Ditët e fundit, vendi i lashtë arkeologjik i Kinës, Liangzhu, u bë pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s gjatë sesionit të 43-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, në qytetin Baku të Azerbajxhanit. Kjo e çon në 55 numrin e vendeve në Kinë të cilësuara si trashëgimi botërore, duke e renditur Kinën të parën në botë.
"Ai (Liangzhu) konsiderohet si një ndër arritjet supreme të qytetërimit parahistorik të kultivimit të orizit në Kinë dhe Azinë Lindore 5000 vjet më parë dhe një shembull i shquar i qytetërimit të hershëm urban", thotë një raport nga Këshilli Ndërkombëtar mbi Monumentet dhe Vendet Arkeologjike (ICOMOS), organi këshillimor zyrtar i Komitetit të Trashëgimisë Botërore.
Vendi arkeologjik i qytetërimit Liangzhu (3300 p.e.s.-2300 p.e.s.) ndodhet në distriktin periferik të Hangzhou-t të provincës Zhejiang. Koha e tij përkon me të njëjtën periudhë të Mbretërisë së Vjetër në Egjiptin e lashtë dhe qytetërimit sumer në Mesopotami. Vendi arkeologjik, që përbëhet nga katër pjesë me një sipërfaqe prej 1433.66 hektarësh, cilësohet si "dëshmi konkrete për historinë 5000-vjeçare të qytetërimit kinez".
Gjatë kërkimeve arkeologjike janë zbuluar 13 mijë kilogramë oriz i karbonizuar dhe vegla të shumta bujqësore, si plug trekëndësh etj., që vërtetojnë se para 5000 vjetësh, banorët vendorë kishin kapërcyer kufizimet e mjeteve me rendiment të ulët, si lopata etj., duke hyrë në fazën më të lartë të prodhimit të orizit.
Jashtë qytetit të lashtë Liangzhu kishte një sistem ujor, që ishte i përbërë nga 11 diga të larta. Sistemi shërbente për parandalimin e përmbytjeve dhe të gërryerjes së tokës, transportin ujor, ujitje dhe mbrojtjen e cektinave të punueshme. Ai është ndër sistemet më të hershme ujore në botë e më i madhi në përmasa, si edhe sistemi më i hershëm i digave për parandalimin e përmbytjeve në botë.
Në zonën e banimit Yaoshan, kinezët e lashtë ndërtuan mbi tokë të sheshtë në majat e maleve altarë katrorë sakrifice, që u përdorën më vonë si varreza. Në këto varreza u zbuluan produkte të shumta nefriti, të krijuara me mjeshtëri të lartë artistike.
Këto vërtetojnë ekzistencën e një vendi në rajon me një sistem të unifikuar besimi që mbështetej te bujqë
sia e kultivimit të orizit të periudhës së neolitit të vonshëm në Kinë, si dhe të një qytetërimi urban me struktura dhe funksione të plota ekonomiko-shoqërore.
"Gjetja e qytetit të lashtë Liangzhu është një ndër zbulimet kryesore arkeologjike të Kinës në shekullin e 20-të. Ai është një vend i rëndësishëm kulturor që dëshmon qytetërimin 5000-vjeçar kinez", tha z. Liu Yuzhu, drejtor i Administratës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të Kinës.
"Ndihemi krenarë për faktin se, pas përgatitjesh që zgjatën 25 vjet, përpjekjet tona më në fund dolën me sukses. Më në fund, kjo pronësi e jashtëzakonshme, si dëshmi konkrete e qytetërimit 5000-vjeçar kinez, u përfshi në listën e trashëgimisë botërore nga UNESCO-ja", shtoi në sesion z. Sheng Yang, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në këtë organizatë botërore të kulturës.
Pjesëmarrësit në sesion e uruan delegacionin kinez për këtë arritje, duke vlerësuar vlerat kulturore-historike të Liangzhu-së.
"Ai është një vend i rëndësishëm kulturor që mban vlera historike dhe ka dhënë kontribut për qytetërimin njerëzor. Është në të vërtetë një trashëgimi e çmuar që pasuron listën e qytetërimit njerëzor", u shpreh Edmond Moukala, përgjegjës i Degës së Afrikës pranë Qendrës së Trashëgimisë Botërore.
Ai shtoi njëkohësisht se Kina ka bërë punë të shkëlqyer për mbrojtjen e pasurive të saj kulturore botërore.
"Mendoj se Liangzhu është edhe një shembull inkurajues që mund të na ndihmon jo vetëm në mbrojtjen e trashëgimisë, por edhe t'u mësojë popujve afrikanë të zotërojnë metoda përkatëse për mbrojtjen e vendeve arkeologjike. Shpresoj se mund të bashkëpunojmë me Kinën, duke mësuar nga ajo", tha Moukala.
Në të njëjtën ditë, edhe rezervatet e Kinës për zogjtë shtegtarë përgjatë bregdetit të Detit të Verdhë dhe të gjirit Bohai, u përfshinë në listën e trashëgimisë natyrore botërore.
Vendi ndodhet në rajonin ekologjik të Detit të Verdhë, ku gjendet lingjeri më i gjatë bregdetar në botë. Ai është ndalesa kyçe e itinerarit të shtegtimit të zogjve midis Azisë Lindore dhe Australisë dhe ka 280 lloje peshqish dhe mbi 500 lloje jokërbishtorësh, duke ofruar burime të pasura ushqimore për miliona zogj shtegtarë.
Tani, Kina ka 55 trashëgimi botërore, duke përfshirë 37 kulturore, 14 natyrore dhe 4 kulturore-natyrore.
Siç mësohet, në të njëjtin sesion që u zhvillua në Azerbajxhan, u miratua edhe propozimi për shpalljen pasuri botërore të pjesës shqiptare të rajonit të liqenit të Ohrit.