22 gushti është 100 vjetori i ditëlindjes së udhëheqësit të ndjerë kinez Ten Siao Pin. Tani do t'ju tregoj se si ky projektues i përgjithshëm i reformës, hapjes dhe modernizimeve të Kinës nxiti ndërtimin e ekonomisë së tregut në Kinë.
Në vitin 1949 pas shpalljes së Kinës së re, si një vend socialist, Kina trashëgoi modelin e ndërtimit të ish-Bashkimit Sovjetik dhe zbatoi ekonominë e planifikuar si formë kryesore, duke theksuar administrimin e planifikuar të ekonomisë. Në vitet e para ky sistem i ekonomisë së planifikuar mobilizoi në mënyrë efikase burimet shtetërore dhe nxiti zhvillimin e ekonomisë. Por më vonë, si pasojë e theksimit të njanëshëm të ekonomisë së planifikuar dhe e bojkotimit të rolit rregullues të faktorëve të tregut mbi ekonominë, në ekonominë kineze u dukën gabime dhe të meta.

Në fund të vitet 70 të shekullit të kaluar, Ten Siao Pini u bë bërthama e kolektivit udhëheqës të brezit të 2-të të Kinës. Pas vëzhgimeve dhe mendimeve të thella lidhur me situatën e brendshme dhe të jashtme, ai parashtroi se për zhvillimin e shpejtë të Kinës, duhet të shprehim lirshëm mendimet, të kërkojmë të vërtetën nga faktet dhe të lejojmë ekonominë e tregut. Në kushtet e atëhershme historike për ndryshimin e modelit të zhvillimit ekonomik të dikurshëm ekzistonin pengesa të mëdha dhe duhej guximi i madh politik. Doktor Xhu Jan i Shkollës Qendrore të PK të Kinës kujton:
"Më 26 nëntor 1979, në një bisedë me miq të huaj, shoku Ten Siao Pin parashtroi me guxim mendimin se edhe socializmi mund të merrej me ekonominë e tregut. "
Me propozimin dhe inkurajimin e Ten Siao Pinit, në vitin 1980 në Kinë u krijuan 4 zona të posaçme ekonomike në qytete bregdetare të Kinës jugore si Shenxheni etj., si pika eksperimentale këto të sistemit të reformës ekonomike. Deri në fillim të viteve 90, në këto zona eksperimentale ekonomia mori një zhvillim të shpejtë, tregu lulëzoi, shoqëria përparoi dhe jeta e popullit u përmirësua dukshëm.
Në mars të vitit 1992 Ten Siao Pin mbajti gjatë vizitës në jug një fjalim, i cili luajti një rol shumë të madh për krijimin e ekonomisë së tregut në Kinë.

Funksionari Li Luo Li që ka qënë shoqëruesi i Ten Siao Pininit gjatë kësaj vizite tha:
"Shoku Siao Pin tha se edhe socializmi ka ekonominë e vet të tregut, po të mos zhvillojmë ekonominë e tregut, do të hyjmë në qorsokak. Zhvillimi është detyrë e dorës së parë."
Fjalimi i Ten Siao Pinit gjatë vizitës në jug unifikoi mendimet e qarqeve të ndryshme të Kinës dhe fill pas kësaj, Kina mori vendimin strategjik të ndërtimit të ekonomisë socialiste të tregut. Qysh atëherë krijimi dhe përsosja e sistemit të ekonomisë socialiste të tregut është bërë qëllimi i reformës ekonomike të Kinës. Doktor Xhu Jan tha se çdo hap zhvillmi i ekonomisë së tregut lidhetë ngusht me nxitjen dhe inkurajimin e Ten Siao Pinit.
Sipas statistikave, qysh nga fundi i viteve 70 të shekullit të kaluar, kur Ten Siao Pin propozoi zbatimin e reformës dhe hapjes si dhe krijimin dhe përsosjen e ekonomisë socialiste të tregut, ritmet e rritjes vjetore të ekonomisë kineze kanë qënë gjithmonë 9%. Ten Siao Pini u nda nga ne në vitin 1997, por reforma e tij ekonomike është rrënjosur thellë në zemrat e të gjithëve. Vitet e fundit, qeveria kineze po përpiqet që komuniteti ndërkombëtar të njohë pozitën e ekonomisë së tregut të Kinës si dhe të krijojë një mjedis të mirë ndërkombëtar për reformën dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut të Kinës. (Hou)
|