Jurgen Kacani gjate nje koncerti (Facebook)

Jurgen Kacani gjate nje koncerti (Facebook)

Jurgen Kaçani është këngëtar i njohur i muzikës popullore Shqipërisë së jugut. Ai e ka filluar këngën që në moshën 8 vjeç dhe nuk e ka ndalur kurrë. Së bashku me motrën Mariolën, ata përbëjnë një dyshe simpatike, që me këngët e tyre kanë bërë për vete një publik të gjerë si brenda dhe jashtë vendit. Para pak kohësh Jurgeni ka publikuar këngën “Nipçe” dedikuar nipit të tij.

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet e tij në muzikën popullore, aktivitetet brenda dhe jashtë vendit si dhe projektet muzikore.

CMG: Kur ka nisur pasioni për muzikën popullore?

Jurgen Kaçani: Unë kam filluar të merrem me muzikën që në moshë të vogël dhe pjesëmarrja ime e parë ka qenë që në klasën e dytë fillore. Ka qenë Festivali i Këngës Popullore në Vlorë dhe më pas kam vazhduar të marr pjesë në Festivalin e Fëmijëve, ku kam përfaqësuar qytetin e Vlorës. Ndërsa në moshën 18 vjeçare kam dalë në mënyrë profesionale.

CMG: Në familje e keni pasur traditë muzikën e mirëfilltë popullore?

Jurgen Kaçani: Duke qenë se jemi rritur me muzikën popullore, pak edhe nga familja dhe traditat sepse jugu mbahet për traditën folklorike, kështu që kemi qenë gjithmonë pranë muzikës popullore. Ndoshta kjo ka qenë dhe një nga arsyet që jemi ndjerë më afër muzikës popullore.

CMG: Ju shohim gjithmonë në skenë dhe në aktiviete të ndryshme me këngëtaren e njohur e cila është dhe motra juaj, Mariola Kaçani. Përveç dueteve me Mariolën a keni dhe këngë solo?

Jurgen dhe Mariola Kacani (Facebook)

Jurgen dhe Mariola Kacani (Facebook)

Jurgen Kaçani: Unë kam dalë dhe vetëm në skenë, duke qenë se kemi dhe diferencë moshe. Mariola ka dalë më përpara se unë në mënyrë profesionale, ka tre albume muzikore përpara se unë të dilja në skenë. Kështu që dhe ajo ka këngë solo dhe unë kam bërë këngët e mia solo dhe jemi kombinuar gjithë kohës, bashkë dhe vetëm, por gjithmonë duke përkrahur njëri- tjetrin dhe tek materialet solo.

CMG: Ka qenë Mariola mbështetje për ju në rrugën e muzikës popullore?

Jurgen Kaçani: Patjetër, do të thoja se ka qenë mbështetja më e madhe që unë kam pasur. Kam qenë me fat që kam pasur Mariolën në këtë fuhsë të jetës, kështu që ajo ka qenë një mbështetje shumë e madhe për mua.

CMG: Kohët e fundit keni publikuar dhe kolazhe këngësh popullore dasmash. Jemi në sezonin e gëzimeve familjare, si është kalendari juaj për këtë sezon?

Jurgen Kaçani: Këtë vit është vërtetë shumë i ngarkuar, duke ditur se kemi pasur një shtyrje dhe nga pandemia dhe shumë njerëz të cilët kishin palnifikuar dasmat e tyre gjatë kohës së pandemisë, i kanë shtyrë ato për një ose dy vite. Përveç kësaj çiftet e reja të cilët planifikojnë dasmat e tyre këtë vit janë të shumtë dhe ka një ngarkesë shumë të madhe. Është gjë shumë e mirë që të rikthehesh në punë, në nomralitet, në gëzimet familjare është një ndjesi shumë e mirë si për ne ashtu dhe për njerëzit ku në dasmat e tyre ne performojmë.

Jurgen Kacani (Facebook)

Jurgen Kacani (Facebook)

CMG: Të dy bashkë e keni ruajtur me fanatizëm muzikën popullore tradicionale, duke qenë të suksesshëm në tregun muzikor. Sa e vështirë ka qenë për ju ruajtja e vlerave të këngës popullore?

Jurgen Kaçani: Nuk do të thoja e vështirë për të ruajtur muzikën tradicionale, pasi që në momentin që thua Shqipëri, ke thënë muzika popullore tradicionale, si për trevën e jugut, të Shqipërisë së mesme dhe të veriut. Ne kemi këngën isopolifonike e cila na identifikon si vend, kemi çiftelinë që janë instrumenta të krahinës së veriut, kështu që njerëzit gjithmonë kanë qenë pranë muzikës tradicionale. Duke sjellë këngë që janë afër popullit e ka bërë të lehtë për të qëndruar në muzikën tradicionale. Kështu që nuk ka qenë fare e vështirë, në momentin që kemi realizuar materialet të cilat janë të pranueshme nga populli.

CMG: Vlora shquhet për muzikën qytetare, por edhe për polifoninë. Ju vetë keni provuar të këndoni këngë polifonike?

Jurgen Kaçani: Patjetër që po, jo vetëm në gëzimet tona familjare, por edhe në punë apo dasma dhe eventet që organizojnë ka gjithmonë momente ku ne mbledhim të gjithë njerëzit në koncert dhe performojmë disa këngë me isopolifoni live, së bashku me njerëzit.

Jurgen Kacani.(Facebook)

Jurgen Kacani.(Facebook)

CMG: Përveç aktiviteteve muzikore në Shqipëri, keni shëtitur dhe në shumë vende të botës deri në Australinë e largët. Si jeni pritur nga publiku në këto evente?

Jurgen Kaçani: Kur kemi shkuar për herë të parë në Australi nuk e kishim idenë se çfarë na priste. Kishim dëgjuar që na duan dhe e pëlqejnë muzikën popullore, por jo siç njohim Italinë, Greqinë apo qoftë dhe Amerikën që ndodhet pak larg. Kur kemi mbërritur në Australi kemi pasur një mikëpritje të madhe, dhe këngët popullore tradicionale atje ishin të gjitha të respektuara nga populli deri tek detajet më të vogla, madje flamuri shqiptar ishte kudo. Pra ka qenë një mikpritje shumë e madhe nga të gjithë njerëzit që jetojnë në Australi.

CMG: Keni ndonjë këngëtar idhull në muzikën popullore të trevës së jugut?

Jurgen Kaçani: Momentalisht nga këngëtarët që sot janë në treg, do të thosha që idhulli im është motra ime Mariola Kaçani. Kurse disa kohë më parë do kisha trion vlonjate, Meliha Doda që janë idhuj jo vetëm të mitë, por të çdo këngëtari.

CMG: Cilat janë materialet muzikore që ju keni publikuar kohët e fundit?

Jurgen Kaçani: Para disa kohësh kemi publikuar bashkë me Mariolën një kolazh me këngë dasmash, ndërsa kohët e fundit unë kam publikuar dy këngë solo të miat. Duke qenë se dhe Mariola ka qenë në periudhën e shtatëzanisë, kam realizuar një këngë për nënat që ka dalë më 8 mars dhe jo më larg se dy muaj kam sjellë këngën “Nipçe” që ja kam dedikuar nipit tim.

Jurgen Kacani me motren e tij kengetaren Mariola Kacani (Facebook)

Jurgen Kacani me motren e tij kengetaren Mariola Kacani (Facebook)

CMG: Si jeni ndjerë në momentin kur jeni bërë dajë?

Jurgen Kaçani: Ka qenë një moment shumë i bukur dhe i papërshkruar, fjalët ndoshta janë të tepërta në të tilla raste, por ka qenë vërtetë një ndjesi e madhe dhe emocion shumë i bukur.

CMG: Përveç këngëve të trevës së jugut, nëpër aktivitete keni provuar të këndoni dhe këngë të trevave të tjera?

Jurgen Kaçani: Unë kam repertor nga të gjitha trevat, pasi jo vetëm që janë të bukura, por dhe puna e ka kërkuar sepse dhëndri mund të jetë nga Vlora dhe nusja mund të jeta nga Shkodra, Tropoja ose Kukësi, dhe detyrimisht puna na e ka kërkuar që ne të kemi një repertor të zgjedhuar. Kemi një repertor maksimal dhe për trevat e tjera.

CMG: Keni sjellë në tregun muzikor këngë të reja popullore, përveç këngëve të krijuara vite më përpara?

Jurgen Kaçani: Kemi sjellë kolazhe me këngë popullore të vjetra, por dhe këngë të reja siç është kënga e xhaxhait dedikur xhaxhait për ditën e dasmës, këngën e nipit që unë e kam shkruar vetë. Këto janë këngë popullore të reja dhe tani së shpejti kam një këngë tjetër që është atmosferë dasmash. Duke qenë se ndodhemi në stinën e verës por dhe në stinën e dasmave po sjellim dhe një këngë tjetër që do të publikohet shumë shpejt.

CMG: Ju pëlqen ta vishni kostumin tradicional të trevës së jugut kur këndoni?

Jurgen Kaçani: Unë nuk kam veshur kostumin popullor, thjesht kam sjellë motive në veshjet e mia. Duke qenë se veshjet me motiv popullor ose veshjet polifonike kërkojnë që dhe repertorin t’ja dedikosh për ato këngë, është e kotë të veshësh një veshje polifonike dhe të këndosh diçka që nuk ka lidhje me polifoninë. Kështu që unë gjithmonë i kam sjell motive nëpër xhaketa, bluza apo këmisha. Pra kam sjellë elementë të polifonisë në veshjet e mia.

CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?

Jurgen Kaçani: Unë do e nisja nga kompozitori i madh që e njeh e gjithë Shqipëria, Edmond Zhulali që e përshëndes, me të kemi bashkëpunime të shumta dhe tepër të suksesshme. Gjithashtu Vani Rushiti është një kompozitor i suksesshëm, dhe me të kemi pjesën më të madhe të bashkëpunimeve të fundit dhe Enis Mullaj kompozitori nga Vlora. Janë disa nga miqtë e mi që kam bashkëpunuar dhe po bashkëpunoj dhe në projektet e fundit.

CMG: Projekti më i afërt është këngë që do të sillni bashkë me Mariolën?

Jurgen Kaçani: Muzikën dhe tekstin e kësaj këngë e kam realizuar unë dhe orkestrimi është nga kompozitori Vani Rushiti.

Jurgen Kacani duke interpretuar (facebook)

Jurgen Kacani duke interpretuar (facebook)

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe gjithë adhuruesit tuaj.

Jurgen Kaçani: Faleminderit për ftesën, ishte një kënaqësi e veçantë për mua. Dua t’i përshëndes të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë, ju uroj pushime të mbara nëse keni ardhur në Shqipëri, por dhe aty ku jeni. Zoti ju dhëntë vetëm të mira, shëndet dhe lumturi në familjet tuaja.


Intervistoi: Gazmend Agaj


Lexoni>>>

BioFolk- Nehat Curri: Unë jetoj me muzikën shqipe