"> Muzeu Bai Gong Fang dhe thesaret e tij<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Muzeu Bai Gong Fang dhe thesaret e tij
  2016-03-31 16:49:25

Kina mund të quhet pa frikë si një vend thesaresh të trashëgimisë së lashtë kulturore. E kisha vizituar shpesh Tempullin e Qiellit në Pekin, por nuk e dija se jo shumë larg tij ndodhej një muze i traditës së artizanatit. Një godinë nga jashtë e thjeshtë, por në hapësirat e brendshme të saj mbetesh i mahnitur nga zejet e punimit të bakrit, gurit të çmuar jade,drurit, porcelanit, e plot të tjera, që gëzojnë statusin e trashëgimisë kulturore.

Emri i Muzeut "Bai Gong Fang" do të thotë "100 artizanë në punishte" dhe në kthinat e tij gjen punime arti të trashëguara që nga dinastitë e lashta e deri në ato folklorike. Mbi 30 vepra të trashëgimisë kulturore të Kinës si dhe zeje të tjera me karakter popullor bashkëjetojnë në këtë strukturë muzeale.

Kjo qendër muzeale luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen por dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore kineze, por ajo shërben dhe si qendër edukimi kryesisht për artizanët e rinj. Qendra muzeale Bai Gong Fang shërben dhe për promovimin e trashëgimisë kulturore të Kinës pasi ajo vizitohet shpesh nga personalitete të huaja të artit dhe kulturës, gazetarë por dhe turistë të thjeshtë.

Qendra është një platformë interaktive për shkëmbime kulturore në fushën e traditës së artizanatit, pasi këtu ruhen koleksione me vlerë të artit oriental.

Muzeu nuk shërben vetëm për ekspozimin e veprave artistike të krijuara nga artizanë të njohur, por është dhe një qendër e shitjes së tyre. Veprimtaria e tij zhvillohet në 4 drejtime kryesore, së pari ekspozimi i objekteve të krijuara nga artizanët, sipas traditës së lashtë kineze, shkëmbimi i përvojës së artizanëve të qendrës muzeale, si dhe programet me karakter tradicional dhe edukues. Shpesh artizanët e këtushëm bëhen pjesë e veprimtarive të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të zhvilluara në shkolla, hotele, nga komunitete të ndryshme artistësh por dhe organizata kulturore vendase dhe të huaja.

Këto ditë me një grup gazetarësh nga Radio e Jashtme e Kinës vizituam këtë qendër të artizanatit. Një surprizë e këndshme për ne ishte se pas një dokumentari njohës për veprimtarinë ndër vite të muzeut në drejtimin e artizanëve pikturuam maska të Operas së Pekinit. Kjo ishte një eksperiencë vërtet e këndshme për të gjithë ne sepse për herë të parë po bënim me duart tona një maskë të tillë dhe ajo tashmë ruhet në suveniret e shumta nga Kina.

Në çdo kthinë të Muzeut ke rastin të takosh mjeshtra të mëdhenj të përpunimit të jades, fildishit, drurit, stolive, filigranës, por dhe të endjes së sixhadeve, qilimave,të pikturës tradicionale, gdhendjes së bakrit dhe zbukurimit të tij, të porcelanit, por dhe zeje të tjera, pjesë e artit tradicional të Kinës.

Guida që na shoqëron në eksponatet e ndryshme të Muzeut na flet për mjeshtrat artizanë, të cilët në praninë tonë vazhdojnë qetësisht punën. Ndërsa vizitojmë eksponatin e vazove të pikturuara prej porcelani, guida na thotë se njëra nga këto vazo është dhuruar nga presidenti i Kinës Xi Jinping gjatë vizitës së tij zyrtare në Britaninë e Madhe,apo një tjetër vepër artizanale prej këtij muzeu e cila i është dhuruar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon.

Disa nga artizanët e famshëm kinezë kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre në këtë qendër muzeale, madje këtë mjeshtëri ata ua kanë trashëguar dhe fëmijëve të tyre, tashmë artizanë të këtushëm.

Tepër e hareshme bëhet qendra kur e vizitojnë fëmijë apo nxënës shkollash për të cilët ka gjithmonë programe njohëse dhe argëtuese. Ata pikturojnë maska të Operas të Pekinit, në drejtimin e mjeshtërve, por dhe presin letra apo mësojnë vlerat e kësaj tradite të pasur të trashëguar ndër breza dhe të ruajtur me dashuri.

U largova nga qendra me shumë informacion për artizanatin dhe mjeshtrit e sotëm të tij. Qendra të tilla të artizanatit që prodhojnë, promovojnë vepra të mirëfillta arti ka anembanë Kinës ndaj dhe bota gjithnjë e më shumë po e njeh dhe po e vlerëson trashëgiminë e çmuar kulturore të këtij vendi të madh.

(Eda Merepeza)