dëgjoni
Ndër disiplinat e atletikës në edicionin e parë të Lojërave Olimpike ishte edhe ajo e kërcimit së larti. Atletët e vendeve të ndryshme kishin nivele të ndryshme. Në atë kohë sporti i SHBA-së kishte marrë njëfarë zhvillimi dhe sukseset e sportistëve amerikanë u dukeshin sportistëve të vendeve të tjera si të papërfytyrueshme. Për shembull, në garat e kërcimit së larti me shkop, lartësia e nisjes së kërcimit ishte shumë e ulët dhe ajo ngrihej çdo herë shumë pak. Dy kërcimtarë amerikanë nuk e përfillnin fare ngritjen e lartësisë për çdo herë, prandaj ata qëndronin të shtrirë në fushë për të pritur zhvillimin e garës. Por gjyqtari që preokupohej shumë për shmangien e pjesëmarrjes së tyre në garë, i nxiste herë pas here që të ngriheshin. Këta dy amerikanë mërziteshin nga nxitja e arbitrit, duke i thënë se këtë lartësi ata mund ta kalonin vetëm me një kunj dhëmbësh. Nga ky shembull mund të shohim se para mbi 100 vjetëve zhvillimi i sportit në botë ishte shumë i paekuilibruar.
Në Lojërat Olimpike të Athinës në vitin 1896 gara më solemne ishte vrapimi i maratonës.
Para edicionit të parë të këtyre Lojërave, gjuhëtari francez Mishel Breal shkoi për ekspeditë në Greqi dhe e admiroi shumë heroin legjendar Feidi Pides në luftimet në Maratonë. Në vitin 490 para erës sonë, në luftën e Maratonës Greqia fitoi me pak trupa, duke mundur ushtrinë pushtuese persiane. Ushtari Feidi Pides mori urdhrin që t'ia çonte menjëherë këtë sihariq Athinës, që pritej të merrte ndihmë. Feidi, pa marrë parasysh lodhjen e madhe, vrapoi që nga Maratona deri në Athinë. Kur arriti në Athinë, ai, i rraskapitur nga vrapimi i gjatë, ra në sheshin e qytetit pasi foli vetëm një fjalë: "Fituam!"

Mishel Breal u prek shumë nga ky hero dhe i shkroi bashkatdhetarit të tij, sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Lebaron Pierre De Koubertin një letër, ku i propozoi që të shtohej në Lojërat Olimpike një lloj gare e atletikës ? vrapimi i maratonës, në shenjë kujtimi të Feidi Pidesit.
Kështu në Lojërat Olimpike të Athinës u zhvillua gara e vrapimit të maratonës në të njëjtën linjë nga Maratona deri në Athinë, mbi 40 kilometra, ku kishte vrapuar Feidi Pides. Grekët tregonin një interesim të madh për këtë disiplinë, sepse pas fillimit të garave të atletikës, ata nuk patën sukses dhe nuk morën asnjë titull kampion. Prandaj, vrapimi i maratonës ishte e vetmja garë e atletikës, tek e cila varnin shumë shpresa.

Në atë kohë Athina kishte vetëm 130 mijë banorë, por numri i shikuesve që dolën në rrugë për të parë këtë garën e vrapimit të maratonës, ishte mbi 100 mijë. Kjo qe hera e parë që u shfaq në skenën ndërkombëtare sportive gara e maratonës. Në atë kohë sportistët nuk ishin stërvitur për këtë garë me distancë kaq të gjatë. Me të dëgjuar shenjën e nisjes, të gjithë sportistët filluan vrapimin me të gjitha forcat. Kalorësit mbi kuaj hapnin rrugën duke shkaktuar pluhur të madh, ndërsa sportistët vraponin pas tyre në mes të pluhurit. Pasi kishin bërë gjysmën e rrugës, disa sportistëve iu shteruan të gjitha forcat dhe u ra të fikët në mes të rrugës.(Drita-Daming)
|