies iu ofrua më 13 shkurt një menu me gjellë kineze për të zhdukur paragjykimet lidhur me shpërthimin e koronavirusit. Siç mësohet, ky aktivitet është frymëzuar nga vizita e presidentit Mattarella te nxënësit kinezë, gjë që dërgoi një sinjal të qartë për bashkim, paqe dhe miqësi. Gjellët në menu përfshinin pilaf kantonez, mish pule me bajame dhe perime të tiganisura. Nxënësit përdorën shkopinj për të shijuar kuzhinën kineze.