Lojërat Olimpike të kohës së sotme, kur organizohen, konsiderohen si një festë e mbarë botës. Ndërkohë, vendet e ndryshme ndjekin me vëmendje paraqitjen e sportistëve të tyre në këto lojëra dhe brohorasin për sukseset e tyre të shkëlqyera, të arritura në to. Por organizimi i Lojërave Olimpike të Lashtësisë kishte qëllim që ato t'i blatoheshin Zeusit, kryehyjnisë në mitologjinë e lashtë greke.
Lidhur me Lojërat Olimpike të Lashtësisë ka shumë gojëdhëna mitologjike të prekshme. Në një tregim flitet për lidhjet e Lojërave Olimpike të Lashtësisë me hyjninë Zeus. I ati i hyjnisë Zeus kishte ndër mend t'ia jepte Zeusit fronin mbretëror të kryehyjnisë. Për të provuar vullnetin dhe forcën fizike të Zeusit, i ati filloi të rivalizohej me Zeusin afër Olimpias. Në fund të ndeshjes së rivalitetit Zeusi fitoi, duke marrë nga duart e të atit fronin mbretëror të kryehyjnisë. Për ta kremtuar këtë fitore të madhe, hyjnia Zeus i urdhëroi njerëzit të organizonin aktivitetet madhështore të blatimit fetar për të në Olimpia, ku i ati gëzonte blatimin fetar. Ndër këto aktivitete organizoheshin solemnisht shfaqjet konkurruese, të cilat kanë qenë prejardhja e Lojërave Olimpike. Nga kjo gojëdhënë mund të shihet se Lojërat Olimpike të Lashtësisë nuk ishin thjesht ndeshje sportive, por edhe një pjesë e aktiviteteve fetare të blatimit. Nëse shkëputeshin nga aktivitetet fetare të blatimit, Lojërat Olimpike të Lashtësisë nuk mund të ekzistonin, pra këtu qëndron dallimi thelbësor i Lojërave Olimpike të Lashtësisë nga Lojërat Olimpike të kohës së sotme. Në Greqinë e lashtë, përveç organizimit të Olimpiadës si blatim ndaj Zeusit, organizoheshin edhe lojëra të tjera sportive që kishin lidhje me hyjni të tjera.
"Lojërat e Istmit" burojnë nga një gojëdhënë e tillë: Në Greqinë e lashtë, në shekullin e 6-të para erës sonë, një ditë një delfin e nxori në bregun e detit fëmijën e Fenicias, të mbytur në det. Kështu mbreti Korint e varrosi këtë fëmijë në istëm dhe për të organizoi edhe garat sportive. Më vonë këto gara u shndërruan dalëngadalë në Lojërat e Istmit për nder të hyjnisë së detit Poseidon. Këto Lojëra organizoheshin në Korint në vitin e dytë dhe të katërt pas çdo edicioni të Lojërave Olimpike të Lashtësisë, me garat e vozitjes, të vrapimit, hedhjes së shtizës, të hipizmit, si dhe me konkurs të muzikës etj. Çmimet për fituesit ishin nga një kurorë me lule.
Për "Lojërat pitonike" thuhej se hyjnia e diellit Apollo me urdhrin e Zeusit shkoi në Pythian, ku vrau pitonin dhe hapi Orakullin e Delfit. Për t'iu kushtuar fitores së Apollos, në Pythian organizoheshin Lojërat, një herë në 4 vjet, në vitin e tretë pas çdo edicioni të Lojërave Olimpike të Lashta. Në fillim në "Lojërat pitonike" zhvilloheshin vetëm konkurset e vjershave dhe muzikës, ndërsa pas vitit 586 të erës së re u shtuan garat e ndryshme sportive. Fituesit merrnin kurorë me lule dafine dhe degë të saj.
Përveç këtyre organizoheshin edhe "Lojërat e Nemeas", që filluan nga viti 573 para erës së re e zhvilloheshin një herë në dy vjet, me boks, mundje, gara me karrocë etj. Thuhej se këto Lojëra ishin në kujtim të hyjnisë së forcës Herakli, që vrau luanin Nemea.
Nga shekulli i 8-të deri në shekullin e 6-të para erës së re, në Greqi dhe në ishujt e detit Egje lindën shumë lojëra sportive vendore dhe kombëtare, por me zhvillimin dita-ditës të ekonomisë, Olimpiada u bë më e madhe, me ndikim të madh në gjithë Greqinë. (Drita- Daming )
|