"> Shërbim taksi me makinë private<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Shërbim taksi me makinë private
  2016-03-28 16:51:03

Tani në Kinë, gjithnjë e më shumë njerëz përdorin si taksi makina të regjistruara në aplikacionet në smartfon si Uber, Didi etj. Çmimi i udhëtimit me këto automjete është më i shtrenjtë se bileta e autobusit, por kursen kohë dhe shpenzon më pak në krahasim me taksitë e kompanive të liçensuara për këtë shërbim. Përhapja e gjerë e aplikacioneve ka ngjallur diskutime në shoqërinë kineze, pasi këtu ndërthuren interesa të shumë palëve, por janë ngritur dhe shqetësime për garantimin e sigurisë së pasagjerëve që udhëtojnë me një automjet, shoferi i të cilës mund të mos ketë leje për këtë lloj shërbimi transporti.

Lajmi i ri është se qeveria kineze po shpejton përpilimin e politikave për të lejuar makinat private të kryejnë shërbim taksi për qytetarët. Pritet që taksistët e paligjshëm privatë që punojnë me makinat e veta nëpërmjet shfrytëzimit të internetit, të pajisen së shpejti me liçencë për kryerjen e këtij shërbimi. Ministri i Transportit Yang Chuantang foli për këto politika të reja në një konferencë shtypi për reformat dhe zhvillimin e shërbimit taksi.

"Nëse pronarët e makinave duan të ofrojnë shërbim taksi për pasagjerët, opinioni publik interesohet për sigurinë e pasagjerëve. Për këtë nevojitet një ligj dhe rregulla të reja. Për momentin është e paligjshme që pronarët e makinave private të punojnë si taksistë. Por, sipas draftit që po përgatisim,këta shoferë pas kualifikimit profesional të drejtimit të mjetit mund ta ushtrojnë këtë biznes në të ardhmen. Ministria e Transportit po zhvillon bisedime me kompani të shërbimit taksi, shoferë dhe përfaqësues të sektorëve përkatës për të vendosur standardet e e reja".

Nga të gjitha palët e interesuara, shoferët e taksive me liçencë ndikohen më shumë nga kjo risi. Megjithëse ata nuk janë pronarë të automjetit që drejtojnë, çdo muaj duhet t'u dorëzojnë punëdhënësve, kompani të liçencuara një pjesë të fitimit. Nga ana e tyre kompanitë kanë përgjegjësi për kontrollin e nivelit profesional të shoferëve, por dhe blerjen e automjeteve.

Krahasuar me modelin tradicional të shërbimit taksi, taksistët privatë përdorin internetin për të gjetur më shumë klientë dhe nuk ndajnë fitimin e tyre, pasi janë pronarë të automjetit. Kështu që shpenzimet e tyre janë më të ulta, krahasuar me ato të taksistëve tradicionalë.

50 vjeçari, Wang është taksist i cili prej vitesh punon në Pekin. Ai tregon se në dy muajt e parë të këtij viti shpenzoi shumë për të paguar kompaninë dhe për mirëmbajtjen e makinës. Madje ai mendon se edhe në muajin mars do të dalë me humbje ekonomike.

"Që nga viti i kaluar, kur filluan të përhapeshin me shpejtësi aplikacionet e shërbimit taksi online, për ne po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Nëse në të kaluarën fitoja rreth 400 yuan (63$) në ditë, tani mezi arrij një fitim prej 300 yuan ose 47 dollarë", tha Wangu.

Drejtuesit e automjeteve u paguajnë kompanive tarifa të mëdha për përdorimin e tyre, mirëmbajtjen, sigurimet etj., pavarësisht fitimit mujor. Wangu tha se këto tarifa janë një barrë e rëndë për ta.

"5500 yuan në muaj do të thotë 200yuan në ditë. Mendoj se është një barrë e rëndë. Kompanitë e taksive duhet të ulin këto tarifa dhe qeveria të marrë masa në këtë drejtim", tha Wangu.

Kompanitë e taksive duhet t'i paguajnë taksë bashkisë për ripëritjen e liçensës dhe këto kosto përfshihen në pagën e shoferëve. Ndërsa konkurrentët e taksistëve tradicionalë, që përdorin makina private për shërbim taksi, nuk kanë shpenzime të tilla. Një tjetër favor i tyre është se duke përdorur platformat online Uber, Didi etj., ata nuk janë të detyruar të lëvizin nëpër trafik në gjetje të klientëve të rastësishëm.

Liu Xiaoming, drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Transportit, pranë Ministrisë së Transportit tha se autoritetet janë në dijeni për këtë diferencë.

"Është një pabarazi e dukshme që vetëm taksistët tradicionalë të paguajnë këto tarifa. Kjo nuk është as e drejtë për një konkurrencë të ndershme në treg. Ndaj jemi të bindur se tarifat e taksistëve të shërbimit tradicional do të hiqen ", tha z. Liu.

Ai shtoi njëkohësisht se për të realizuar këtë objektiv, autoritetet po planifkojnë të krijojnë një mekanizëm nëpërmjet të cilit shoferët mund të negociojnë me kompanitë për tarifat.

"Kompanitë e shërbimit taksi, vetë taksistët, sindikata dhe qeveritë e niveleve të ndryshme janë palët e interesuara. Ndër ta, sindakata, kompanitë dhe qeveritë do të luajnë rol kryesor", shtoi z. Liu.