Ju flet Radio e Jashtme e Kinës. Të dashur miq dëgjues, në programin e sotëm kushtuar 30-vjetorit të reformës në Kinë, do të flasim për reformën e Zhang Juzhengut, një reformë tjetër e rëndësishme në historinë kineze, që u zhvillua para afro 400 vjetëve, gjatë kohës së dinastisë Ming.
Zhang Juzheng, iniciatori i kësaj reforme, ishte politikani më i madh në historinë 300-vjeçare të dinastisë Ming dhe autoriteti më i shquar në kabinetin e asaj kohe. Ai ishte i pashëm e i talentuar në kohën e rinisë dhe qysh në moshën 16-vjeçare doli faqebardhë në provimet perandorake, duke u bërë kandidat për zyrtar të regjimit të dinastisë Ming. Gjatë punës si zyrtar në vitet e 3 perandorëve, ai pati merita të shquara historike. Në emisionin e sotëm do të flasim vetëm për 10 vjetët e fundit të jetës së tij, që ishin vitet më të ndritura për të. Gjatë atyre viteve, ai drejtoi lëvizjen e vrullshme të një reforme që historianët e quajtën "reforma e Zhang Juzhengut ".
Në historinë e dinastisë Ming pati disa perandorë mediokër, ndër të cilët kush synonte për jetë luksoze pa pyetur për çështjet shtetërore, kush besonte verbërisht taoizmin duke ëndërruar për "mosplakje" e "jetëgjatësi të përhershme" dhe kush tjetër tregohej i dobët nga natyra duke heshtur para kontradiktave. Kështu që, brenda e jashtë kabinetit bëhej rivalitet kompetencash e interesash dhe ngrihej herë pas here luftë politike. Një pjesë e madhe e zyrtarëve në oborrin perandorak ishin të korruptuar dhe ligjet e rregulloret ligjore ishin dobësuar. Aristokratët e zyrtarët, duke përfituar nga rasti, rrëmbenin me forcë tokat e punueshme. Si rrjedhim, burimet e financave shtetërore ishin shteruar pak nga pak.
Më në fund, në vitet e para të perandorit Vanli, Zhang Juzheng u bë autoriteti kryesor në kabinet, pasi përjetoi luftërat e njëpasnjëshme gjatë viteve të 3 perandorëve të mëparshëm. Meqenëse perandori Vanli ishte i mitur, qendra e pushtetit të tërë perandorisë kineze ishte në duart e Zhang Juzhengut. Kjo gjendje ndryshonte nga kushtet e reformës së Shang Yangut dhe të reformës së Vang Anshiut, për të cilat folëm në emisionet e kaluara. Ato reforma u zbatuan nga reformistët me mbështetjen e monarkëve, kurse reforma e Zhang Juzhengut u zhvillua duke vënë në jetë masat e përpiluara nga ai vetë, sepse ai kishte marrë në duart e veta kompetencat reale të perandorisë.
Zhang Juzheng mori masa reformuese në fushën politike dhe në fushën ekonomike. Masat reformuese në fushën politike kishin për qëllim që të përmirësohej stili i punës së zyrtarëve. Për këtë, Zhang Juzheng-u hartoi "Rregulloren e provimit të zyrtarëve", në bazë të së cilës kontrollohej puna e zyrtarëve dhe vlerësoheshin rezultatet e punës së tyre. Me anë të kësaj rregulloreje, eliminoheshin zyrtarët e paaftë dhe gradoheshin ata të pastër moralisht. Në këtë rregullore kërkohej që kabineti të provonte të 6 ministrat, të 6 ministrat të provonin zyrtarët nën varësinë e tyre dhe këta zyrtarë të provonin kuadrot në bazë. Si rezultat, u ngrit shumë rendimenti i punës së sektorëve qeveritarë, u shmangën një numër zyrtarësh mediokër dhe u përgatitën një numër i madh zyrtarësh të shquar.
Në fakt, duke zbatuar në radhë të parë masat reformuese në fushën politike, Zhang Juzheng kishte për qëllim që të bënte përgatitjet për reformën ekonomike. Ai deshi të bënte reformën ekonomike duke shfrytëzuar aftësinë e këtyre zyrtarëve të shquar. Në programin e kaluar thamë se njëri prej shkaqeve të dështimit të "reformës së Vang Anshiut" të dinastisë Song Veriore ishte se mungonin zyrtarët e fortë që mund të zbatonin masat reformuese. Kurse puna ishte ndryshe te Zhang Juzhengu, i cili e dinte mirë se reforma e tij ekonomike do të prekte në mënyrë të pashmangshme interesat e njerëzve të shtresave të privilegjuara, prandaj zbatoi në radhë të parë masat reformuese në fushën politike për të përgatitur zyrtarë të pastër moralisht që ta ndihmonin në reformën ekonomike.
Që në fillim të reformës ekonomike, nën drejtimin e Zhang Juzhengut, u matën tokat e punueshme të mbarë vendit. Ai e dinte mirë se mjaft aristokratë dhe autoritete fshihnin sasinë reale të tokave të tyre të punueshme, duke shmangur dorëzimin e tatimeve shtetit. Nga matja e tokave rezultoi se 800 mijë hektarë toka të punueshme të këtyre njerëzve nuk ishin regjistruar. Pastaj, Zhang Juzheng filloi reformën e tatimeve. Ai thjeshtësoi standardet e tatimeve, që tatimet të dorëzoheshin sipas sasisë së tokave të punueshme, dhe hoqi shërbimet e ndryshme të detyrueshme. Në saje të zbatimit të këtyre masave reformuese, u shty përpara në një shkallë të caktuar zhvillimi i ekonomisë së mallrave, gjë që rriti më tej filizat e ekonomisë kapitaliste kineze të atëhershme.
Falë kurorëzimit me sukses të reformës së Zhang Juzhengut, u pakësua deficiti financiar shtetëror i dinastisë Ming, u mbushën plot e përplot hambarët me drithëra që ishin të mjaftueshme për 10 vjet dhe shuma e akumulimeve në arkën shtetërore arriti në 125 mijë kilogramë argjend, që përdorej atëherë si monedhë. (Zheng) (Artan)
|