Programi amerikan "Apollo" ka kaluar një rrugë 10 vjeçare, ku kanë marrë pjesë 200 mijë ndërmarrje, si dhe më se 200 shkolla të larta e institucione kërkimore, duke u përgatitur kështu për SHBA-në një numër i madh shkencëtarësh të nivelit të lartë. Rezultatet e tyre të studimeve shkencore nxitën zhvillimin e gjithanshëm të teknologjisë së re dhe të lartë, si të asaj kompjuterike, të telekomunikacionit, të matjes dhe kontrollit, të raketave, të rrezeve lazer, të materialeve dhe të mjekësisë etj. në vitet '60-'70 të shekullit të 20-të në SHBA, duke e ngritur nivelin e përgjithshëm tekniko-shkencor në një lartësi të re. Rezultatet tekniko-shkencore të arritura gjatë programit "Apollo" kanë depërtuar në fushën ekonomike duke u shkrirë, u përmirësuar dhe u rikrijuar për herë të dytë, gjë që i solli SHBA-së lulëzimin ekonomik të viteve '80 të shekullit të kaluar. Deri në vitin 2010, kapitali i SHBA-së në fushën kozmike do të arrijë në 500 deri në 600 miliardë dollarë, ndërsa deri në vitin 2020, vlera e industrisë kozmike të SHBA-së do të përbëjë 10 deri në 15% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.
Siç mësohet, në 10 vjetët e parë të këtij shekulli, përfitimet e mëdha të parashikuara do të tërheqin një sasi të madhe fondesh në industrinë kozmike globale, që do të jenë rreth 650 deri në 800 miliardë dollarë amerikanë. Në fushën kozmike, industria më karakteristike ka të bëjë me prodhimin e satelitëve, shërbimet për lëshimin e satelitëve dhe shërbimet zbatuese të satelitëve, si dhe me prodhimin e instalimeve tokësore. Industria e satelitëve tregtarë krijon më se 80 miliardë dollarë amerikanë në vit. Të dhënat tregojnë se, duke kthyer teknologjinë kozmike në industri, SHBA-ja ka nxjerrë përfitime të mëdha prej 2 mijë miliardë (ose 2 trilionë) dollarësh amerikanë. Në Angli gjatë vitit 2000-2001, të ardhurat e përgjithshme të industrisë kozmike arritën në 4 miliardë e 600 milionë dollarë, të ardhurat e Francës nga kjo industri do të arrijnë në 20 miliardë dollarë në vit, kurse Rusia përfiton çdo vit afro 900 milionë dollarë gjatë lëshimit kozmik. (Zhai)
|