Këtë vit janë dhënë 290 leje punësimi për shtetasit kinezë. Ata punojnë kryesisht në industrinë nxjerrëse të mineraleve, në fushën e naftës, gazit, minierave, pak në arësim dhe pjesa tjetër në shërbime dhe tregti. Janë kryesisht menaxherë, operatorë, administratorë, drejtorë marketingu, por dhe në arsim ku janë lektorë . Në totalin e lejeve të punës krahasuar me një vit më parë ka një rritje prej 20%, ndërsa numri i lejeve të punës dhënë shtetasve kinezë ka shënuar rritje prej 30%
Qysh nga viti 1992 tregtarët kinezë të shitjeve me pakicë dhe shumicë krijuan një zonë në kryeqytet që quhej rëndom tregu kinez. Kjo zonë shtrihet në Rrugën e Dibrës dhe numri i tregtarëve kinezë ka ardhur duke u rritur.
Kur hyn në dyqanet kineze të këtij tregu shpesh tregtarët i gjen duke përdorur celularin, ndoshta shkëmbejnë mesazhe me të afërmit në Kinën e largët. Ata të mirëpresin duke folur shqip dhe flasin pak për jetën e punën e tyre në Shqipëri. Të gjithë ndajnë mendimin se në Shqipëri ndjehen shumë mirë, se ju pëlqen ky vend për bukuritë e tij, njerëzit e dashur dhe mikpritës, ushqimin dhe klimën e mirë. Në dyqanet e tye qytetarët blejnë veshje, por dhe artikuj të tjerë si lodra fëmijësh, suvenire, këpucë etj, por këtu blejnë dhe tregtarë të shitjeve me pakicë dhe shumicë të këtyre mallrave nga kryeqyteti dhe qytete të tjera.
Njëra nga tregtaret flet pikërisht për këtë.
"Kam 24 vjet në Shqipëri. Më pëlqen këtu. Në fillim hapa një restorant dhe pastaj këtë dyqan. U mësova këtu tani. Kam 4 fëmijë, dy kanë lindur në Kinë dhe dy këtu, tre vajza dhe një djalë. Shesim mallra me shumicë dhe pakicë" tha njera nga tregtaret kineze.
Ndërsa një tregtar që ka 23 vite në Tiranë mendon se kjo ishte zgjedhja e duhur.
Tregtarët kinezë janë kryesisht familjarë dhe përveç shitjes jetojnë në kryeqytetin shqiptar si tiranasit e tjerë, duke jetuar në apartamentet pranë dyqaneve, duke rritur fëmijë e duke shijuar bukuritë natyrore të Shqipërisë. Por ndryshe nga vendësit ata çdo vit kthehen në atdhe për Festën e Pranverës.
Kryeqyteti shqiptar, Tirana, është "streha" e preferuar e të huajve që zgjedhin të krijojnë një jetë të re të nxitur nga lehtësia për biznes. Një tjetër faktor që nxit shtimin e tregtarëve është dhe kërkësa e tregut shqiptar për mallra kineze.
Sipas Institutit të Statistikave Shqipëria përgjatë katërmujorit të parë të vitit 2019 shënon rritjen më të madhe të importeve nga Kina. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë është 26.8 % më e lartë. Tregtarët kinezë të shitjeve me pakicë dhe shumicë prej gati 25 vjetësh jetojnë e punojnë në kryeqytetin shqiptar, duke ndarë me vendësit të njejtat probleme dhe kënaqësi dhe duke u ndjerë si në shtëpinë e tyre.
Eda Merepeza