v Protokolli mbi bashkëpunimin e uebsajtit në gjuhën shqipe të CRI Oline me botën e jashtmev Tërmeti në Wenchuan
SONDAZH OLIMPIK
ZONA E ANKETAVE
ENCIKLOPEDIA
China Radio International Sunday    Apr 13th   2025   
Rreth Kinës
Nga Bota
   Politikë
   Ekonomi
   Kulturë
   Shkencë e Teknikë
   Sport

Fusha ekonomike

Muzika

Sport
Shkencë e Teknikë

Tregime dhe Legjenda Kineze
(GMT+08:00) 2008-11-10 20:43:03    
Reforma e Vang Anshiut

cri

Në programin e posaçëm kushtuar 30-vjetorit të reformës në Kinë, do të flasim edhe për disa reforma të rëndësishme në historinë kineze. Në emisionin e javës së kaluar folëm për reformën që u realizua me sukses para 2400 vjetëve me iniciativën e Shang Yang-ut, që u quajt "reforma e Shang Yang-ut", kurse në emisionin e sotëm do të flasim për reformën e zhvilluar para afro 1000 vjetëve, gjatë dinastisë Song Veriore, me iniciativën e Van Anshiut dhe që u quajt "reforma e Vang Anshiut".

Për një kohë, regjimi i dinastisë Song Veriore (960-1127), që kishte banorët hanë si popullsi bazë, hasi vështirësi të shumta brenda e jashtë vendit dhe populli vuante prej varfërisë e dobësisë së shtetit. Brenda vendit, fshatarët, që bënin një jetë të vështirë, shpallnin shpeshherë kryengritje antiqeveritare, ndërsa jashtë vendit, regjimet e Liaos dhe Sias Perëndimore, që ishin fqinj të fuqishëm me dinastinë Song Veriore, e kërcënonin vazhdimisht ushtarakisht atë.

Për të ndryshuar gjendjen e varfërisë dhe dobësisë së vendit të tij, perandori Shenzong i dinastisë Song Veriore, që sapo kishte trashëguar fronin dhe që shpresonte se vendi i tij do të pasurohej dhe ushtria do të fuqizohej, vendosi që të bëhej një reformë nën udhëheqjen e reformistit Vang Anshi. Kështu që filloi me vrull "reforma e Van Anshiut", e cila ushtroi një ndikim të thellë në historinë kineze.

Vang Anshiu mori një sërë masash të reformës ekonomike, njëra prej të cilave ishte edhe masa për shtimin e të ardhurave financiare shtetërore nëpërmjet rregullimit të kërkesës së tregut. Ai përpiloi "Rregulloren e transportit të përpjesëtuar", në bazë të së cilës u përcaktuan zyrtarët e transportit në krahinat e Kinës Juglindore dhe ata u ngarkuan me detyrën që, sipas ndryshmit të çmimeve të mallrave në treg, të rregullonin materialet që transportoheshin çdo vit në kryeqytetin Kaifeng, sot qyteti me të njëjtin emër i provincës Hënan. Me vënien në jetë të kësaj mase, u kursyen shpenzimet e qeverisë perandorake dhe u pakësuan keqpërdorimet. Ndër masat ekonomike që mori Vang Anshiu, ishte edhe përpilimi i "Rregullores së shkëmbimeve në treg", sipas së cilës shteti grumbullonte produktet me çmim të zakonshëm dhe ua shiste me kredi tregtarëve, që ata t'i shisnin në treg me çmim pak më të lartë. Shteti mund t'u jepte tregtarëve kredi me kamatë të caktuar. Të gjitha këto mund të konsiderohen si faza embrionale e zhvillimit të ekonomisë nëpërmjet rolit të tregut, që përdori shteti kinez i atëhershëm në kushtet e shoqërisë feudale.

Vang Anshiu mori edhe masa të tjera për rregullimin e marrëdhënieve klasore brenda vendit dhe për inkurajimin e popullit në zhvillimin e prodhimit. Në bazë të rregullave të përpiluara prej tij, çdo vit, në kohën e mbjelljeve dhe para korrjes së të lashtave, shteti u jepte fshatarëve hua me kamatë të ulët, që ata t'ia kthenin bashkë dhe kamatën pas korrjeve. Kështu që shteti fitonte të ardhura të konsiderueshme nga kamata dhe, nga ana tjetër, fshatarët mund t'i shmangeshin humbjes së tokave për shkak të falimentimit si rrjedhim i shfrytëzimit nga fajdexhinjtë, që u jepnin hua me kamatë të lartë. Me iniciativën e Vang Anshiut, u përpilua edhe një ligj, në bazë të të cilit familjeve fshatare mund të hiqej shërbimi i detyrueshëm, po të paguanin para. Në këtë mënyrë, në kohën e zënë me shumë punë në ara, fshatarët që kishin dalë për të bërë shërbimin e detyrueshëm mund të ktheheshin për të bërë punët e veta. Po kështu, njerëzit me pozita të privilegjuara, që dikur nuk bënin shërbim të detyrueshëm, duhej t'i paguanin shtetit para në vend të shërbimit të detyrueshëm.

Në saje të këtyre masave reformuese, u goditën fort interesat ekonomike të çifligarëve që "aneksonin tokat" dhe të fajdexhinjve që jepnin hua me kamatë të lartë dhe, nga ana tjetër, u shtuan të ardhurat shtetërore e u zbutën kontradiktat klasore midis çifligarëve dhe fshatarëve. Si rezultat, hambarët e shtetit u mbushën plot me drithëra dhe materiale të tjera.

Mirëpo, kjo lëvizje e vrullshme e reformës nuk zgjati për shumë kohë. Pas vdekjes së perandorit Shenzong të dinastisë Song Veriore, konservatorët i anuluan këto masa reformuese, sepse ato prekën interesat ekonomike të disa njerëzve të oborrit perandorak, të çifligarëve dhe të fajdexhinjve. Një shkak tjetër i dështimit të kësaj reforme ishte se zbatimi i disa masave reformuese devijoi nga binari i drejtë dhe mungonin zyrtarët e aftë e të pastër moralisht që t'i vinin në jetë këto masa, madje shumë zyrtarë filluan t'i rripnin pa mëshirë fshatarët me një mënyrë tjetër, duke përfituar nga rasti i reformës që e quanin "politika e re". Përveç këtyre, reforma e Vang Anshiut preku edhe "zonën e ndaluar" të diskutimit rreth doktrinës konfuciste, që thoshte se "Drejtësia është mbi leverdinë" dhe që ka qenë doktrina tradicionale në Kinë.

Ndonëse reforma e Vang Anshiut dështoi, fryma e tij si një reformist dhe masat reformuese që mori ai, mbetën si pasuri e ndritur ideore në historinë e civilizimit kinez dhe ai mund të konsiderohet si një nga pionierët reformistë kinezë, pas Shang Yang-ut. (Zheng) (Artan)

© China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China. 100040