v Protokolli mbi bashkëpunimin e uebsajtit në gjuhën shqipe të CRI Oline me botën e jashtmev Tërmeti në Wenchuan
SONDAZH OLIMPIK
ZONA E ANKETAVE
ENCIKLOPEDIA
China Radio International
Rreth Kinës
Nga Bota
   Politikë
   Ekonomi
   Kulturë
   Shkencë e Teknikë
   Sport

Fusha ekonomike

Muzika

Sport
Shkencë e Teknikë

Tregime dhe Legjenda Kineze
(GMT+08:00) 2007-12-21 18:20:07    
Li Hong-zhang, politikan kinez i shekullit të 19-të

cri

Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, ndërsa fuqitë perëndimore zhvilloheshin me vrull, shoqëria feudale kineze kishte marrë tatëpjetën dhe regjimi i dinastisë Qing ngulte këmbë në politikën e dyerve të mbyllura, duke treguar një mendjemadhësi të kotë. Pas Luftës së Opiumit kino-angleze të vitit 1840, qeveria kineze u detyrua të nënshkruante një traktat të pabarabartë me Anglinë. Më vonë, Kina pësoi disfata të njëpasnjëshme në luftë dhe, si pasojë, nënshkroi një sërë traktatesh të tjera të pabarabarta. Rrjedhimisht, në shtresën sundimtare të Kinës lindi një koncept ksenofobie i refuzimit dhe mënjanimit të çdo gjëje të huaj. Në ato rrethana, politikani Li Hong-zhang dhe disa persona të tjerë kuptuan të parët epërsinë e Perëndimit "me anije të përsosura dhe me topa të fortë" dhe paraqitën propozimin që kinezët të mësonin dhe të shfrytëzonin njohuritë dhe teknologjitë e përparuara të vendeve perëndimore. Ata u quajtën nga populli "Perëndimorizues" dhe veprimtaria e tyre u quajt "Lëvizja e Perëndimorizimit".

Në fillim, ata kishin qëllim për "vetëfuqizimin e vendit" dhe i kushtonin vëmendje zhvillimit të industrisë moderne të armëve. Li Hong-zhang hapi një uzinë të madhe armësh dhe pajtoi personel teknik të huaj për të drejtuar prodhimin. Kjo uzinë prodhoi një sasi të madhe armatimesh moderne, gjë që i dha fund gjendjes kur ushtria kineze përdorte hanxharë, heshta, shigjeta dhe anije me vela. Me përpjekjet e tij, u formua reparti më i madh i forcave detare moderne me disa baza të tyre, gjë që u bë nisma e modernizimit të mbrojtjes kombëtare të Kinës. Li Hong-zhang krijoi edhe ndërmarrjen e parë moderne kineze të transportit ujor. Nën drejtimin e tij, në Kinë u ndërtua hekurudha e parë, u hap linja e parë elektrike tokësore, u ngrit telegrafi i parë, u hap fabrika e parë moderne e tekstileve dhe ndërmarrje të tjera. Me propozimin e tij, Kina dërgoi për herë të parë studentë për studime në vende të tjera.

Meqë e njihte qartë disnivelin midis Kinës dhe Perëndimit në potencialin ekonomik dhe ushtarak, Li Hong-zhang, si kryeministri i dinastisë Qing, ishte për "fjalën e matur" në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por ky mendim, me të cilin ai i drejtonte punët e jashtme të vendit, u shndërrua më në fund në një politikë kapitulluese dhe të kompromisit të verbër, gjë që u bë tragjedi për shtetin kinez dhe për veten e tij. Në fund të shekullit të 19-të, Li Hong-zhang, në emër të qeverisë së dinastisë Qing, nënshkroi traktate të shumta të pabarabarta me vende të huaja. Në vitin 1901, pas agresionit të trupave aleate të 8 fuqive kundër Kinës, ai nënshkroi "Traktatin e vitit të kaut", sipas të cilit Kina u pagoi fuqive perëndimore dëmshpërblimin e luftës prej 14000 tonë argjendi që përdorej si para. Dy muaj pas nënshkrimit të këtij traktati, qeveria ruse ngriti zërin për të marrë nga Kina më shumë përfitime. Li Hong-zhang u sëmur rëndë nga zemërimi dhe vdiq në moshën 78-vjeçare.

Për jetën dhe veprimtarinë e Li Hong-zhangut, brezat e mëvonshëm nuk bëjnë vlerësim të njëllojtë. Disa e quajnë "tradhtar i kombit", kurse të tjerët thonë se "ai nuk jetoi në kohë të volitshme". Kur ishte gjallë, duke shprehur keqardhje, ai e quante veten "arnues" që i vinte me besnikëri arna "anijes plot me vrima" të feudalizmit, që po fundosej. (Zheng)