Intervistë me drejtorin e palës shqiptare të Institutit Konfuci në Tiranë, Erion Malaj

CMG: Instituti Konfuci i Tiranës ka zhvilluar kohët e fundit mjaft veprimtari. Cilat prej tyre do të veçonit?

Erion Malaj: Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Institutin Konfuci dhe për marrëdhëniet shqiptaro-kineze, sepse përkon me 70 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe. Instituti Konfuci është i vetmi institucion arsimor dhe kulturor, që shërben për promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze në Shqipëri. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë, të cilët nuk kanë shumë mundësi të tjera për t'u njohur me Kinën, me historinë apo me kulturën kineze. Kjo e bën shumë të rëndësishme punën tonë por dhe me përgjegjësi të madhe për faktin se duhet të mbulojmë jo vetëm Tiranën, ku ne operojmë, por në tërësi të gjitha qytetet e vendit. Pikërisht tani ne jemi fokusuar në një zgjerim të mundshëm të Institutit Konfuci në disa qytete të tjera . Paraprakisht po ju vë në dijeni që Vlora do të jetë rijësia e radhës përsa i përket leksioneve për gjuhën dhe kulturën kineze, ku një pedagog do të qëndrojë në Vlorë. Kjo do të përmbushë një kërkesë të madhe që kemi patur nga qytetarët vlonjatë për të studjuar gjuhën dhe kulturën kineze. Menjëherë pas këtij hapi do të shohim dhe mundësi të tjera promovimi.

Ndërkohë në Universitetin e Tiranës ka një rritje të vazhdueshme të interesit për të studjuar gjuhën kineze. Një nga arësyet kryesore është mundësia e studimit të mëtejshëm në Kinë, bëhet fjalë për studime pasuniversitare që mundësohen nga bursat e ofruara nga Instituti Konfuci, si dhe atyre të ofruara nga qeveria kineze nëpërmjet ambasadës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

CMG: Një nga veprimtaritë kulmore të Institutit Konfuci, e pasqyruar gjerësisht nga media shqiptare është dhe Konkursi "Chinese Bridge". Si e vlerësoni këtë veprimtari?

Erion Malaj: "Chinese Bridge" është një konkurs për njohuritë në gjuhën kineze, i ndërthurur me njohuritë mbi artin që duhet të ketë një student i Institutit Konfuci. Për këtë arësye në çdo vend të botës organizohet ky konkurs dhe fituesi i "Chinese Bridge" përfaqëson në rang global vendin e tij në konkursin final, që organizohet në Kinë.

Në Shqipëri është hera e tretë që ne organizojmë konkursin "Chinese Bridge" në bashkëpunim me Ambasadën kineze. Ka patur një interesim të madh nga studentët . Në fazën e tretë u përfshinë 60 kandidatë, të cilët u përgjysmuan në fazën e dytë dhe në fund u përzgjodhën 10 finalistë, të cilët konkuruan për vendin e parë dhe të dytë. Kemi parë në krahasim me vitet e tjera një punë shumë herë më cilësore nga studentët, jo vetëm përsa i përket njohjes së gjuhës kineze, por dhe të artit. Përshembull pamë punime artistike të studentëve si piktura, të bazuara në Kinën e lashtë, apo në kostumografinë kineze. Gjithashtu studentët paraqitën kërcime tradicionale kineze, por dhe aktivitete të tjera të cilat janë të lidhura ngushtë me artin në përgjithëi dhe në veçanti me Kinën. Do të përmend këtu kërcimin, apo paraqitja e maskave të Operas së Pekinit , që ishin të veçanta për publikun shqiptar.

 

CMG: Kohët e fundit një delegacion i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit vizitoi Tiranën. Cfarë mund të na thoni rreth kësaj vizite?

Erion Malaj:Eshtë gjithmonë kënaqësi për ne kur një delegacion nga Kina viziton Tiranën. Në rastin e delegacionit nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit, që është partner i Universitetit të Tiranës, qëllimi i vizitës ishte organizimi dhe mbarëvajtja e mbledhjes së bordit të Institutit Konfuci për të analizuar punën e tij gjatë këtij viti. Delegacioni pati njëkohësisht një sërë takimesh me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, por dhe me Universitetin e Vlorës, sepse po organizohen disa konferenca shkencore, në kuadër të 70 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe.

Delegacioni kinez ishte i nivelit të lartë dhe për këtë qëllim u organizuan takime të nivelit të lartë në Tiranë dhe Vlorë ku miqtë kinezë u takuan me zëvendëskryetarin e Bashkisë, rektorin e Universitetit.

CMG: Si e vlerësoni ndihmesën e palës kineze për krijimin dhe mbarëvajtjen e Institutit Konfuci?

Erion Malaj: Mendoj që mbështetja dhe ndihma e palës kineze është themelore për mbarëvajtjen e Institutit Konfuci. Jam i bindur që pa rëndësinë e veçantë që i jepet Institutit, qoftë nga Universiteti si partner, por dhe gjithashtu nga Institutet Konfuci në mbarë botën, ne nuk do të mund të vazhdonim normalisht punën tonë. Kjo bëhet e mundur jo vetëm falë mbështetjes financiare, por dhe mbështetjes akademike që na ofrohet. Aktualisht ne kemi 6 pedagogë të gjihës kineze dhe një pedagog lokal shqiptar, i cili kontribuon në mësimin e gjuhës kineze në Shqipëri. Kjo ka sjellë rritjen e interesimit të studentëve shqiptarë, madje dhe të atyre që e kanë gjuhën kineze si lëndë me zgjedhje. Pra këta studentë marrin në këmbim 4 kredite, në rast të përfundimit me sukses të gjuhës kineze. Sivjet kemi patur numrin më të lartë të studentëve nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, sepse 60 studentë kanë zgjedhur gjuhën kineze si lëndë me zgjedhje.

CMG: Në këtë vit të 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës janë organizuar veprimtari të shumta nga Ambasada e Kinës. Po Instituti Konfuci çfarë veprimtarish të tjera pritet të organizojë ?

Erion Malaj: Gjatë gjithë vitit do të ketë aktivitete kushtuar 70 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Duhet theksuar se miqësia diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës është e vjetër dhe kjo tregon se ka kaluar jo vetëm momente të mira, por dhe të vështira.Tashmë marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë po avancojnë me vrull, kjo dhe falë dëshirës dhe besimit të të dyja palëve se bashkërisht mund të punohet dhe të shkohet në drejtimin e duhur gjatë gjithë këtij viti dhe në vijim.

Ky 70 vjetor është i rëndësishëm për ne sepse dhe studentët kanë shprehur dëshirën për sa më shumë aktivitete artistike, kulturore por edhe sportive. Këtë vit kemi organizuar dhe një kampionat futbolli për meshkuj dhe së shpejti do të organizojmë një kampionat volejbolli për femra. Ne besojmë se edhe sporti i afron popujt dhe këtë e kemi vënë re në momente të ndryshme të historisë ku sporti i ndërthurur me politikën kanë arritur që të forcojnë marrëdhëniet midis dy vendeve.

Jemi të lumtur që në të gjitha veprimtaritë, që nga kremtimi i Festivalit të Pranverës e në vijim studentët kanë shfaqur interesim të veçantë për këto aktivitete, me rastin e 70 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë.

Eda Merepeza