dëgjoni 
Më 17 nëntor, kryetari i shtetit i Kinës Hu Jintao mbajti në Samitin Industrialo-Tregtar të APEK-ut ( Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Azisë dhe të Paqësorit ) fjalimin me titull " Rrënjosje e ideve të hapjes dhe bashkëpunim me leverdi reciproke". Ai shkëmbeu mendime me qindra industrialistë dhe tregtarë rreth lulëzimit të përbashkët në rajon dhe në botë.
Ndërmarrjet industriale dhe tregtare janë faktorë të rëndësishëm për nxitjen e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare ndërkombëtare. APEK-u është një forum i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar në rajonin e Azisë dhe të Paqësorit. Sipas rregullave, gjatë punimeve të APEK-ut mbahet patjetër Samiti Industrialo-Tregtar, në të cilin liderët e vendeve anëtare të APEK-ut mbajnë fjalime, për të shtjelluar politikën dhe mendimet e tyre për zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror.
Në fjalimin e tij mbajtur më 17 nëntor, Hu Jintao shkëmbeu mendime me liderët e qarqeve industrialo-tregtare kryesisht rreth problemit të bashkëpunimit me leverdi reciproke.
Ai tha: " Sot, zhvillimi i Kinës ka tërhequr vëmendjen e gjerë të komunitetit ndërkombëtar. Kina po mendon për një problem të rëndësishëm, se si ajo me zhvillimin e vet, të japë vazhdimisht kontribut për lulëzimin e përbashkët rajonal dhe botëror."
Pas fillimit të reformës dhe të hapjes, ekonomia kineze është zhvilluar me ritme të shpejta, potenciali i përgjithshëm shtetëror është shtuar pandërprerë dhe jeta e popullit kinez një miliard e 300 milionësh është përmirësuar pandërprerë. Faktet kanë vërtetuar se zhvillimi i ekonomisë kineze jo vetëm është në dobi të popullit kinez, por ka krijuar edhe shumë mundësi dhe një treg më të gjerë për të gjitha vendet e botës. Kina po bëhet një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike të rajonit të Azisë dhe të Paqësorit dhe të mbarë botës.
Por duhet të vërejmë se megjithëse janë arritur suksese të mëdha në zhvillimin ekonomik, Kina mbetet ende vendi më i madh në zhvillim. Kryetari i shtetit i Kinës Hu Jintao vuri në dukje se Kina do të vazhdojë me vendosmëri rrugën e zhvillimit paqësor që nëpërmjet arritjes së një mjedisi paqësor ndërkombëtar të zhvillohet vetë dhe nëpërmjet zhvillimit të saj të nxitet paqja në botë. Ai tha: " Kina do t'i përmbahet politikës themelore të hapjes ndaj botës së jashtme, do të zhvillojë gjerësisht bashkëpunimin ndërkombëtar, do të përmirësojë më tej mjedisin për investime, do të hapë më tej tregun dhe do të realizojë leverdi e fitime të përbashkëta me të gjitha vendet e botës. Faktet kanë vërtetuar se zhvillimi i Kinës nuk pengon dhe nuk kërcënon askënd, por përkundrazi, është në favor të paqes, stabilitetit dhe të lulëzimit në botë."
Për të realizuar zhvillimin proporcional të ekonomisë botërore, komuniteti ndërkombëtar duhet të zgjidhë problemin energjetik. Hu Jintao vuri në dukje: " Sot, të gjitha vendet e botës duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta, për të ruajtur stabilitetin e tregut botëror të energjisë dhe për të krijuar një mjedis energjetik të plotë, të sigurt, ekonomik dhe të pastër për zhvillimin e vazhdueshëm të ekonomisë botërore, e njëkohësisht të shtojnë forcat për shfrytëzimin e burimeve energjetike, të thellojnë bashkëpunimin energjetik, të ngrenë efektivitetin e shfrytëzimit të burimeve energjetike dhe të shfrytëzojnë burime të reja energjetike.
Për të realizuar bashkëpunimin me leverdi reciproke në rajon dhe në botë, Hu Jintao paraqiti pikëpamjen e tij: Rrënjosje e ideve të hapjes, ndërtim i një bote harmonike, shtim i besimit reciprok, shtim i kontakteve ekonomiko-tregtare, forcim i dialogut dhe i konsultimeve, zgjidhje e përshtatshme e mosmarrëveshjeve, forcim i bashkëpunimit dhe ruajtje e sigurisë dhe e stabilitetit. ( zhang )
|