dëgjoni
Lojërat Olimpike të Lashtësisë që u zhvilluan për kaq shumë vjet, kishin një lidhje me sistemin shoqëror. Në shekullin e 5-të para erës sonë, shoqëria skllavopronare e Greqisë së Lashtë hyri në periudhën e lulëzimit të saj e po kështu një periudhë lulëzimi patën edhe Lojërat Olimpike të Lashtësisë. Por pa kaluar shumë kohë, me acarimin gjithnjë e më shumë të kontradiktave shoqërore në Greqinë e Lashtë, sidomos me shpërthimin e luftës së Peloponezit në fund të shekullit të 5-të para erës së re, shoqëria skllavopronare greke filloi të shkonte drejt rënies, e po kështu, edhe Lojërat Olimpike të Lashtësisë shkuan drejt rënies. Lufta e Peloponezit qe një luftë e madhe midis dy qytet-shteteve të Greqisë së Lashtë, domethënë midis Ligës së Peloponezit me Spartën në krye dhe Ligës së Delianit me Athinën në krye. Kjo luftë zgjati 27 vjet, nga viti 431 deri në vitin 404 para erës së re. Nga kjo luftë ekonomia e Greqisë pësoi shkatërrime serioze dhe qytet-shtetet greke, qofshin fituese apo humbëse, nuk kishin aspak fuqi të rimëkëmbnin lulëzimin e dikurshëm. Që nga ajo kohë Greqia filloi të shkonte drejt rënies.

Në të njëjtën kohë, edhe Lojërat Olimpike të Lashtësisë kaluan nga lulëzimi në rënie dhe garat humbën gradualisht rëndësinë e mëparshme. Në fillim të zhvillimit të Lojërave Olimpike të Lashtësisë, sportistët me përpjekjet e tyre fitonin nga një kurorë me degë ulliri, një vlerësim moral. Por me ndryshimin e frymës shoqërore, njerëzit filluan ta konsideronin pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike si një mjet për të synuar pasuri. Në Greqinë e Lashtë Lojërat Olimpike zhvilloheshin si blatim për kryehyjninë Zeus, e krahas tyre zhvilloheshin edhe Lojëra të tjera, si ato që i blatoheshin hyjnisë së Diellit Apollo, ato si blatim për hyjninë e detit Poseidon, ato për hyjninë e forcës Herakël etj., etj. Në këto Lojëra në fillim vihej theksi mbi stimujt moralë, por dalëngadalë qytet-shtetet nisën t'u kushtonin një vëmendje gjithnjë e më të madhe vlerësimit të sportistëve me privilegje të ndryshme, duke u dhënë falas jo vetëm ushqime, por edhe strehim. Për shembull, sportistët mund të fitonin amnisti në çështjet penale. Në sfondin e rënies ekonomike, gjithnjë e më shumë sportistë filluan të ndërronin nderin dhe sukseset e tyre, të fituara në garat e ndryshme, me pasuri më të madhe, duke e konsideruar këtë ndërrim si një mjet të sigurimit të të ardhurave për jetesën e tyre. Njëkohësisht, edhe ata vetë u bënë gradualisht sportistë profesionistë, që i konsideronin ndeshjet si një profesion të tyre. Dalëngadalë në fushat e ndeshjeve u shfaqën dukuri të këqija, si shfrytëzimi i postit për matrapazllëqe, për përvetësim dhe në dëm të interesave të të tjerëve etj.

Përveç faktorit luftë që shpejtoi rënien e Greqisë së Lashtë dhe madje nxiti edhe rënien e Lojërave Olimpike të Lashtësisë, edhe anët e këqija të Lojërave Olimpike u bënë faktorë të brendshëm që shpejtuan këtë rënie. Në veçanti ishin të dukshme dalja e sportistëve profesionistë dhe profesionalizimi i ndeshjeve. Nga këta faktorë, përpjesëtimet e Lojërave Olimpike të Lashtësisë nuk ishin si të mëparshmet, e po ashtu edhe entuziazmi i njerëzve për pjesëmarrjen dhe ndjekjen e ndeshjeve u ul shumë. Pas pushtimit të Greqisë së Lashtë nga Roma, ra me të vërtetë kambana e vdekjes për Lojërat Olimpike të Lashtësisë. (Drita-Daming)
|