"> G20, Kina nxit bashkëpunimin në pesë fusha kryesore<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
G20, Kina nxit bashkëpunimin në pesë fusha kryesore
  2016-04-12 17:33:20

Pak ditë më parë në Nankin të Kinës Lindore u zhvillua mbledhja e 2-të e grupit të punës për tregtinë dhe investimet të G20-s. Në këtë mbledhje Kina kërkoi formimin e një mekanizmi brenda kornizës së G20-s dhe nxitjen e bashkëpunimit mes palëve në pesë fusha kryesore, si stimulimi i rritjes së tregtisë globale etj. Synimi është nxitja e arritjes së konsensusit në takimin e ministrave të Tregtisë të G20-s dhe në samitin e G20-s, që do të zhvillohen përkatësisht në korrik dhe shtator.

Në mbledhjen e 2-të të grupit të punës për tregtinë dhe investimet të G20-s mori pjesë edhe zv.ministri i Tregtisë i Kinës Wang Shouwen. Ai u shpreh në ceremoninë e hapjes se, në mbledhjen e parë të zhvilluar në janar në Pekin, Kina paraqiti propozimet e saj për shtimin e bashkëpunimit në pesë fusha kryesore: formimi i një mekanizmi brenda kornizës së G20-s, nxitja e rritjes së tregtisë globale, mbështetja për sistemin e tregtisë shumëpalëshe, çuarja përpara e bashkëpunimit dhe e bashkërendimit mbi politikat globale të investimeve dhe nxitja e zhvillimit të vazhdueshëm dhe të bashkërenduar të zinxhirit global të vlerës. Këto propozime patën një përkrahje të gjerë nga palët.

Numri dy i dikasterit kinez të tregtisë Wang Shouwen u shpreh se Kina shpreson të bëjë përpjekje të përbashkëta me palët e ndryshme për të arritur konsensus në këto fusha kryesore dhe për të paraqitur rezultatet e arritura në takimin e ministrave të Tregtisë dhe samitin e G20-s që do të zhvillohet në Hangzhou të Kinës Juglindore.

"Mbledhja që do të zhvillohet sot dhe nesër ka rëndësi shumë të madhe, sepse ne kemi përgjegjësinë që të shtrojmë rrugën për takimin e ministrave të Tregtisë dhe samitin e G20-s të Hangzhou-t, që do të zhvillohen në korrik dhe shtator. Këtë herë Kina, si vend organizator, do të mbajë qëndrim të hapur dhe përfshirës. Ne shpresojmë që, nëpërmjet diskutimeve konkrete, në këtë mbledhje të arrihet konsensus sa më i gjerë mbi temat përkatëse, pasi kjo mund të lehtësojë procesin e diskutimeve në korrik," thotë Wang Shouwen, zv.ministri i Tregtisë i Kinës.

Të dhënat tregojnë që, në vitin 2015, vëllimi i tregtisë së mallrave u rrit vetëm 1.5 % dhe vëllimi i tregtisë globale pati rënie me 12 %. Në këto kushte, në samitin e Antalias 2015, liderët e G20-s arritën konsensus për shtimin e mëtejshëm të bashkërendimit dhe të bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe të investimeve, për zhvillimin në mënyrë të rregullt të takimit të ministrave të Tregtisë dhe për formimin e një grupi të posaçëm pune. Sivjet Kina, si vend organizator, do të nxitë palët për formimin e një sistemi brenda G20-s, si edhe do të inkurajojë palët për të diskutuar mbi temat me interes të përbashkët dhe për të shtjelluar qëndrimet dhe parimet e tyre mbi bashkëpunimin e ardhshëm.

Në mbledhjen e Nankinit mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë së Çështjeve Ndërkombëtare në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Zhang Shaogang. Ai u shpreh se tregtia në Kinë ka shënuar për disa vjet radhas një rritje më të vogël se ekonomia dhe roli i tregtisë si motor i zhvillimit ekonomik është dobësuar, gjë që ka tërhequr një vëmendje të madhe. Zhang deklaroi se Kina është e gatshme që, në platformën e G20-s, të diskutojë me palët përkatëse për të gjetur një projekt reagimi ndaj kësaj gjendjeje.

"Për të përballuar rënien e tregtisë globale, ne kemi zhvilluar diskutime me vendet e tjera anëtare të G20-s, që të hartojmë një strategji për nxitjen e rritjes së tregtisë globale. Kjo strategji do t'i japë një dinamizëm të ri tregtisë në gjendjen e tanishme, nëpërmjet forcimit të qeverisjes së tregtisë globale, uljes së kostos së biznesit, shtimit të financimit tregtar, zhvillimit të biznesit elektronik dhe nxitjes së shërbimeve përkatëse. Në forcimin e bashkërendimit global, ne duhet të mbajmë parasysh, së pari, nxitjen e hartimit nga vendet anëtare të G20-s të një udhëzuesi mbi politikat e investimeve globale dhe, së dyti, faktin që vendet anëtare të G20-s janë kryesisht disa ekonomi të mëdha, të cilat kanë përgjegjësi për të mbështetur zhvillimin e vendeve me të ardhura të ulëta," thotë Zhang Shaogang, drejtori i Drejtorisë së Çështjeve Ndërkombëtare në Ministrinë e Tregtisë të Kinës.

Drejtuesi i mbledhjes së 2-të të grupit të punës për tregtinë dhe investimet të G20-s, ambasadori i Kanadasë në OBT Jonathan Fried u shpreh se, për të gjitha ekonomitë e botës, tregtia dhe investimet janë mjete të rëndësishme për krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Sipas tij, Kina, si vend organizator i samitit të sivjetshëm, ka luajtur një rol udhëheqës pozitiv. Jonathan Fried shtoi se detyra e kësaj mbledhjeje është bashkërendimi mes palëve, për të nxitur bashkërisht zhvillimin e tregtisë dhe të investimeve globale.

"Detyra kryesore e grupit të punës për tregtinë dhe investimet të G20-s është që të diskutohet çfarë veprimesh të përbashkëta duhet të ndërmarrin vendet anëtare dhe si t'i bashkërendojnë politikat e tyre të brendshme dhe qëndrimet e tyre në institucionet ndërkombëtare, për të nxitur investimet dhe për të shtuar vëllimin e tregtisë. Një gjë e tillë është në të mirë jo vetëm të vendeve të mëdha tregtare, si Kanadaja dhe vendet e tjera anëtare të G20-s, por edhe të të gjitha vendeve të botës," thotë Jonathan Fried, ambasadori i Kanadasë në OBT.

Ministri i Tregtisë i Kinës Gao Hucheng tha në Forumin e Boaos të zhvilluar në muajin mars se, me ndryshimin e gjendjes së ekonomisë globale, G20 duhet ta zhvendosë në mënyrë graduale vëmendjen e saj nga përballimi i krizës financiare në nxitjen e rritjes ekonomike. Studiuesi i Institutit të Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhou Mi është i mendimit se, në kushtet kur vendet e G20-s zënë 80 % të tregtisë globale dhe 60 % të investimeve ndërkombëtare, ky Grup ka si detyrë, por edhe si nevojë, të marrë masa aktive përballuese, për të dhënë ndihmesë në nxitjen e investimeve dhe të tregtisë globale, veçanërisht për mëkëmbjen e ekonomisë botërore.

"Gjendja sot është që tregtia globale është në rritje, mirëpo kjo rritje është e vogël. Shumë vende, qoftë në zhvillim, qoftë të zhvilluara, kanë pasur shumë probleme. Në periudhën në fillim të krizës financiare, Kina në krahasim me këto vende, nuk u ndikua drejtpërdrejt, mirëpo tani po i ndiejmë gradualisht goditjet e shkaktuara nga tkurrja në tregjet e zhvilluara. Prandaj shpresojmë që, nëpërmjet mbledhjes së G20-s, palët të bashkojnë forcat e të krijojnë një sinergji, duke arritur konsensus. Nëse arrihet një mekanizëm rregullash kufizuese institucionale, mendoj që në të ardhmen kjo do të luajë një rol të madh mbështetës për mëkëmbjen e ekonomisë globale," thotë Zhou Mi, studiues i Institutit të Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar të Ministrisë së Tregtisë të Kinës. (Jiang Lei)