Vitet e fundit, përpjekjet e qeverisë e të shoqërisë kineze po garantojnë që fëmijët e fshatit në vështirësi ekonomike të hanë falas ushqim të pasur e të pastër në shkollë.
Sipas një sondazhi të kryer para tetë vjetësh, fëmijët në zonat e varfra rurale nuk hanin ushqim të mjaftueshëm: mbi 40 % hanin vetëm dy vakte në ditë, 66.4 % nuk hanin mëngjes, 1/3 e fëmijëve nuk mund të hanin mish dhe 2/3 nuk mund të hanin vezë çdo muaj, 80 % nuk pinin qumësht. 35 % e të pyeturve hanin vetëm një lloj perimeje në ditë, si patate, lakër ose rrepë. Shumica prej tyre në drekë e shoqëronin orizin me turshi, salcë speci, madje edhe vetëm me kripë.
Prandaj, që nga vjeshta e vitit 2011, Ministria e Arsimit e Kinës zbatoi një plan për përmirësimin e cilësisë së ushqimit të nxënësve në shkollat nëntëvjeçare në fshatra, nëpërmjet ofrimit të subvencioneve të veçanta.
Deri në vitin 2017, nga ky program kanë përfituar 37 milionë fëmijë në tërë zonat e prekura nga varfëria në vend.
Përveç qeverisë, edhe shoqëria ka marrë pjesë në këtë çështje. Në prillin e vitit 2011, 500 gazetarë e dhjetëra medie kryesore kineze, si edhe Fondi i Mirëqenies Shoqërore i Kinës, nisën projektin "Drekë falas për fëmijët", për t'i ndihmuar fëmijët në nevojë të hanë drekë të ngrohtë falas.
Sipas Su Zhefang-ut, sekretare e përgjithshme e Fondit, organizata e saj ka bashkëpunuar me programin kombëtar në shumë shkolla, kryesisht në provincën Hubei e Hunan të Kinës Qendrore, dhe Yunnan e Sichuan në Kinën Jugperëndimore.
Programi qeveritar siguron dreka për nxënësit në arsimin e detyrueshëm, ndërsa Fondi i Mirëqenies Shoqërore financon ushqimin e fëmijëve dhe të stafit në arsimin parashkollor, duke ofruar ndihmë për rrogat e kuzhinierëve, blerjen e enëve të kuzhinës, shpenzimet e energjisë elektrike, të ujit, të lëndës djegëse etj.
Deri në fund të gushtit të këtij viti, mbi 310 mijë nxënës e mësues nga 1 223 shkolla kanë përfituar nga 500 milionë juanë subvencione të Fondit.
Për shembull, në shkollën Wumu të kontesë Maguan 80 nxënës gëzojnë subvencione qeveritare për ngrënie, ndërkohë që 38 fëmijëve parashkollorë u ofrohet drekë falas nga fondi privat.
Maguan-i është një ndër 27 kontetë më të varfra në provincën Yunnan, që ndodhet në kufirin midis Kinës e Vietnamit.
Shumë fëmijë detyrohen të jetojnë bashkë me gjyshërit e tyre, sepse prindërit e tyre kanë shkuar për të punuar në qytete të largëta. Mirëpo, brezi i vjetër nuk ka energji e as i kushton rëndësi shumëllojshmërisë ushqimore, dhe disa të mitur madje hanë pothuajse të njëjtën gjë për një javë gjatë pushimeve dimërore e verore.
Ndërsa menyja shkollore përfshin mish, perime dhe supë. Sipas z. Peng Zeshang, drejtor i shkollës Wumu, materialet ushqimore porositen një javë përpara dhe transportohen dy herë në javë nga kompanitë e caktuara.
Kur vijnë përbërësit për gatim, mësuesit kontrollojnë cilësinë për të garantuar që nuk janë prishur gjatë transportit, duke mbushur edhe formularët përkatës.
Të 11 mësuesit e shkollës së bashku caktojnë menynë një javë para bërjes së porosive për përbërësit. Ata duhet të gatuajnë edhe një herë në javë për nxënësit.
Drejtori Peng, 38-vjeçar, që nuk kishte gatuar asnjëherë më parë, u detyrua të lexonte libra me receta gatimi dhe të shihte programe video për të bërë ushqim të përshtatshëm, që përputhet me kërkesat e fëmijëve që rriten shpejt.
"Më 18 shtator, 80 nxënës me financim qeveritar dhe 48 të vegjël me mbështetjen e projektit 'Drekë falas për fëmijët' hëngrën një drekë me mish derri, rrënjë lotusi, patate të skuqura dhe supë kungulli. U përdorën 14.5 kg oriz, 8 kg rrënjë lotusi, 6.5 kg patate dhe 7 kg kungull. Shpenzimet ishin 444.2 juanë, 18 juanë prej të cilëve për vaj dhe kripë", shkruan mësuesi i matematikës Wang Zhiqiang, që përgjigjet për regjistrimin e të dhënave. Ai i publikon këto detaje për çdo drekë në miniblogun në internet, me foto të gjellëve dhe të fëmijëve që janë duke ngrënë ushqim në shkollën Wumu, për t'u raportuar dhuruesve si përdoren fondet e tyre.
Sipas Su Zhefang-ut nga Fondi i Mirëqenies, transparenca është parimi drejtues i projektit. Ndërsa mësuesi Wang u shpreh se informacionet që publikohen në internet, favorizojnë mbikëqyrjen, por edhe mund të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të internetit për të marrë pjesë në programe për të ndihmuar fëmijët në nevojë.
22-vjeçarja Li Xuewen, që punon në Pekin, dhuron 88 juanë (afro 13 dollarë) në muaj për projektin "Dreka falas për fëmijët". Ajo gëzohet shumë kur sheh në internet se fëmijët po hanë ushqim të shijshëm e të pasur në vlera ushqyese dhe është e bindur se dhurimi i saj, që mund të financojë drekën e 22 fëmijëve njëherësh, është përdorur si duhet.