Paavo Nurmi lindi më 13 qershor të vitit 1897 në një fshat të vogël finlandez. Për shkak të varfërisë së familjes, në moshën 13-vjeçare ai u detyrua të shkonte veças jashtë vendlindjes dhe punoi si punëtor ngarkim-shkarkimi në një dyqan. Puna shumë e rëndë fizike forcoi si trupin e Nurmit, ashtu edhe vullnetin e tij. Gradualisht, ai filloi të ushqente interes të madh për vrapimin dhe në kohën e lirë filloi të merrej me stërvitje në atletikë.
Me talentin e dalluar, Nurmi u shfaq shpejt në disa veprimtari sportive. Në vitin 1920 ai mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike të Antverpës dhe fitoi medaljen e parë të artë olimpike në vrapimin 10 000 metra. Disa ditë më vonë, ai fitoi edhe dy medalje të tjera të arta në garën e 8 000 metrave si individ dhe si ekip. Ai u bë sportisti që fitoi më shumë medalje të arta në këtë edicion.

Lojërat Olimpike të Parisit në vitin 1924 mund të quhen "Olimpiada e Nurmit". Ai fitoi 5 medalje të arta në vrapimin 1500 metra, 5 000 metra, 3 000 metra si ekip dhe 10 000 metra në mjedis të hapur si individ dhe si ekip. Ai dëshironte të merrte pjesë edhe në 10 000 metra, por u refuzua nga funksionari i delegacionit finlandez. Një muaj pas këtyre lojërave olimpike, ai shënoi rekordin botëror në vrapimin 10000 metra në një tjetër veprimtari sportive.
Në Lojërat Olimpike të Amsterdamit 1928, Nurmi u duk për herë të fundit në veprimtaritë e mëdha botërore. Në vrapimin 10 000 m, Nurmi me përvojë të pasur, shpejtoi me të gjitha forcat në 80 metrat e fundit dhe i kaloi të gjithë rivalët. Në fund, ai fitoi medaljen e tij të 9-të të artë olimpike. Më vonë, ai u shpall nënkampion edhe në vrapimin 3 000 metra me pengesa.
Në veprimtarinë e tij sportive, Nurmi shënoi gjithsej 29 rekorde botërore dhe 22 prej tyre u njohën zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës. Edhe kjo shifër e radhiti atë në vendin e parë ndër sportistët meshkuj. Nurmi mori pjesë 3 herë me radhë në Lojërat Olimpike dhe në 12 garat ku ai mori pjesë fitoi gjithsej 9 medalje të arta dhe 3 të argjendta. Kjo do të thotë se ai fitoi medalje në të gjitha garat ku mori pjesë, duke krijuar kështu një legjendë të pakapërcyer.
Në vitin 1982, kur një astronom finlandez zbuloi planetin e vogël 1941-të të sistemit diellor, ata vendosën ta emërtonin si Paavo Nurmi, në shenjë kujtimi të këtij heroi olimpik të Finlandës. (Wang Lei) (Artan)
|