Vëllezërit Curri nga Shkupi janë një histori më vete, një vlerë e kulturës dhe muzikës së mirëfilltë shqiptare. Ata njihen kudo, në skenë, pranë ccçdo gëzimi familjar, virtuozë që rrezatojnë gjithmonë optimizëm dhe gjallëri. Orkestra e tyre për dekada ka qenë pjesëmarrëse në shumë koncerte e deri në festat familjare, aty ku kultivohej kënga shqipe. Rrugëtimi i tyre muzikor shquhet edhe për shumë bashkëpunime më këngëtarë dhe muzikantë të njohur të trevave shqiptare. Nehat Curri, i cili është instrumentist por dhe interpretues i muzikës popullore të mirëfilltë shqiptare, në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) tregon për rrugëtimin 50 vjeçar në muzikën popullore si dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Kur ka nisur karriera juaj muzikore?

Nehat Curri: Në radhë të parë ju përshëndes juve dhe gjithë dëgjuesit të emisionit Bio Folk, dhe mendoj se kanë se çfarë të dëgjojnë sot, pasi kjo është intervista e parë e imja jashtë Shkupit. Unë fillimisht do të thoja se muzika në familjen tonë nuk është gjë e rastit, por është traditë sepse nëna e ndjerë ka qenë një personalitet, e cila gjithmonë frymonte në frymën pozitive dhe i jepte një bukuri familjes sonë, ku në çdo festë dhe ambjentin familjar krijohej një atmosferë shumë festive sepse të gjithë luanim me instrumenta.

Ndërsa babai im ka qenë një interpretues shumë i mirë dhe ka marrë pjesë në festivale të ndryshme në atë kohë. Në vitin 1963 kur unë kam qenë dy vjeç, pastaj deri në vitin 1974 ka qenë anëtar i Shoqërisë Kulturore Artistike “Emin Duraku”, ku ka dhënë kontributin e vet për kulturën mbarëshqiptare. Kjo është vetëm një arsye e fuqishme që muzika tek ne nuk ka qenë rastësi, por traditë. Përsa i përket punës sime dhe vëllezërve Curri si orkestër, ne kemi një karrierë të bujshme.

Tani jemi pak në moshë, por jemi të freskuar me instrumentistë të rinj të cilët premtojnë shumë dhe janë emra sot. Ne i morëm ata si fëmijë dhe sot kanë hapësirën dhe opsionin e tyre nëse vazhdojnë të punojnë dhe të njihen më tepër jo vetëm në trojet ku jetojnë, por në mbarë trojet shqiptare.

Unë si fillestar në klasën e parë fillore kam filluar nëpër aktivitete të ndryshme shkollore, pastaj vëllai i madh Njazi Curri luante në fizarmonikë dhe ishte anëtar i grupit të fëmijëve të shkollës. Kurse unë merrja pjesë më tepër si solist, ku këndonim këngë të ndryshme fëminore, por dhe këngë popullore, duke u bazuar te muzika popullore sepse familja jonë kishte një frymë patriotike dhe i është përkushtuar muzikës së mirëfilltë shqipe, dhe jemi munduar ta kultivojmë deri sot afër 50 vite.

CMG: Cila është treva që ju keni lëvruar më shumë në muzikën popullore?

Nehat Curri: Unë jam rritur me këngët e Shyqyri Alushit, Bik Ndojës, të madhit Ismet Peja e kështu me radhë. Pra, ne nuk e kemi pasur problem sepse kemi lëvruar të gjitha trevat shqiptare. Pas viteve 90-të ne filluam të vijmë dhe në Tiranë dhe Durrës, ku kam marrë pjesë në gëzime dhe mbrëmje të ndryshme familjare. Gjithashtu kemi qenë dhe në të gjitha vendet në Kosovë, si dhe në Bujanovc, Medvegje, sigurisht dhe në Shkup por dhe në çdo fshat që kemi marrë pjesë në festat familjare. Kemi qenë në Strugë, Kërçovë, Përrenjas dhe kudo që janë shqiptarët ne kemi qenë prezent.

CMG: Ju njiheni nga publiku si vëllezërit Curri me kaq vite karrierë muzikore mbi supe. Si jeni pritur nga publiku gjatë aktiviteteve tuaja muzikore?

Nehat Curri: Jo se e them unë, por atë e dëshmon edhe koha sepse të kesh një karrierë 50 vjeçare, kjo vetë flet mjaft për profesionalizmin, por dhe të seriozitetit i grupit tonë. Shumë grupe janë zhdukur ose janë në zhdukje e sipër, ndërsa ne ajo na ka ndihmuar që jemi vëllezër dhe entuziazmi i tepërt për të kultivuar muzikën e mirëfilltë shqiptare është duke na mbajtur dhe populli e kupton këtë.

Ky është një infusion për ne sepse mundohen të na mbajnë gjithësesi, duke ju ofruar neve muzikë cilësore dhe shqipe të të gjitha trevave shqiptare. Kjo është një mrekulli të cilën rrallë ndonjë grup e ka sepse të gjitha grupet për shkaqe komerciale janë zhytur në zhanre të ndryshme të muzikës. Unë jetoj me muzikën shqipe dhe ne nuk punojmë për të jetuar, as nuk jetojmë për të punuar, por unë këndoj për të jetuar dhe jetoj për të kënduar.

CMG: Sa e vështirë ka qenë për ju që ta ruani këngën e mirëfilltë popullore shqiptare?

Nehat Curri: Ky është një problem i cili është global dhe jo vetëm në muzikën shqipe. Nëse futemi në muzikën ballkanike dhe më gjerë, unë do të thoja se te të gjithë popujt kjo është një veti, e cila i fut në grykën e komercializmit që të vijnë sa më tepër dhe shpejt deri te materialja. Kurse nëse do të korrësh suksese, duhet ta mbash thelbin popullor dhe atë që ne si shqiptarë na ngjit në zemër.

Unë kur i kam dëgjuar këngët e Bik Ndojës dhe Shyqyri Alushit, më kanë emocionuar dhe më kanë krijuar një bagazh në vete, jo vetëm mua por gjithë vëllezërve të mi që të na shtyjnë të punojmë më tepër, duke e ruajtur thesarin e tyre. Muzika popullore shqiptare është një thesar i çmuar dhe ka shumë gjëra që janë akoma të pa përdorura. Gjithashtu këto këngë mund të riorkestrohen dhe të bëhen moderne, por jo në stilin ku nuk ka tekst, kur teksti nuk ka mesazh, ku muzika është e huazuar, por të mundohemi ta ruajmë thelbin dhe këtë traditë.

Ne si grup jemi munduar ta ruajmë, por unë falenderoj të gjithë popullin shqiptar të cilët na kanë pasur deri sot në gëzimet e tyre familjare. Pra mesazhi im është se deri sa të kemi popullin me vete, ne nuk e kemi atë problem sepse populli shqiptar i kupton vlerat dhe ata janë frymëzimi ynë që të rrugëtojmë në këtë ruajtje të këtij thesari tonë kombëtar muzikor.

CMG: Prej vitesh jeni klarinetist profesionist, por sa kohë i kushtoni në ditë këtij instrumenti?

Nehat Curri: Puna që unë kam bërë në këto 50 vite ka qenë serioziteti, ushtrimet e përditëshme, dëgjim sa më tepër të muzikës së mirëfilltë shqiptare dhe mundohem ende sot e kësaj dite të shoqërohem me klarinetën nga një orë ose një orë e gjysëm në ditë. Kam filluar të merrëm edhe me këngën pak sepse kemi nevojë me grupin që të kemi më tepër këngëtarë. Kështu që klarinetës i kushtoj mjaft rëndësi.



Lexoni>>>

Amel Tahiri: Kostumi popullor, përgjegjësi e madhe në skenë



CMG: Kabaja apo instrumentale argëtuese, cila nga këto dy gjini preferon më shumë të luash në klarinetë?

Nehat Curri: Unë muzikën përveçse të jugut të cilën e dua shumë, dhe ajo dëshmon në dasmat tona, ne kultivojmë më tepër muzikën gege. Është mungesë e muzikë së jugut te ne, por unë si interpretues luaj dhe këndoj këngët e jugut. Mendoj që i këndoj bukur edhe pse ndoshta nuk mundem të jap maksimumin si këngëtarët e jugut që e ndjejnë në shpirt, por unë duke u bazuar në atë që është shqipe dhe origjinale, mundohem me mish e me shpirt që ta interpretoj dhe veshi i publikut ta pranojë.

Kështu që kabanë, sidomos të Laver Bariut i cili në vitin 1981 mori pjesë në një festival të zhvilluar në Shkup ku unë interpretova “Gjeneral gramafonin”, të cilën me një entuziazëm të veçantë mendoj që ia arrita qëllimit dhe juria profesionale më shpalli si instrumentistin më të mirë të atij festivali. Juria ishte e përbërë nga të gjithë maqedonas në atë kohë, por ju pëlqeu shumë dhe reagimi i publikut më emocionoi shumë.

Unë vallet e jugut i kam adhuruar dhe çdo herë i interpretoj, por dua të përmend edhe vallet e Tiranës dhe Hekuran Xhambalin. Kënaqësia ime më e madhe ka qenë kur u hapën kufijtë dhe filloi të frymojë sistemi demokratik. Hekuran Xhambali me artistë të tjerë erdhën në Shkup me ansamblin e atëhershëm, ku organizuam një mbrëmje me artistë të Shkupit dhe të trojeve të tjera shqiptare. Kur fillova interpretimin e këtyre valleve të Hekuranit, ai u ngrit dhe më puthi në ballë. Ishte një emocion vërtetë i papërshkruar.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Nehat Curri: Përsa i përket projekteve muzikore gjatë kohës së pandemisë më dha një hapësirë shumë të gjerë që të punoj në shtëpi, sepse vitete e tjera kam qenë me angazhime të shumta, por dhe në punë si profesor i muzikës, kështu që nuk kam pasur hapësirë për të kompozuar diçka timen. Jam angazhuar me projektin e 45 vjetorit të grupit tonë vëllezërit Curri së bashku me solistin tonë Nexhat Kumanovën, të cilin asnjëherë nuk e kemi ndërruar. Unë realizova një këngë për grupin e cila tani është në qarkullim në rrjetet sociale, me tekst timin, me konsultim të të madhit Haxhi Maqellara. Kjo këngë ka pasur shumë sukses në tregun muzikor.

Kam një material muzikor, një këngë kushtuar Ismet Pejës, Bik Ndojës dhe Shyqyri Alushit, ku përmendet dhe Qamili i vogël. Të gjithë këta që na kanë dhënë frymëzim neve dhe me një endje të madhe kisha thënë se me këngët e tyre jemi rritur dhe akoma frymëzojmë me këngët e tyre, dhe më shtyu që ta bëj këtë hap ku së shpejti do të publikohet. Shpresoj që dhe publikut t’i pëlqejë kjo këngë. Pra së shpejti do të nxjerr 20 këngë të cilat janë të punuara, por 4-5 janë të përfunduara, por që pa i përfunduar të gjitha nuk besoj se do t’i publikoj.

CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese të mëtejëshme.

Nehat Curri: Kënaqësia ishte e imja të isha i ftuar në emisionin tuaj Bio Folk.

Intervistoi: Gazmend Agaj