Në natën e 17 qershorit, Wang Tun dëgjoi një sirenë të mprehtë alarmi në qytetin Chengdu, kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore. "Do të bjerë shumë shpejt tërmet", tha me vete Wang. Alarmi është pjesë e një sistemi për paralajmërimin e tërmeteve (EEW) të studiuar nga Wang-u në bashkëpunim me Institutin e Kujdesit të Jetës (LCL).

Në 22:55 të asaj nate, një tërmet prej gjashtë ballësh sipas shkallës Rihter goditi distriktin Changning, rreth 300 kilometra larg nga Chengdu-ja, duke shkaktuar të paktën 13 të vdekur dhe 220 të plagosur.

Por, para se të ndienin valët e tërmetit që do të mbërrinte nga Changning-u, banorët në qytetin Chengdu dëgjuan paralajmërimin në televizion e celularë dhe sirenat e alarmeve nëpërmjet altoparlantëve.

Altoparlantët ishin instaluar në 60 lagje të Chengdu-së. Në natën e rënies së tërmetit, banorët vendorë morën alarm 61 sekonda para se të ndienin valët sizmike.

"Deri tani, sistemi ynë i paralajmërimit nuk pa pasur asnjë dështim dhe si sistemi më i madh në botë, ai mbulon 2.2 milionë kilometra katrorë sipërfaqe", u shpreh Wang, duke theksuar aftësinë, përgjegjësinë dhe mundësinë e grupit të tij për t'u shërbyer më shumë vendeve që vuajnë shpesh nga tërmetet, sidomos atyre përgjatë "Një brez, një rrugë".

Pikënisja me vështirësi

Kur ra tërmeti i tmerrshëm më 12 maj të vitit 2008 në zonat Wenchuan të Kinës Jugperëndimore, duke lënë mbi 80 mijë të vdekur e të zhdukur, Wang-u po merrej me studimet e tij të pasdoktoraturës mbi fizikën teorike në Akademinë Austriake të Shkencave.

Pasi mësoi për katastrofën e shkaktuar nga tërmeti, Wang-u mori vendimin të kthehej në Kinë për të kryer studimet mbi paralajmërimin sizmologjik, sepse ishte i bindur se studimet e tij ndërdisiplinare dhe teknikat studimore mund të ndihmojnë në këtë mision.

Me afro 430 mijë dollarë amerikanë fonde të mbedhura nga të afërmit dhe miqtë, Wang krijoi ICL, një ndër laboratorët kryesorë në Chengdu që merren me sistemin e paralajmërimit të tërmeteve.

"Para 11 vjetësh, rreth 70 mijë banorë humbën jetën nga tërmeti në Wenchuan. Meqë unë jam nga Sichuan-i, ndieja përgjegjësinë për të bërë diçka për vendlindjen time", shton Wang-u, duke vënë në dukje se kur nisi studimet e reja, në Kinë nuk kishte asnjë bazë të paralajmërimit të tërmeteve, ndërsa në Japoni e Meksikë ishin krijuar prej kohësh sisteme të tilla.

Gjatë fazës filletare, Wang pohoi se problemi më i madh ishte mungesa e financimeve. Madje njëherë në llogarinë e laboratorit të tij kishin mbetur vetëm 1.4 juan (më pak se 0.2 $).

Asaj kohe, nuk kishte asnjë dëshmi që mund të vërtetonte efektshmërinë e teknologjisë së tij dhe shumë njerëz kishin dyshime të thella: a është e mundur të ishte efektiv një sistem që nuk ishte arritur të krijohej as prej Administratës Sizmologjike e Kinës?

Në vitin 2011, me një ekip prej 60 studiuesish ndërdisiplinorë, instituti vuri në zbatim sistemin, duke paralajmëruar për herën e parë tërmetin. Deri tani, rrjeti vëzhgues që mbulon një sipërfaqe 2.2 milionë kilometra katërorë , ka lëshuar alarme për 52 tërmete ose pasgoditje. Sipas Wang-ut, përkushtimi 11-vjeçar i ekipit të tij e ka bërë Kinën një ndër vendet udhëheqëse në fushën përkatëse.

Udhëheqje dhe ndihmë

Japonia është një ndër vendet që pësojnë më shumë tërmete në botë. Ajo nisi sistemin e saj të paralajmërimit sizmologjik në internet në vitin 2007 me mbi 1000 sizmografë të shpërndarë në mbarë vendin që përgjigjen për dërgimin e alarmeve pas analizës së informacionit nga epiqendrat. Në krahasim me sistemin në Japoni, laboratori i Wang-ut ka rreth 5700 sizmografë, duke mbuluar 90 % të popullsisë në zonat më të prekura nga tërmeti në Kinë. Ndërkohë, ky sistem reagon 30 % më herët se ai japonez.

Me teknologjinë dhe përvojën e pasur, ICL nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë Nepaleze të Shkencave dhe të Teknologjisë në maj të vitit 2015, për të bërë të mundur përdorimin e këtij sistemi pas goditjes nga një tërmet prej 7.8 ballësh në prillin e atij viti. Megjithatë, deri tani, Nepali nuk e ka provuar efektshmërinë e sistemit, sepse meqë sistemi origjinal bazohet mbi karakteristikat e tërmeteve në Sichuan, që shoqërohen me shumë pasgoditje, duhet kohë dhe studime më tej për ta përshtatur më mirë me situatën në Nepal. Sipas z. Wang, deri tani, edhe një vend nga Afrika dhe Azia Jugore kanë shfaqur interes për shfrytëzimin e sistemit të tij.

Debate për ICL

Megjithëse mediat kineze e vlerësuan lart sistemin e Wang-ut, disa ekspertë shprehën dyshime për zmadhimin e efekteve të raportuara në media.

Sun Shilong është një studiues nga Qendra e Rrjetit Vëzhgues të Tërmeteve e Kinës. Ai kritikoi se mediat mund ta keqdrejtojnë publikun nëpërmjet teprimit me efektshmërinë e sistemit. "Këtë herë, Chengdu-ja e mori alarmin 60 sekonda para mbërritjes së valëve sizmike, ndërsa shpejtësia e këtyre valëve është 6 milje për sekondë. Por qyteti ndodhet 360 kilometra larg epiqendrës, gjë që do të thotë se ai nuk ndodhet në zonën e prekur më rëndë nga goditjet. Prandaj, nuk mund të thuash se sistemi ka pakësuar pasojat", tha z. Sun. Përveç kësaj, ai kritikoi edhe qëllimet për përfitime ekonomike të shpikësve.

Lidhur me këtë, Wang Tun shprehu kundërshtimin e vet:

"Mund të kuptosh rëndësinë dhe domosdoshmërinë e këtij sistemi me të lexuar shumë komente të bëra nga përdoruesit e internetit, të cilët thanë se alarmi u kujtoi dhe u mundësoi të gjenin në kohë vende të përshtatshme për t'u fshehur dhe të mos kishin panik kur erdhi tërmeti. Prandaj, sistemi ynë ka dy funksione, që përkatësisht janë, të ndihmojë njerëzit të shpëtojnë nga rreziqet e mundshme dhe ta qetësojë publikun."

Për sa u përket interesave ekonomike, Wang u shpreh se për përdorimin publik dhe banorët e thjeshtë, ky sistem është falas. Por, centralet e prodhimit të energjisë, hekurudha me shpejtësi të lartë, platformat e nxjerrjes së naftës, uzinat kimike etj., që dëshirojnë të mbyllin automatikisht sistemin e tyre para mbërritjes së valëve sizmike, duhet të blejnë pajisjet. "Natyrisht, qëllimi komercial është i pashmangshëm", tha Wang Tun.