Jeffrey Sachs është profesor dhe drejtor i Qendrës për Zhvillim të Vazhdueshëm të Universitetit të Kolumbias në ShBA. Në një koment të botuar ditët e fundit në uebsajtin e CNN-it, ai shtjellon me logjikë të qartë dhe fakte të pamohueshme opinionet e tij për fërkimet e tanishme tregtare midis Kinës dhe ShBA-së. Në vijim është artikulli i plotë.
Kina nuk është armike. Ajo është një vend që përpiqet të ngrejë nivelin e jetesës së popullit nëpërmjet arsimit, tregtisë ndërkombëtare, investimeve infrastrukturore dhe përmirësimit të teknologjisë. Shkurt, ajo po bën atë që çdo vend duhet të bëjë kur ballafaqohet me realitetin historik të të qenit i varfër dhe pas vendeve më të zhvilluara. Por, administrata e Trumpit po synon ndalimin e zhvillimit të Kinës, gjë që mund të bëhet katastrofike për ShBA-në dhe mbarë botën.
Kina po përdoret si "kokë turku" për pabarazinë në ShBA. Ndërsa marrëdhëniet tregtare kino-amerikane kanë sjellë përfitime të ndërsjella përgjatë viteve, disa punëtorë amerikanë nuk kanë përfituar, sidomos ata nga fabrikat në pjesën qendrore-perëndimore të ShBA-së, para konkurrencës së shkaktuar nga produktiviteti i lartë e kostoja relativisht e ulët (ndonëse në rritje) në Kinë. Po, në vend të kritikojmë Kinën për këtë konkurrencë normale, duhet të tatojmë më shumë korporatat tona të mëdha shumëkombëshe dhe t'i përdorim këto të ardhura për të ndihmuar punëtorët e thjeshtë, për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar, për të përhapur mjeshtëri të reja profesionale dhe për të investuar në shkencën e teknologjinë e përparuar.
Duhet të kuptojmë se Kina vetëm po përpiqet të kapë kohën që ka humbur në dështimin ekonomik të shkaktuar nga arsye gjeopolitike. Ja sfondi i vlefshëm historik për të kuptuar zhvillimin ekonomik të Kinës në 40 vjetët e kaluar.
Në vitin 1839, Britania sulmoi Kinën për shkak se ajo nuk pranoi të lejonte tregtarët britanikë të shisnin opium. Britania fitoi në Luftën e Parë të Opiumit në vitin 1842 dhe dështimi i Kinës së turpëruar pjesërisht është shkaktarja e një kryengritjeje masive kundër dinastisë Qing që quhet Rebelimi Taiping, gjatë së cilës mbi 20 milionë veta humbën jetën. Ndërsa Lufta e Dytë e Opiumit kundër Britanisë dhe Francës solli përsëri gërryerjen e fuqisë dhe stabilitetit të brendshëm të Kinës.
Në fund të shekullit të 19-të, Kina u mund nga Japonia, një fuqi e re industriale, duke iu nënshtruar kërkesave të tjera të njëanshme nga Europa dhe ShBA-ja për tregtinë. Këto poshtërime shkaktuan një tjetër rebelim, që dështoi prej ndërhyrjes së fuqive të huaja.
Dinastia Qing përfundoi në vitin 1911 dhe pas kësaj, në Kinë mbizotëruan komandantët ushtarakë, konfliktet e pandërprera dhe pushtimi japonez që filloi në vitin 1931. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore u ndoq nga turbullirat e luftës civile, dhe më pas erdhi krijimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, uria në përmasë kombëtare (që përfundoi në vitet '60) e Revolucioni i Madh Kulturor e pasojat e tij deri në vitin 1977.
Zhvillimi i shpejtë i Kinës në bazë të rregullave të tregut nisi në vitin 1978, kur Ten Hsiao Pini erdhi në fuqi dhe filloi reformat ekonomike. Pavarësisht se Kina ka pasur rritje mahnitëse në katër dedadat e kaluara, por pasojat e krijuara në mbi një shekull varfëri, paqëndrueshmëri, pushtim dhe kërcënim i huaja nuk janë zhdukur. Udhëheqësit kinezë dëshirojnë të veprojnë në mënyrë të drejtë, gjë që do të thotë se ata nuk dëshirojnë t'i përulen përsëri ShBA-së ose fuqive të tjera perëndimore.
Kina tani është ekonomia e dytë më e madhe në botë nga PBB-ja. Mirëpo, ajo është edhe në rrugën drejt eliminimit të varfërisë. Në vitin 1980, sipas të dhënave të FMN-së, PBB-ja për frymë në Kinë ishte vetëm sa 2.5 % e asaj të ShBA-së dhe në vitin 2018, shifra ishte vetëm 15.3 %. Po të llogaritet sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP), nëpërmjet përdorimit të një grupi "çmimesh ndërkombëtare" për të matur sasinë e PBB-së së një vendi, të ardhurat për frymë në Kinë janë pak më shumë se 28.9 % e atyre të banorëve të ShBA-së.
Kina ka ndjekur pothuajse të njëjtën strategji zhvillimi ekonomik si Japonia, Koreja e Jugut, Singapori etj., që u zhvilluan më herët se ajo. Nga këndvështrimi ekonomik, ajo nuk bën asgjë të ndryshme nga vendet e tjera që përpiqen të zhvillohen. Refreni i palës amerikane për "vjedhjen" e teknologjisë është shumë thjeshtëzues.
Vendet që kanë mbetur prapa e përmirësojnë teknologjinë e tyre në mënyra të shumta, si studimi, imitimi, blerjet, bashkimet, investimet e huaja, përdorimi i gjerë i njohurive që nuk kanë patentë dhe kopjimi. Lidhur me çdo teknologji që është në ndryshim të shpejtë, gjithmonë ka luftë për të drejat e pronësisë intelektuale. Kjo është e vërtetë edhe për kompanitë amerikane deri më sot dhe një konkurrim i tillë është vetëm një pjesë e sistemit ekonomik global. Udhëheqësit teknologjikë e dinë se ata nuk duhet të mbështeten te proteksionizmi, por duhet të zhvillohen nëpërmjet inovacionit të vazhdueshëm.
ShBA-ja e përdorte vazhdimisht teknologjinë britanike në vitet e para të shekullit të 19-të. Tani, çdo vend që dëshiron të mbushë hendekun teknologjik, rekruton talente nga bota. Programi i raketave balistike amerikane, siç e dimë, u ndërtua me ndihmën e ish-shkencëtarëve nazistë pas Luftës së Dytë Botërore.
Nëse Kina do të ishte një vend aziatik me më pak popullsi, si për shembull si Koreja e Jugut me afro 50 milionë banorë, ajo do të vlerësohej nga ShBA-ja si një sukses i madh. Por, meqë është kaq e madhe, Kina sfidon pretendimin e ShBA-së për të sunduar këtë botë. Në fund të fundit, popullësia amerikane është më pak se një e katërta e asaj kineze. E vërteta është se sot asnjë vend nuk mund të dominojë tërë botën, kur teknologjia dhe njohuritë po përhapen në botë shumë më shpejt sesa më parë.
Tregtia me Kinën u ofron konsumatorëve amerikanë mallra të lira me cilësi të mirë. Ajo shkakton edhe humbje të vendeve të punës në prodhimet që konkurrojnë me Kinën. Kjo është mënyra si funksionon tregtia ndërkombëtare. Akuza ndaj Kinës për pandershmëri është e gabuar, sepse shumë kompani amerikane kanë përfituar nga prodhimi në Kinë ose nga eksportimi i mallrave të tyre atje. Ndërkohë, konsumatorët amerikanë gëzojnë produkte të lira kineze, duke ruajtur nivelin e jetesës së tyre. ShBA-ja dhe Kina duhet të vazhdojnë të negociojnë dhe të përmirësojnë rregullat në tregtinë dypalëshe dhe shumëpalëshe, por jo të nisin një luftë tregtare me kërcënime të njëanshme dhe akuza të zmadhuara.
Një ndër mësimet bazë të teorisë, praktikës dhe politikës tregtare është që tregtia që nuk duhet ndaluar, përndryshe do të kishte ulje të nivelit të jetesës, krizë ekonomike dhe konflikte. Prandaj, duhet të ndajmë përfitimet e rritjes ekonomike, kështu që fituesit të mund të kompensojnë të prekurit.
Mirëpo, në kapitalizmin amerikan që ka devijuar prej kohësh frymës së bashkëpunimit, fituesit e tanishëm refuzojnë të ndajnë fitimet e tyre. Si pasojë e mungesës së ndarjes, qarqet politike amerikane janë plot konflikt mbi çështje tregtare. Lakmia mbizotëron në mënyrë të gjithanshme politikat e Uashingtonit.
Beteja e vërtetë duhet të zhvillohet jo me Kinën, por me kompanitë tona gjigante, shumë prej të cilave fitojnë pa u paguar punëtorëve rrogën e duhur. Udhëheqësit amerikanë të biznesit dhe shtresa e shumë të pasurve propozojnë ulje të mëtejshme të taskave, më shumë fuqi monopoli dhe transferim më të madh të prodhimit jashtë vendit - gjithçka që mund të garantojë fitime më të mëdha - duke kundërshtuar edhe çdo politikë që synon barazi në shoqërinë amerikane.
Trump-i po sulmon Kinën, duke besuar se ajo do t'i nënshtrohet një fuqie perëndimore. Ai po kërkon të shkatërrojë kompani të suksesshme kineze, si "Huawei" nëpërmjet ndryshimit të njëanshëm dhe të papritur të rregullave të tregtisë ndërkombëtare. Kina ka vepruar sipas rregullave perëndimore në 40 dekadat e fundit, duke bërë përparim siç bënë aleatët aziatikë të ShBA-së në të kaluarën. Tani ShBA-ja po përpiqet të pengojë Kinën nëpërmjet nisjes së një Luftë të Ftohtë të re.
Po të mos triumfojë mençuria, mund të kemi konflikte me Kinën, së pari në fushën ekonomike, pastaj atë gjeopolitike dhe ushtarake, me pasoja katastrofale për të gjithë. Në një konflikt të tillë, nuk do të ketë fitues. Mirëpo, mendja e cekët dhe korrupsioni i politikës amerikane po na çojnë në këtë rrugë.
Një luftë tregtare me Kinën nuk do të zgjidhë problemet tona ekonomike. Në vend të saj, ne duhet të gjejmë zgjidhje te vetvetja: kujdes i përballueshëm shëndetësor, shkollim më i mirë, infrastrukturë e modernizuar, ngritje e nivelit minimal të pagave dhe goditje ndaj lakmisë së korporatave. Gjatë këtij procesi, duhet të mësojmë se mund të fitojmë më shumë nëpërmjet bashkëpunimit me Kinën, jo provokimeve të pamatura.