Amel Tahiri gjate deputimit te nje valleje ne skene (Foto personale)
Amel Tahiri ka lindur në qytetin bregdetar të Vlorës dhe që në moshë të vogël ka pasur pasion vallen popullore. Prej shumë vitesh ai është pjesëtar i ansambleve folklorike të qytetit të Vlorës, duke performuar bukur vallen tradicionale shqiptare jo vetëm në skenat shqiptare, por dhe në ato ndërkombëtare. Aktualisht ai është valltar i Ansamblit Folklorik “Bilbili”, ku dhe merr pjesë në shumë evente artistike brenda dhe jashtë vendit.
Edhe pse është diplomuar në degën e financës dhe marketingut dhe aktualisht menaxhon një prej hoteleve më të mira në Vlorë, Ameli nuk është ndarë asnjëherë prej valles popullore. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet e tij si valltar, si dhe aktivitetet folklorike që ka marrë pjesë në vende të ndryshme të botës.
CMG: Amel, ju keni vite që angazhoheni me grupet folklorike si valltar, por kur ka nisur ky pasion për vallen popullore?
Amel Tahiri: Normalisht unë po bëj rreth 14 vjet që jam pjesë e ansambleve folklorike. Kam filluar hapat e para dhe kam mësuar vallen e bukur popullore me Ansamblin “Çamëria” në vitin 2008, kemi krijuar këtë ansambël i cili u rihap pas një preiudhe dy-tre vjeçare që ishte pushim. Pjesëmarrja ime në një festival folklorik ka qenë në vitin 2009 në Prishtinë dhe mbaj mend ato emocionet e para skenike me ato lëvizjet e valleve që i përsëritnim herë pas here.
Më pas kam qenë pjesë e Ansamblit “Bilbili” që prej vitit 2012 dhe ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë. Ky ansambël u krijua në vitin 1994, ku përveç valleve është dhe një grup polifonik dhe bashkarisht ne kemi përfaqësuar Shqipërinë në shumë festivale ndërkombëtare folklorike në Poloni, Itali, Turqi, Bullgari, Rumani dhe festivali i fundit ku ne kemi marrë pjesë ka qenë Folkloriada Botërore e zhvilluar në Rusi.
Amel Tahiri gjate nje performance (Foto personale)
CMG: Flasim për eksperiencën tuaj të fundit në Folkloriadën Botërore në Rusi. Si u prit Ansambli “Bilbili” nga publiku në këtë eveniment?
Amel Tahiri: Festivali i Folkloriadës Botërore duhej të zhvillohej në vitin 2020, por për arsye të pandemisë festivali u anullua atë vit. Diskutohej që fillimisht se duhet të merrnin pjesë 80 shtete, por u reduktua në numër dhe ishin vetëm 45 shtete. Ishte shumë e bukur dhe e larmishme me ato kostumet shumëngjyrëshe, çdo shtet kishte traditat dhe kostumet e veta.
Sigurisht ishin shtete që ne i kishim hasur edhe në festivale të tjera, por ky ishte nga festivalet e para të kësaj madhësie dhe me një pjesëmarrje të madhe të grupeve. Grupi Bilbili u prit shumë mirë nga publiku dhe pati një performancë shumë të bukur, dhe ishin disa momente të valleve ku dhe publiku kërcente në ritmet e valleve popullore shqiptare.
CMG: Ka pasur familja juaj dike që e ushtronte vallen, apo ju jeni i vetmi që ju lindi pasioni për këtë fushë?
Amel Tahiri: Unë jam me origjinë nga krahina e Çamërisë dhe në krahinën tonë pak a shumë të gjithë shquhemi që jemi pak qejfli i themi ne nga anët tona të valleve popullore dhe sigurisht kjo gjë u transmetua tek mua. Normalisht familjarët e mi kërcejnë valle popullore, por nuk kanë qenë pjesë e ndonjë ansambli folklorik. Unë jam i pari nga familja dhe i gjithë fisi që jam pjesë e grupeve dhe që do ta transmetojmë te të gjithë familjarët dhe brazat që do vijnë.
Amel Tahiri me grupin duke performuar ne skene (Foto personale)
CMG: Çfarë emocionesh keni përjetur kur keni veshur për herë të parë kostumin popullor të krahinës suaj?
Amel Tahiri: Sigurisht që me veshjet e krahinës unë jam njohur dhe më përpara, qoftë të krahinës time apo dhe veshje vlonjate. Momentet e para më dukeshin të magjishme dhe për shkak të moshës që unë e kisha atë kostum. Në performancën e parë skenike dhe për vetë faktin që ishim para publikut, ku unë isha në një moshë të vogël më dukej një përgjegjësi shumë e madhe për të përfaqësuar këto veshje. Pra përveç emocioneve skenike para publikut, ishin dhe emocionet të cilat transmetoheshin për shkak të kostumit popullor të cilin unë e mbaja në trup. Unë sa herë që paraqitem në skenë e ndjej veten me përgjegjësi të madhe, pasi përfaqësojmë traditat dhe vlerat e kombit duke mbajtur këto kostume. Gjatë eventeve ndërkombëtare folklorike kostumet tona popullore spikasin ndër kostumet e shteteve të tjera të botës.
Amel Tahiri me grupin (Foto personale)
CMG: A ka të tjerë të rinj sot që duan ta performojnë vallen popullore? Ju vetë bëni përpjekje që t’ia mësoni vallen fëmijëve?
Amel Tahiri: Unë vetë personalisht do të kujdesem që edhe pjesëtarë të tjerë të familjes ose brezat e tjerë që do vijnë ta transmetojnë. Për këtë arsye ne kemi krijuar dhe një ansambël që është për fëmijët, Ansambli “Amantia”, i cili ushtron aktivitetin e tij në qytetin e Vlorës. Këtu dua të theksoj që kemi një pjesëmarrje të fëmijëve nga mosha 4 vjeç deri në 15 vjeç. Fillimisht shikojmë një interes shumë të madh të prindërve që i sjellin fëmijët të mësojnë vallet popullore dhe traditat e vendit. Pra ka shumë prindër në qytetin tonë të cilët e adhurojnë artin, e adhurojnë folkun dhe i shtyjnë fëmijët e tyrë që të mësojnë mbi folkun dhe vallet e bukura të trevave tona.
Amel Tahiri me pjesetare te grupit te veshur me kostume popullore (Foto personale)
CMG: Cili nga vendet që keni vizitur ju ka lënë më shumë mbresa nga ana e organizimit të festivaleve folklorike?
Amel Tahiri: Çdo festival ka të veçantat e organizimit të vet, ka të veçantat për grupet pjesëmarrëse, skenat si dhe vendet me bukuritë natyrore që i ka falur natyra. Unë dua të veçoj festivalet që kemi marrë pjesë në Poloni, Turqi dhe sigurisht festivali i fundit në Rusi. Festivali i fundit më ka lënë mbresa më shumë për shkak të pjesëmarrjes së madhe të grupeve dhe të përmasave të këtij festivali.
Për mua ishte hera e parë që merrja pjesë në një festival ku ishin 45 grupe pjesëmarrëse, por dhe të programit të ngjeshur si dhe vendeve ku neve shkonim sepse kemi pasur performanca në disa qytete. Dua të theksoj që na ka rastisur të udhëtonim 2-3 orë për të shkuar drejt skenës së festivalit. Ishte vërtetë një program shumë i ngjeshur dhe i lodhshëm, por në fund patëm kënaqësinë ku në çdo skenë që shkonim jemi mirëpritur shumë mirë nga publiku, me duartrokitje të ngrohta dhe brohoritje.
CMG: Amel, keni gati 15 vite që performoni në skena të ndryshme si valltar. Do të dëshironit që në një të ardhme të bëje dhe punën e koreografit?
Amel Tahiri: Unë edhe më përpara e kam ushtruar punën e koreografit, kjo gjë ka ndodhur dhe në momentet që unë kam qenë në kohën e gjimnazit, ku në festat e ndryshme që zhvillonim në shkollë më takonte të zhvilloja koreografi të ndryshme popullore me grupin e gjimnazit. Akoma e vazhdoj sepse kemi grupin e fëmijëve “Amantia”, që fokusohet vetëm në transmetimin e traditave dhe valleve popullore tek fëmijët. Dua të them që e vazhdoj part -time profesionin e koreografit, por në një moment tjetër shpresoj që të fokusohem më shumë dhe të kemi koreografi të reja të valleve të ndërthurura me traditat dhe këngët tona.
Amel Tahiri (Foto personale)
CMG: Prej vitesh ju jeni i angazhuar dhe në shoqërinë civile, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme. Si e lidhni artin me këtë fushë?
Amel Tahiri: Në shoqërinë civile kam një pjesë të konsiderueshme të rinisë time që jam aktivizuar. Jam pjesë e shoqërisë civile prej më shumë se 10 vjetësh dhe është diçka që më ka tërhequr. Aktivizimi im në shoqërinë civile dhe shkëmbimi i eksperiencave ka qenë i lidhur dhe me artin sepse në aktivitete të ndryshme që ne kemi zhvilluar, unë gjithmonë jam përpjekur t’ju mësoj dhe vallen popullore shqiptare pjesëmarrësve në këto aktivitete. Do vazhdoj të jem pjesë e shoqërisë civile ashtu sikur jam, dhe do vazhdoj të jem pjesë e artit për shkak se janë dy fusha të cilat unë jam rritur.
CMG: Aktualisht ju punoni si menaxher në një nga hotelet e qytetit të Vlorës. Si e gjeni kohën t’i menaxhoni të gjitha këto fusha?
Amel Tahiri: Unë për shkak të shkollës që kam mbaruar po vazhdoj në profesionin tim në fushën e menaxhimit. Përpiqem ashtu sikur menaxhoj një biznes, të menaxhoj dhe kohën për të qenë pjesë e të gjitha fushave që unë kam pasion dhe dua të jap kontributin tim.
CMG: Pse zgjodhët të studionit në fushën e ekonomisë dhe jo në atë të artit?
Amel Tahiri: Unë jam diplomuar për financë dhe kam dhe një diplomë masteri në marketing. Unë nuk kam zgjedhur të bëj një shkollë arti sepse gjithmonë e kam parë artin si diçka që nuk ka nevojë të shkollohesh, por duhet të nisi te gjithësecili nga vetja dashamirësia dhe patriotizmi për vendin e vet. Çdo njeri duhet të jetë pjesë e artit, duhet të mësojë për kulturën e vendit të vet, të mësojë vallet popullore duke qenë krenar me identitetin e tij kombëtar.
Mendoj se në të ardhmen mund të bëj ndonjë studim ose master në fushën e artit. Edhe pse unë kam këtë lloj diplomimi, qoftë arti, qoftë ana e shoqërisë civile kanë ndikuar në drejtimin tim për diplomimin që kam në fushën e menaxhimit, sepse unë duke u marrë dhe me organizimin e grupeve duhet të menaxhoj kohën dhe grupin, mënyrën e organizimit të valles dhe atë të organizimit të një festivali apo koncerti. Ndoshta kjo gjë më ka tërhequr më shumë, dhe për këtë arsye kam thelluar studimet e mia më shumë në fushën e menaxhimit.
Amel Tahiri ne interviste per CMG
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Amel Tahiri: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e radios dhe i ftoj që të gjithë që pushimet e kësaj vere t’i kalojnë në qytetin e Vlorës. Gjithashtu i ftoj të bëhen pjesë e të gjitha festivaleve tona folklorike, të shohin Vlorën dhe të vlerësojnë këtë qytet për bukurinë, për kulturën dhe mikëpritjen e saj.
Intervistoi: Gazmend Agaj