Intervistë për Radio Ejani e ish ministrit të jashtëm shqiptar, prof. Paskal Milo

CMG:Ju, prof. Milo keni drejtuar diplomacinë shqiptare në vitet 1997-2001 dhe më pas Ministrinë e Integrimit. Në prag të 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës, si i vlerësoni ato?

Paskal Milo: Ky 70 vjetor që është një vit jubilar në marrëshëniet shqiptaro kineze, sjell rastin për të bërë jo vetëm ceremoni, por dhe një bilanc të arritjeve në fushën e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, të cilat kanë kanë një histori të gjatë dhe një histori suksesi. Në një vështrim historik të këtyre marrëdhënieve mund të themi se janë dy popuj që kanë ushqyer simpati dhe respekt për njeri-tjetrin, dy popuj që në situata të komplikuara të periudhës së Luftës së Ftohtë kanë qenë afër njeri-tjetrit dhe janë përpjekur të bashkëpunojnë dhe ndihmojnë njeri-tjetrin.

Shqiptarët dhe kinezët kanë arritur të mbrojnë një miqësi, e cila u ka rezistuar edhe brezave që kanë kaluar, duke përcjellë në kohën tonë mesazhe të forta për ta zhvilluar më tej këtë miqësi dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Unë besoj se shqiptarët dhe kinezët sot, pavarësisht se i ndan një distancë e largët, vazhdojnë të jenë afër me njeri-tjetrin, sepse nyja lidhëse historike midis popujve është trashëguar, zhvilluar dhe do të jetë e tillë edhe në të ardhmen. Prandaj Shqipëria ka nevojë të zhvillojë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me Kinën, t'i thellojë ato në të gjitha aspektet , sepse Kina si një fuqi e madhe globale dhe Shqipëria një vend i vogël evropian në këtë treg global, por që për nga zhvillimet teknologjike sa global aq edhe i vogël është, marrëdhëniet janë gjithnjë të mundshme, të realizueshme.

Unë mendoj që Kina edhe pse shumë e madhe, ka vend dhe interes në Shqipëri për të qenë më e pranishme në të gjitha pikpamjet, jo vetëm në promovimin e kulturës së lashtë apo moderne kineze, me vlera të jashtëzakonëshme , por dhe me praninë më të shtuar të bashkëpunimit ekonomik të Kinës. Shqipëria ështëë një vend që ka nevojë, resurse dhe fusha ku mund të investohet me shumë sukses, për të mirën e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, por dhe për të patur një marrëdhënie të balancuar në fushën e interesave të ndërsjellta .

CMG: Kina është ekonomia e dytë botërore. Nisma e qeverisë kineze "Një brez, një rrugë" si dhe Mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilës gjatë Samitit të Kroacisë në prilli u bashkua dhe Greqia janë platforma të shtimit të bashkëpunimit. Njëherësh këto nisma janë mundësi për shtimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kinës, duke qenë Kina një ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, ndonëse ka ende potenciale ku mund të shtohet bashkëpunimi. Cili është opinioni juaj për këtë?

Paskal Milo: Unë jam në dijeni dhe i kam ndjekur me shumë vëmendje nismat kineze . Gjithashtu kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe e kam përshëndetur si një hapje të Kinës ndaj vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore , ndaj Evropës në tërësi dhe në këtë kuadër dhe ndaj Shqipërisë-

Kjo hapje e Kinës duhet parë me pozitivitet sepse është e natyrshme që një vend i madh e i zhvilluar si Kina të ketë interesat e tij, të cilat në përputhje me interesat e vendeve të tjera sjellin vetëm zhvillim, paqe dhe bashkëpunim. Ndaj do të dëshiroja që ta shikoja Shqipërinë në një marrëdhënie më të ngushtë me Kinën në të gjitha fushat, por në mënyrë të veçantë në bashkëpunimin ekonomik .

Unë do të shprehja kënaqësinë time po të shihja që investimet kineze do të vijnë duke u rritur në Shqipëri, sepse Shqipëria ka mjaft fusha me interes për bashkëpunim të ndërsjelltë. Po ashtu edhe Kina me potencialet e fuqishme ekonomike dhe financiare mund t'i ofrojë Shqipëris

ë shanse të mëdha zhvillimi përmes investimeve të saj . Shpresoj dhe uroj që ky trend pozitiv që ka nisur, të ecë me ritme më të shpejta dhe më konkrete.

CMG: Jemi në prag të sezonit veror dhe nga të dhënat e vitit të kaluar del se heqja e vizave për turistët kinezë gjatë verës nga qeveria shqiptare rezultoi e suksesshme, duke shënuar një rritje 60% të fluksit të këyre turistëve. Mendoni që heqja e vizave për sezonin turistik, ndoshta dhe heqja fare e tyre për shtetasit kinezë, do të ndikojë në rritjen e turizmit në Shqipëri ?

Paskal Milo: Patjetër që Shqipëria ka nevojë të hapet në drejtim të miqve dhe partnerëve të besueshëm të saj historikë dhe Kina është një ndër këto vende. Besoj se qeveria shqiptare do të jetë mjaftueshëm e ndërgjegjëshme për pozitivitetin që përfaqëson një bashkëpunim i shtuar i vendeve tona dhe në fushën e turizmit. Shteti shqiptar duhet të krijojë kushte më të mira për të lehtësuar ardhjen jo vetëm të turistëve kinezë, por edhe të investitorëve, tregtarëve kinezë. Pra të krijohen mundësi maksimale për t'i sjellë Shqipërisë shanse të reja zhvillimi dhe prosperiteti. Nga kjo pikpamje dhe heqja e vizave për shtetasit kinezë jo vetëm gjatë sezonit turistik, një heqje e vizave të dyanëshme do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe ata që do të përfitonin nga heqja e ndërjelltë e vizave, në radhë të parë do të ishin Shqipëria dhe shqiptarët.

CMG: Javën e kaluar në Pekin u mbajt Konferenca për Dialogun midis Qytetërimeve. Presidenti Xi Jinping tha se "shkëmbimet e Kinës me vendet e BE-së dhe më gjerë janë zgjeruar dhe kjo është pozitive". Në erën e globalizmit, ju edhe si historian, si e konsideroni përpjekjen e Kinës për rritjen e shkëmbimeve midis qytetërimeve?

Paskal Milo: Qytetërimi kinez është në themelet e qytetërimit botëror, i cili ka qenë dhe mbetet një pikë reference e rëndësishme për të gjitha qytetërimet e tjera. Pa qytetërimin kinez sot nuk mund të konceptohet e ardhmja e qytetërimeve botërore, sepse Kina për nga dimensionet dhe influenca që ka është padyshim një nga aktorët më të mëdhenj të epokës së sotme globale. Si e tillë Kina rrezaton influencë dhe qytetërim në të gjitha anët e botës.

Fakti që një konferencë e tillë është zhvilluar dhe besoj dhe shumë të tjera do të zhvillohen në të ardhmen, duke krijuar mundësi shkëmbimi përvojash midis qytetërimeve, është një zhvillim i natyrshëm në një botë globale. Prandaj mendoj se Kina ka vendin e saj gjithnjë e më të respektuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe në terma më të përgjithëshme edhe në marrëdhëniet midis qytetërimeve, sepse tashmë ajo është konfiguruar si një realitet i madh global, ekonomik, ushtarak dhe kulturor .

Uroj që në kuadër të 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona të vendosen bazamente të reja të një miqësie dhe partneriteti edhe më të madh në të ardhmen.

Eda Merepeza