Po mbushen tani 30 vjet të reformës në Kinë, reformë që nisi të zbatohet me iniciativën e të ndjerit udhëheqës kinez Ten Hsiao Pin dhe që solli ndryshime kolosale në shoqërinë kineze, duke ngritur nivelin e jetës së popullit dhe duke rritur potencialin kompleks shtetëror të Kinës. Në fakt, edhe në lashtësinë e largët, u zhvilluan disa herë në Kinë reforma të rëndësishme, të cilat shënuan faqe të ndritura të historisë kineze. Njëra prej tyre ka qenë edhe reforma e Shang Yang-ut, një reformë e rëndësishme e zhvilluar para 2400 vjetëve, për të cilën do të flasim në rubrikën kulturore të emisionit të sotëm.
Vitet e mesme të periudhës së "Shteteve Ndërluftuese" në historinë kineze, vite gjatë shekullit të 4-t para erës sonë, ishin vite të reformës së thellë në Kinë, kur u shemb sistemi shoqëror skllavopronar dhe u vendos sistemi shoqëror feudal. Në ato vite u ngrit një fushatë reformash në të gjitha principatat dhe shtetet vasale të dinastisë Zhou në truallin kinez. Ndër to, reforma në shtetin Çin, me reformistin e famshëm Shang Yang si iniciator, ishte më e suksesshmja. Po ndalemi te pikat më të rëndësishme të kësaj reforme.
Një nga pikat më të rëndësishme të reformës së Shang Yangut ishte anulimi i rendit të vjetër të posteve dhe pronave të trashëgueshme zyrtare, që ishte një nga rendet e shoqërisë skllavopronare. Me këtë pikë të reformës u konsolidua sistemi feudal i porsalindur. Propozimet e Shang Yang-ut për reformë u përkrahën fuqimisht nga Çin Xiao Gong, monarku i atëhershëm i shtetit Çin. Shang Yang i inkurajonte komandantët dhe ushtarët e shtetit Çin që të krijonin sa më shumë merita në fushën e betejave. Ai ishte për dhënien e titujve aristokratikë sipas meritave ushtarake dhe për zgjidhjen e zyrtarëve nga gjiri i njerëzve me tituj të dhënë sipas rendit të ri. Madje ai përcaktoi edhe rregullin konkret, sipas të cilit ushtarakët gradoheshin sipas numrit të kokave të armiqve të prera prej tyre në fushën e betejës. Togfjalëshi "shou ji" i gjuhës kineze, që do të thotë "kokë-gradë" dhe që e lidhte dikur gradimin e ushtarakëve me numrin e kokave të prera të armiqve, ka ardhur pikërisht nga ky rregull. Përcaktimi i statusit aristokratik sipas meritave ushtarake ishte një goditje e rëndë për aristokratët e vjetër të shtetit Çin, që i trashëgonin dikur titujt aristokratikë sipas marrëdhënieve të gjakut. Prandaj ata e urrenin në palcë Shang Yang-un. Por reforma e tij luajti një rol të madh në shtytjen përpara të shoqërisë kineze, duke inkurajuar komandantët dhe ushtarët e ardhur nga familjet e varfra të luftonin trimërisht dhe duke frenuar jetën luksoze të aristokratëve të vjetër. Në saje të administrimit të vendit në bazë të këtij ligji, ushtria e shtetit Çin u bë gjithnjë e më e fuqishme dhe potenciali i tij shtetëror u rrit nga viti në vit, prandaj pas afro 120 vjetëve të tjerë, në vitin 221 para erës sonë, shteti Çin shfarosi të 6 fuqitë e tjera të periudhës së "Shteteve ndërluftuese" dhe bashkoi tokat kineze në një të tërë, duke themeluar dinastinë Çin, që ishte e para perandori e bashkuar kineze.
Në saje të reformës së Shang Yang-ut, u forcua centralizimi i pushtetit qendror dhe u dobësuan privilegjet e aristokratëve të vjetër. Me nismën e Shang Yang-ut, shteti Çin e ndau territorin e tij në 31 distrikte të kontrolluara drejtpërdrejt nga qendra, që mori në duart e veta të gjitha privilegjet lokale që gëzonin më parë pronarët. Të gjitha këto jo vetëm siguruan nga ana politike zbatimin e mëtejshëm të sundimit sipas ligjit dhe ngritën rendimentin e punës politike të shtetit Çin, por edhe hodhën një bazë të shëndoshë për centralizimin e pushtetit qendror të dinastisë Çin, që u themelua më vonë pas bashkimit të tokave kineze.
Masat reformuese që mori Shang Yang-u, ngjallën në mënyrë të pashmangshme ankesat dhe urrejtjen e aristokratëve të vjetër ndaj tij. Në fakt, të gjitha reformat e suksesshme që u zhvilluan gjatë shekujve, i ndryshuan jo vetëm parimet e administrimit të vendit, por edhe marrëdhëniet e interesave, duke prekur interesat e disave, prandaj ndeshën në pengesa dhe reformistët pësuan goditje. Po kështu, Shang Yang-u e pagoi me kokë reformën e tij. Pas vdekjes së monarkut Çin Xiao Gong, që e kishte përkrahur reformën e tij, Shang Yang-u u vra nga aristokratët e vjetër të shtetit Çin. Por ligjet e reja të shtetit Çin, të përpiluara prej tij, u ruajtën dhe ushtruan ndikim të thellë në sistemin shoqëror feudal kinez.
Ju flet Radio e Jashtme e Kinës. Të dashur dëgjues, dhamë materialin me titull "Reforma e Shang Yang-ut, një nga reformat e rëndësishme në historinë kineze". (Zheng) (Artan)
|