Sportisti shqiptar, Enea Lapa, me origjinë nga Saranda ka arritur të shkëlqejë në “Austin Open”. Ai po ngjitet drejt majave në sportin Brazilian “Jiu Jitsu”, duke u shpallur zyrtarisht fituesi absolut në këtë kampionat, ku u rendit i pari në të gjitha peshat. “Brazilian Jiu Jitsu” është një nga artet marciale, shumë i njohur në Amerikë. Lapa aktualisht jeton dhe stërvitet në SHBA ku me talentin dhe përkushtimin e tij ai synon që të arrijë majat e këtij sporti. Në një intervistë për CMG, Enea tregon për fillimet e tij në këtë sport si dhe synimet për të ardhmen.

CMG: Në çfarë moshe keni shkuar në SHBA dhe si u integruat me jetën atje?

Enea Lapa: Në Amerikë erdha në moshën 26 vjeçare, dhe si fillim nuk ishte e thjeshtë për faktin e ndryshimit të mënyrës së jetesës, por në një kohë të shkurtër u ambientova dhe nuk më bënte më përshtypje.

CMG: Na flisni pak për sportin që ju ushtroni. Përse zgjodhët këtë sport dhe kur keni nisur të merreni me të?

Enea Lapa: Sporti që unë ushtroj në Amerikë quhet Brazilian Jiu-jítsu, dhe është një sport bazuar në kapje, hedhje përtokë dhe finalizime, duke u përqëndruar në mbajtjen e kundështarit nën kontroll në tokë. Këtë sport ma sugjeroi një miku im, i cili e kishte ushtruar për një kohë jo shumë të gjatë në Londër, por duke më treguar teknikat dhe efikasitetin e këtij sporti të veçantë, më bëri shumë kurioz për ta provuar vetë.

CMG: Cilat kanë qënë vështirësitë më të mëdha me të cilat jeni përballur gjatë rrugëtimit në këtë sport?

Enea Lapa: Ky sport nuk është fare i thjeshtë për arsyen se nuk bazohet në forcën fizike, por në përdorimin e teknikave dhe sistemin e levave. Pra, kur ti je fillestar, duhet ta lesh egon mënjanë dhe të mësosh hap pas hapi çdo teknikë të këtij sporti. Vështirësi të tjera janë dëmtimet, pasi është një sport me kontakt të plotë, ku në mungesën e grushtave dhe shqelmave ka mbytje dhe kyçje gjymtyrësh, ku mund të rezultojnë në dëmtime serioze (thyerje kockash, ndrydhje kyçesh, etj). Edhe për arsyen që unë këtë sport e fillova në moshë jo shumë të re, rreziku për dëmtime të tilla është i lartë.

CMG: Jeni vlerësuar me medalje ari dhe bronzi në “Austin Open”, cilat janë synimet që keni tani e tutje?

Enea Lapa: Synimet e mia për kampionatet në vijim janë mbrojtja e titullit botëror në peshën dhe brezin tim, dhe ai Pan Amerikan, i cili është i dyti më kryesor i këtij sporti.

CMG: Cilat janë objektivat për vitin 2022?

Enea Lapa: Objekttivat e mia pasi nuk jam emëruar akoma brez i zi, kam dëshirë që në të ardhmen të hap akademine time, por akoma nuk dihet vendodhja. Gjithashtu do të marr pjesë dhe në të gjitha kampionatet që do të zhvillohen për këtë sport.

CMG: Cilat janë arrritjet tuaja më të mëdha në karrierën e deritanishme?

Enea Lapa: Pasi unë kam qenë aktiv në pothuajse shumicën e kampionateve, jam emëruar kampion në disa shtete të ShBA-së (mbi 15 shtete). Gjithashtu në vitin 2020 kam dalë kampion bote dhe kampion kombëtar (për ShBA) për peshën dhe brezin tim. Vitin e kaluar zura vendin e tretë në kampionatin Pan Amerikan.

CMG: Keni stemën shqiptare te kostumi juaj sportiv. Në çkuptim është ajo aty dhe cili është prezantimi juaj në gara?

Enea Lapa: Stema shqiptare në uniformën time është një përfaqësim personal si shqiptar në këtë sport, duke treguar që jam krenar për atdheun tim. Federata e sportit tonë regjistron sportistat nën akademitë përkatëse, pa treguar origjinën e tyre.

CMG: E vizitoni shpesh vendlindjen tuaj, Sarandën?

Enea Lapa: Të them të drejtën pas situatës me Covidin dhe krahas përgatitjeve për kampionate, nuk kam pasur mundësi të vij, por besoj vitin që vjen do të jem aty.

CMG: Çfarë kujtimesh ruani nga Saranda?

Enea Lapa: Siç dihet Saranda është një qytet turistik dhe njihet për klimën e ngrohtë, plazhet e bukura dhe ujrat e pastra. Kujtimet e mia kryesore janë kampingjet që organizonim në anë të detit, shetitjet në boulevard, por mbi të gjitha diçka që e kam gjithmonë merak është ushqimi i freskët.

CMG: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen në sportin Jiu-jitsu?

Enea Lapa: Planet e mia në të ardhmen janë të vazhdoj qëndrueshmërinë ndaj stërvitjes dhe arritjes së brezit të zi, dhe në një të ardhme të hap akademinë time sportive.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.

Enea Lapa: Dëshiroj të përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, familjen time, shokët e mi dhe të gjithë ata qe më përkrahin në çdo hap të karrierës time si sportist.

Intervisoi: Gazmend Agaj


Lexoni më tepër>>>

Boksieri shqiptar Florian Marku siguron fitoren e tij të 11-të në ringun profesionist