Gjatë reformës dhe hapjes 30-vjeçare, në degët e ndryshme të ekonomisë kineze kanë ndodhur ndryshime të mëdha, pa përjashtuar edhe fushën financiare. Gjatë 30 vjetëve, tregu i aksioneve i Kinës është zhvilluar vazhdimisht; llojet e shërbimeve bankare janë shtuar gjithnjë e më shumë, sigurimet kanë hyrë në familjet e banorëve të thjeshtë, edhe fshatarët e zonave të largëta malore kanë shijuar të mirat e sjella nga sigurimet. Në pjesën e parë të artikullit "30 vjet reformë dhe hapje e Kinës në fushën Financiare " do t'ju njohim me zhvillimin e tregut të aksioneve të Kinës gjatë reformës dhe hapjes 30-vjeçare.
Qytetarja 51?vjeçare, znj. Chen Fan, ka hyrë para 9 vjetësh në tregun e aksioneve dhe filloi aktivitetin e shitblerjes së aksioneve. Ajo tani është bërë një tregtare veterane e aksioneve dhe ndjekja e tregut të aksioneve është përfshirë në programin e saj të përditshëm. "Çdo ditë, pas gjimnastikës së mëngjesit në park, filloj të ndjek në internet gjendjen e tregut të aksioneve dhe bëj shitblerje të ndonjë aksioni kur ka çmim të përshtatshëm." Znj. Chen është një nga afro 100 milionë tregtarët kinezë të aksioneve. Tani gjendja e tregut të aksioneve është bërë fokusi i publikut kinez. Nga qershori i vitit 2005 deri në tetor të vitit 2007, treguesit e përgjithshëm të tregut të aksioneve të Shangait u ngritën nga 1000 në 6000 pikë, por vetëm pas një viti, këta tregues zbritën nga 6000 në 2000 pikë. Tronditjet e tregut të aksioneve kanë tërhequr vëmendjen e madhe të paparë të publikut kinez. Tani, kudo në supermarkete, parqe ose restorante, mund të dëgjohen bisedat e njerëzve mbi gjendjen e tregut të aksioneve.

Kurse para 30 vjetësh, në Kinë kishte vetëm pak njerëz që e dinin se ç'janë aksionet
Në vitin 1984, qeveria kineze filloi të lejojë punonjësit e ndërmarrjeve të investonin për blerjen e aksioneve dhe të merrnin fitimet në fund të vitit. Pastaj, në nëntor të vitit 1984 u vu në qarkullim aksioni i parë "Feilë".
Më pas tregu i aksioneve në Kinë filloi të marrë një zhvillim të shpejtë. Në vitet '90 të shekullit të kaluar, numri i ndërmarrjeve aksionare në treg ishte vetëm mbi 10, kurse tani ndërmarrjet aksionare për shitblerje në dy tregjet e aksioneve të Shangait dhe Shenzhenit i ka kaluar 1800. Gjithashtu qendra tregtare të tregut të aksioneve janë shpërndarë në qytete të ndryshme të Kinës e tregtarët e aksioneve përdorin në përgjithësi edhe shitblerjen me telefon ose në internet.
Edhe vlerat e aksioneve të ndërmarrjeve aksionare në treg janë rritur vazhdimisht dhe vlera e përgjithshme e dy tregjeve të aksioneve, të Shangait dhe të Shenzhenit, arriti në pikën më të lartë më se 30 trilionë juanë.

Profesori i Institutit të studimeve të aksioneve dhe të tregtisë me kontratë me zbatim të ardhshëm pranë Universitetit Qendror ekonomiko-financiar të Kinës He Qiang është i mendimit se gjëja më e rëndësishme është ngritja e cilësisë së ndërmarrjeve aksionare për shitblerje në treg. "Në fillim, shumë ndërmarrje aksionare për shitblerje në treg nuk ishin me cilësitë e duhura. Pas reformës së sistemit të hyrjes së aksioneve në treg, ne kemi ngritur kërkesat për nivelin e ndërmarrjeve që kërkojnë të hyjnë në tregun e aksioneve, prandaj, cilësia e ndërmarrjeve aksionare në treg është ngritur, gjë që i dha një bazë të fortë zhvillimit të qëndrueshëm të tregut tonë të aksioneve."
Krahas përsosjes së tregut të aksioneve, edhe hapat e hapjes së tregut kinez të aksioneve janë shpejtuar gradualisht. Deri në fund të vitit 2006, Kina ka vënë plotësisht në jetë premtimet e bëra për hyrjen në OBT mbi hapjen e tregut të aksioneve ndaj botës së jashtme. Kjo hapje ka nxitur procesin e tregëzimit dhe ndërkombëtarizimit të tregut të aksioneve të Kinës, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. (Zhai)
|