dëgjoni
Në Kinë, opera Kunqu quhet "nëna e operës". Ky art i lashtë skenik kinez me një histori prej 600 vjetësh është trashëgimi gojore e jomateriale kulturore e njerëzimit. Sot do t'ju flasim për aktorin e ri të operës Kunqu Yu Jiulin. Yu Jiulini është fituesi i çmimit "Lule kumbulle" - çmimi më i lartë i operës në Kinë. Ai u shpreh se dëshira më e madhe e tij është që të përhapet më tej ky art i lashtë.
Të dashur dëgjues, po dëgjoni pjesën e operës Kunqu "Mudanting" të kënduar nga Yu Jiulini. Kjo është një pjesë e lashtë dhe tipike e operës Kunqu dhe përshkruan dashurinë midis djalit Liu Mengmei dhe vajzës Du Liniang. Vajza nga familja e funksionarëve Du Liniang e hasi studentin e varfër Liu Mengmei në kopsht dhe dy të rinjtë ranë në dashuri. Por për shkak të kundërshtimit nga familja, ata u detyruan të ndahen. Yu Jiulini interpreton studentin Liu Mengmei.
30-vjeçari Yu Jiulin është aktor i trupës së operës Kunqu të qytetit Suzhou të provincës Jiangsu dhe provinca Jiangsu është pikërisht vendlindja e kësaj opere. Para disa vjetëve, si shumë arte të lashta, opera Kunqu ishte në gjendje të vështirë zhvillimi. Shikuesit ishin shumë të paktë. Yu Jiulini dhe aktorë të tjerë shkonin nganjëherë në pika turistike për t'u shfaqur operën Kunqu turistëve. Në vitin 2002, studiuesi dhe shkrimtari i famshëm tajvanez Bai Xianyong erdhi posaçërisht në trupën e operës Kunqu të Suzhout duke shprehur shpresën për ringjalljen e këtij arti të lashtë dhe të bukur. Nëpërmjet konsultimeve, të dyja palët vendosën të përshtatin dhe të shfaqin pjesën "Mudanting" të versionit për të rinj. Dhjetëra specialistë dhe artistë të famshëm të pjesës së brendshme të Kinës, të Hong-Kongut dhe të Tajvanit morën pjesë në përshtatjen e kësaj pjese. Bai Xianyongu e zgjodhi Yu Jiulinin të luajë personazhin kryesor Liu Mengmei.
Për ta interpretuar mirë këtë personazh, Yu Jiulini mësoi posaçërisht nga artisti i vjetër i operës Kunqu Wang Shiyu. Ai tha:
"Wang Shiyu është mjeshtër i operës Kunqu dhe jam shumë i gëzuar që kam rast të mësoj nga ai."
Wang Shiyu kishte kërkesë të lartë për Yu Jiulinin dhe aktorët e tjerë të pjesës "Mudanting" dhe u kërkoi të bëjnë çdo veprim në skenë sipas standardit. Nën drejtimin e tij, Yu Jiulini dhe aktorë të tjerë bënë prova të herëpashershme.
Në prill të vitit 2004, versioni i ri i "Mudantingut" u shfaq në Tajvan. Shikuesit tajvanezë u prekën thellë nga dashuria romantike dhe u habitën shumë nga figurat e bukura të personazheve të operës. Shfaqja pati sukses të jashtëzakonshëm. Krahas rajoneve të gjuhës kineze, edhe në vendet perëndimore, pjesa "Mudanting" ka fituar përshëndetjen e shikuesve të atyshëm. Duke kujtuar shfaqjen e pjesës "Mudanting" në SHBA në vitin 2006, Yu Jiulini tha:
"Pas mbarimit të shfaqjes, shikuesit e pranishëm nuk ikën dhe përplasnin duart pa pushim. Ata u habitën shumë me artin aq të bukur tradicional të Kinës. Në të kaluarën, shikuesit perëndimorë shikonin rrallë opera kineze me temën e dashurisë."
Me përpjekjet e artistëve të operës Kunqu dhe të personaliteteve përkatëse, sot opera Kunqu ka filluar procesin e ringjalljes, më shumë njerëz kanë filluar t'i kushtojnë vëmendje këtij arti të lashtë. Krahas kinezëve, edhe mjaft të huajve u pëlqen shumë kjo operë. Për shembull në Japoni ka trupë të operës Kunqu. Yu Jiulini u shpreh se kur sapo filloi të mësojë operën Kunqu, ai nuk e mendonte se kjo operë ka magji aq të madhe. Sot ai ka thelluar më tej kuptimin për këtë art.
"Mudanting" është pjesa më e njohur e operës Kunqu. Nëpërmjet bashkëpunimit me artistë japonezë, u shfaq në Japoni "Mudanting" në versionin e gjuhës japoneze. Kjo pjesë u përshtat edhe në balet. Njëkohësisht janë botuar shumë libra dhe disqe DVD lidhur me të. Yu Jiulini është i mendimit se pjesa "Mudanting" ka ngjallur entuziazmin e kinezëve për kulturën tradicionale. Ai tha:
"Pjesa 'Mudanting' ka ngjallur jehonë të madhe në tërë shoqërinë. Si pasojë, shumë njerëz kanë filluar t'i kushtojnë vëmendje operës Kunqu madje mbarë kulturës tradicionale. Mendoj se ky është një nga qëllimet e shfaqjes së kësaj pjese."
Në qershor të këtij viti, trupa e operës Kunqu e Suzhout do të shkojë në Angli për të shfaqur "Mudanting". Pas kthimit në atdhe, ata do të fillojnë të eksperimentojnë veprën tjetër "Yuzanji". Kjo është një pjesë tjetër tradicionale e operës Kunqu dhe përshkruan përsëri dashurinë e një çifti të ri. (Fani)
|