Ambasada nxit shkëmbimet mediatike kino-shqiptare
  2016-04-14 15:41:49
Me nismën e ambasadës së Kinës në Tiranë, një delegacion i mediave kineze, që veprojnë në Europë u takua të mërkurën me kolegë shqiptarë. Në takim gazetarë të mediave në gjuhën kineze nga 6 vende europiane, të kryesuar nga përfaqësues të medias "Nouvelle d' Europe" shkëmbyen opinione me përfaqësuesit e 9 mediave kryesore shqiptare si ATSH, Albanian Daily News, RTSH etj.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ambasadorja Jiang Yu u shpreh se marrëdhëniet kino-shqiptare kanë një bazë të shëndoshë në opinionin publik. "Vitet e fundit, këto marrëdhënie kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi, duke gjallëruar shkëmbimet e bashkëpunimin politik, ekonomiko-tregtar, kulturor, njerëzor si dhe të pushtetit vendor. Të dy vendet do të vazhdojnë kontaktet e shpeshta të nivelit të lartë për të nxitur më tej shkëmbimet qeveritare, ndërpartiake dhe legjislative", tha ambasadorja kineze në Tiranë.

Ambasadorja Jiang Yu vuri në dukje se Kina dhe Shqipëria po nxitin reformat strukturore, për të aktivizuar gjallërinë ekonomike e shoqërore. "Populli kinez po përpiqet me vullnet të madh për rritjen e mirëqenies dhe arritjen e objektivit "Dy 100-vjetorë". Gjatë planit të 13-të 5-vjeçar, ekonomia kineze po futet në gjendjen e re normale, si dhe ka 5 objektiva zhvillimi si inovacionin, koordinimin, ekologjinë, hapjen dhe promovimin Ekonomia kineze do të ruajë rritjen e mesme dhe të lartë, do të vazhdojë të përmirësojë zhvillimin, duke ngjallur më shumë shpresa se sa vështirësi. Kina do të shtojë më tej hapjen ndaj botës, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e prodhimit, do të nxitë lidhje të ndërsjellta, bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe shkëmbime njerëzore. Kjo me siguri do të sjellë shans të madh për vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".

Më tej në fjalën e saj ambasadorja Jiang nënvizoi se "Kina është partneri i 2-të më i madh tregtar i Shqipërisë. Me nxitjen e nismave "Një brez, një rrugë" dhe "16+1", kompani të fuqishme kineze po kërkojnë mundësi bashkëpunimi në Shqipëri, duke i kushtuar vëmendje projekteve në infrastrukturën rrugore, aeroportuale dhe në energjetikë. Disa prej tyre kanë shënuar përparim ose pritet të realizojnë me sukses objektivat. Jemi të bindur se nëse të dyja palët lidhin strategjinë e zhvillimit dhe rinovojnë modelin e bashkëpunimit, Kina dhe Shqipëria mund të kalojnë nga dëshira për bashkëpunim në arritje konkrete, me përfitime reciproke.

Ambasadorja Jiang theksoi se sot është koha e informacionit dhe ndikimi i medieve po rritet dita-ditës. Qëllimi i zhvillimit të takimit të kësaj here është ndërtimi i urës së shkëmbimeve midis medieve kineze në Evropë dhe medieve shqiptare. Znj. Jiang shprehu shpresën se të dyja palët do të luajnë rol aktiv për të nxitur miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve. Mediet kineze pjesëmarrëse në takimin e kësaj here kanë mbi 3 milionë lexues, gjë që mund të përbëjë një rreth të gjerë miqsh për Shqipërinë. Kurse mediat kryesore shqiptare që marrin pjesë në takim, janë një platformë e rëndësishme për njohjen e Kinës nga populli shqiptar. 2016-a është një vit i zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve kino-shqiptare. "Shpresoj se të gjithë të pranishmit do të përqendrohen në marrëdhëniet kino-shqiptare, do të nxitin frymën e nismës 'Një Brez dhe Një Rrugë', do të njoftojnë pozitivisht lidhur me ecurinë e mekanizmit të bashkëpunimit 16+1, do të ndihmojnë për shtimin e njohjes së ndërsjellë midis dy popujve dhe do të bëhen pjesëmarrës e nxitës të miqësisë kinezo-shqiptare, do të nxitin arritjen e rezultateve të reja në marrëdhëniet dypalëshe në periudhën e re dhe do t'i shtojnë dinamizëm zhvillimit të marrëdhënieve kino-evropiane.

Drejtori i botimit për Evropën Lindore dhe Qendrore të gazetës "Nouvelle d' Europe" Wang Gan u shpreh se kjo vizitë i dha mundësi të niset nga perspektiva e një reporteri për të ndier nga afër përparimet e reja në marrëdhëniet kino-shqiptare dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në "Një Brez dhe Një rugë", të shohë nga afër miqësinë kino-shqiptare dhe peizazhet e bukura të Shqipërisë. Ai tha se do t'ua transmetojë të gjitha këto bashkëatdhetarëve të vet, si brenda vendit, ashtu dhe atyre të emigruar në Europë, për t'i dhënë një forcë të re zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare.

Kryeredaktori i gazetës "Albania Daily News" Genci Mlloja u shpreh se, vitet e fundit, marrëdhëniet shqiptaro-kineze janë zhvilluar shumë shpejt dhe më shumë kompani kineze kanë ardhur në Shqipëri për investime dhe bashkëpunim. Ai theksoi potencialet e mëdha të bashkëpunimit dypalësh në fushat e infrastrukturës, të turizmit etj. Qarqet e ndryshme në Shqipëri, u shpreh Mlloja, shpresojnë në forcimin e gjithanshëm të bashkëpunimit me Kinën, duke gëzuar së bashku përfitimet nga zhvillimi që sjell nisma kineze "Një Brez dhe Një Rrugë". Mediat shqiptare shpresojnë në bashkëpunimin me mediat kineze, për të thelluar miqësinë mes Shqipërisë dhe Kinës dhe për të luajtur rol të veçantë për nxitjen e bashkëpunimit konkret, duke krijuar një atmosferë më pozitive për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Përfaqësues të mediave që morën pjesë në këtë takim u shprehën se do të shfrytëzojnë përparësitë e mediave për forcimin e shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit, duke krijuar së bashku një atmosferë më të mirë për marrëdhëniet kino-shqiptare.

Gjatë vizitës në Shqipëri, delegacioni i gazetarëve kinezë do të takohet me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe do të intervistojë ministren e Ekonomisë të Shqipërisë Milva Ekonomi. Gazetarët kinezë gjithashtu do të takohen e do të kenë shkëmbime mendime me miq e personalite të ndryshme shqiptare.