dëgjoni
Tani në Kinë po zhvillohet me vrull puna e shpëtimit nga fatkeqësia. Krahas sistemimit të masave popullore të prekura nga fatkeqësia dhe rindërtimit të vatrave, parandalimi i ndodhjes përsëri të fatkeqësisë pas tërmetit ka tërhequr vëmendjen e qarqeve të ndryshme. Në konferencën e shtypit të organizuar më 25 maj nga zyra e shtypit e Këshillit të Shtetit të Kinës, funksionari përkatës u shpreh se Kina ka forcuar paralajmërimin për rrezikun nga veprat e dëmtuara hidrike nga tërmeti dhe nga liqenet e bllokuara dhe ka hartuar projektin e zhdukjes së rrezikut dhe projketin e shpërnguljes së banorëve. Ai tha se Kina do të bëjë përpjekjet më të mëdha për të parandaluar fatkeqësinë pas tërmetit.
Në këtë konferencë shtypi, zv-ministri i Burimeve Ujore të Kinës E Jingping u shpreh se deri në orën 8 të 25 majit, tërmeti në Wenchuan ka shkaktuar gjendje të rrezikshme në mbi 2000 rezervuarë të ujit të mbarë vendit, ndër të cilët më se 70% prej tyre janë në provincën Sichuan. E Jingping tha se organet e burimeve ujore u kanë kushtuar gjithmonë vëmendje këtyre rezervuarëve të rrezikshëm të ujit. Ai tha:
"Ministria e Burimeve Ujore ka dërguar specialistë në këta rezervuarë të ujit për të hetuar gjendjen e rrezikshme dhe ka marrë masat e duhura si uljen e nivelit të ujit, zbrazjen e ujit etj. Deri tani, 69 rezervuarë të ujit të prishur në provincën Sichuan janë boshatisur ,ndërsa 826 të tjerë kanë ulur nivelin e ujit. Këto masa kanë garantuar efektivisht sigurinë e rezervuarëve të ujit."
Krahas këtyre, Ministria e Burimeve Ujore ka dërguar specialistë dhe skuadra të shpëtimit nga rreziku për të riparuar disa rezervuarë të ujit me gjendjen më të rrezikshme.
Edhe liqenet e bllokuara kanë rrezik të madh. Nëse shkatërrohen pengesat e bllokimit, këto liqene kanë mundësi të shkaktojnë përmbytje. Siç bëhet e ditur, pas rënies së tërmetit, në provincën Sichuan u formuan më se 30 liqene të tilla.
E Jingping u shpreh se Ministria e Burimeve Ujore ka zotëruar gjendjen e liqeneve të ndryshme të bllokuara. Specialistët përkatës kanë vlerësuar rrezikun e këtyre liqeneve. Liqeni Tangjiashan është liqeni më i rrezikshëm i bllokuar, tani puna e zhdukjes së rrezikut po zhvillohet me vrull.
Liu Ning është inxhinieri i përgjithshëm i Ministrisë së Burimeve Ujore të Kinës, ai ka qenë posaçërisht në liqenin Tangjiashan për t'u njohur me gjendjen. Liu Ning u shpreh se tani organet përkatëse kanë krijuar 4 pika të vëzhgimit në liqenin Tangjiashan për të paralajmëruar rrezikun. Ai tha:
"Edhe qeveritë vendase kanë hartuar projektin e shpërnguljes së banorëve në rrjedhën e poshtme të liqenit Tangjiashan. Nëse shtohet rreziku, do të nisë menjëherë ky projekt."
Sipas lajmit të fundit, më 26 maj në orën 0 e 35 minuta, një skuadër profesioniste e shpëtimit nga rreziku e policisë së armatosur arriti në liqenin Tangjiashan duke filluar punën e zhdukjes së rrezikut. (Fani)
|