dëgjoni
Lojërat Olimpike të Lashta bojkotonin pjesëmarrjen e femrave, por nga ky rregull kishte edhe përjashtime. Ndër qytetet e Greqisë së lashtë, femrat e Spartasë ishin një përjashtim i tillë, sepse ato kishin vlerë të veçantë. Në këtë qytet më pak se 30 mijë skllavopronarë dhe aristokratë sundonin mbi 300 mijë skllevër, shifër kjo e fundit që është 10 herë më e madhe se ajo e para. Prandaj skllavopronarët kishin dëshirë të fortë të ruanin cilësinë e mirë të racës. Në këtë sfond gratë e Spartasë mbanin detyrën e rëndë të lindjes e të rritjes së fëmijëve të shëndetshëm. Pas lindjes së një fëmije në Sparta, prindërit e çonin atë te kryezotët e qytetit për kontrollin e rreptë shëndetësor.
Pas kontrollit ky fëmijë i shëndetshëm i dorëzohej prindërve që të rritej për shtetin, kurse fëmijët e sëmurë, të dobët, ose me të meta fizike, hidheshin për vdekje në humnerë. Ata mendonin se vetëm nënat që kaliteshin ishin të forta e të shëndetshme dhe do të lidnin fëmijë të fortë e të shëndetshëm. Për këtë qëllim, vajzat e Spartasë që nga mosha 7-vjeçare e deri në moshën 18-vjeçare duhej të merrnin pjesë së bashku me djemtë në ushtrime të ndryshme sportive. Kështu që ndër qytetet e Greqisë së lashtë vetëm femrat e Spartasë gëzonin të drejtën e edukatës sportive.
Megjithë ndalimet e forta të Greqisë së lashtë, pati një nënë e cila e veshur me rroba burrash hyri në fushën sportive dhe i ndoqi ndeshjet e të birit.
Kjo qe një ngjarje tronditëse në Lojërat e 96-ta Olimpike të Lashta në vitin 396 para erës së re. Kjo grua e veshur si mashkull me statusin e një trajneri hyri në fushën sportive, ku pa ndeshjet e boksit të të birit. Kjo grua lindi në një familje të famëshme boksierësh, i ati dhe i vëllai i saj kishin fituar titujt e kampionit të Lojërave Olimpike. Sa herë i ati përgatiste të vëllanë, ajo qëndronte pranë për ta parë dhe kështu mësoi fshehurazi mjeshtrinë e boksit. Pas martesës, edhe i shoqi ka qenë kampioni i boksit, kështu ky çift ishte i vendosur ta përgatiste djalin si boksier të fortë. Pas shumë vjet përgatitjesh dhe përpjekjesh , biri i tyre u bë me të vërtetë një boksier i fortë. Lojërat e 96-ta Olimpike të Lashta do të ishin lojërat e demonstrimit të mjeshtrisë së të birit. Por për fat të keq, burri i saj që ishte trajneri i të birit vdiq befasisht. Në atë kohë, sipas rregullave të Lojërave Olimpike të Lashta, lojëtarët pa trajnerë nuk mund të merrnin pjesë në këto lojëra. Por, nuk mjaftonte koha për t'ia ndryshuar djalit trajnerin. Atëherë si t'ja bënte? Me qëllim që i biri të fitonte titullin e kampionit, kësaj gruaje i lindi një mendim, që të hiqej si burri dhe të bëhej trajneri i djalit.
Ndeshjet filluan, i biri mposhti një nga një kundërshtarët dhe më në fund mori titullin e kampionit të boksit. Skena vlonte nga brohoritjet, sepse ndeshjet e boksit ishin ndeshjet më të rëndësishme në Lojërat Olimpike të Lashta. Njerëzit e respketonin më shumë kampionin e boksit. Kjo nënë ishte më e emocionuar se të tjerët dhe iu vërsul nga skena djalit, e përqafoi fort dhe e puthte, por lëvizjet e saj ishin tepër të mëdha, i ra kapelja dhe u dukën flokët e femrës. Ndërkohë të gjithë spektatorët u shtangën në vend, shumë shpejt u inatosën dhe filluan të çirreshin me të madhe: "Kapeni atë dhe ta vrisni!" Thirrjet e tyre e zgjuan këtë grua, e cila u tha spektatorëve: "Ju nuk mund të më vrisni mua, sepse babai im dhe vëllai im, si dhe burri im kanë qënë kampionët e boksit, kurse tani unë e përgatita djalin tim të bëhet kampioni i boksit. Të afërmit e mi kanë bërë përpjekje të mëdha për nder të Lojërave Olimpike, prandaj ju nuk duhet të më vrisni mua!" Këto fjalë të saj në momentin kyç e shpëtuan atë. Pas kësaj ngjarje, edhe trajnerët e Lojërave Olimpike të Lashta duhet të hynin lakuriq në garë, me qëllim që të mos ndodhte më një ngjarje e tillë.
Kjo ngjarje nuk ndryshoi aspak pozitën shoqërore të femrave dhe kufizimet e Lojërave Olimpike ndaj femrave. Vetëm me zhvillimin e Lojërave Olimpike të kohës moderne, femrat filluan të marrin pjesë në këto lojëra, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e tyre.
(Drita-Daming)
|