dëgjoni
Në programin e kaluar të minirubrikës "Tregimet Olimpike", ju fola për Lojërat Olimpike 1900 në Paris, që ishte edicioni më i paorganizar dhe i pasuksesshëm i Lojërave Olimpike moderne. Megjithatë, në këtë edicion pati një përparim të madh dhe me rëndësi gjithashtu të madhe, që është dalja e femrave për herë të parë në Lojërat Olimpike.
Sipas traditës së Olimpiadës së lashtë dhe idesë së Kubertanit, femrat nuk lejoheshin të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike moderne. Kubertani e shtjelloi në këtë mënyrë: "Lojërat Olimpike moderne krijohen për elitën mashullore." Prandaj në sistemin olimpik të ideuar nga ai, nuk u përfshinë në asnjë mënyrë femrat. Edhe kryetari i parë i Komitetit Olimpik Demetrius Vikelas kundërshtoi me vendosmëri pjesëmarrjen e femrave në Lojërat Olimpike dhe u përpoq të ruante traditën e ndalimit të femrave në pjesëmarrjen në Olimpiadë. Në shoqërinë e atëhershme, dijenia për gratë ishte shumë e kufizuar. Mendimi i atëhershëm ishte që lartësia që një grua mund të kërcejë nuk mund të kalojë gjunë e saj, ndërsa gjatësia që ajo mund të kapërcejë nuk mund të kalojë 1/3 e trupgjatësisë së saj. Sipas rregullave të rrepta të atëhershme, nëse një grua shkel kufirin e tillë, ajo nuk do të lindë fëmijë të shëndetshëm. Në atë epokë lindja e fëmijëve të shëndoshë është vlera më e rëndësishme e një gruaje.

Edhe Kubertani mendoi se ky ishte një mendim i arsyeshëm. Një fjalim i njohur i Kubertanit thotë kështu: krenaria e një gruaja vjen nga numri dhe cilësia e fëmijëve që ajo lind, ndërsa në fushën sportive, detyra e saj më e rëndësishme është inkurajimi i burrit dhe i birit të saj. Megjithëse Kubertani është një personalitet largpamës, i kufizuar nga koha e tij, ai tregoi kokëfortësi në pjesëmarrjen e femrave në Lojërat Olimpike.
Pavarësisht nga të githa pengesat, gjatë Lojërave Olimpike 1900 në Paris, mbi 10 gra sfiduan këtë mendim tradicional me trimëri. Në fillim, 4 gra franceze u regjistruan në komisionin organizativ ku kërkuan të merrnin pjesë në Lojërat Olimpike. Në programin e kaluar përmenda se edisioni i dytë u organizua nga komisioni përgatitor i Ekspozitës Botërore të Parisit. Megjithëse nuk e kuptoi fare rëndësinë e Olimpiadës dhe i trajtoi në mënyrë apatike Lojërat Olimpike, ky komision nuk kundërshtoi pjesëmarrjen e femrave, sepse në syrin e këtij organizatori, Lojërat Olimpike organizoheshin vetëm për para, dhe ishin "reklama e gjallë" e Ekspozitës Botërore. Për reklamë, s'ka rëndësi seksi i aktorëve, por ka rëndësi tërheqja e vështrimit të publikut. Në këtë rrethanë, 11 gra morën pjesë në Lojërat Olimpike 1900 në Paris në situatën e rrëmujshme. Kubertani shprehu dëshpërim të madh për dukjen e femrave në fushën sportive.
Në Lojërat e dyta Olimpike, gratë morën pjesë në garat e tenisit dhe të golfit. Atë kohë nuk kishte ndonjë disiplinë sportive të krijuar veçanërisht për femra, prandaj sportistet morën pjesë në garat e tenisit dhe të golfit së bashku me meshkujt. Megjithëse ishte një pjesëmarrje e çrregullt si pasojë e punëve të paorganizuara, pjesëmarrja e femrave në edicionin e dytë të Lojërave Olimpike ka rëndësi të madhe e të veçantë në histori. Kjo ishte hera e parë që femrat u ngjitën në arenën ndërkombëtare sportive, gjë që theu traditën mbi 2000 vjeçare të vendosur që nga Greqia e Lashtë, që në Lojërat Olimpike nuk kishte disiplinë sportive për femra dhe nuk lejoheshin femrat të shikonin garat. Ky edicion shërbeu si shembull edhe për Lojërat Olimpike e veprimtari të tjera sportive të mëvonëshme në aspektin e pjesëmarrjes së femrave në mënyrë masive. Pavarësisht nga kundërshtimet e Kubertanit dhe të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që nga edicioni dytë, në Lojërat Olimpike të mëvonëshme morën pjesë sportiste femra, megjithëse si fillim i vogël në numër. Kjo prirje historike më vonë nuk mund të ndryshonte nga askush. (Wang Lei)
|