Kina do të forcojë mbështetjen për politikën e "dy fëmijëve"
  2016-03-09 09:13:13

Politikat e planifikimit familjar nuk do të ndryshojnë në një të ardhme të afërt, u shpreh të martën kryetarja e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë dhe të Planifikimit Familjar të Kinës Li Bin.

Dhjetorin e vjetshëm ligji i planifikimit familjar i Kinës u amendua, duke u lejuar çifteve të kenë dy fëmijë.

Duke folur në një konferencë shtypi në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, Li Bin vërejti se politika e re do të nxitë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

"Sipas një sondazhi që kemi bërë, 90 milionë çifte lejohen tani të kenë një fëmijë të dytë. Popullsia e përgjithshme e vendit do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme, veçanërisht numri i foshnjave të sapolindura. Deri në vitin 2050, numri i atyre që janë në moshë pune pritet të rritet me 30 milionë, ndërsa përqindja e të moshuarve do të ulet. Kështu struktura demografike e Kinës do të arrijë një ekuilibër," tha Li Bin.

Znj. Li theksoi gjithashtu se autoritetet dhe punëdhënësit duhet të sigurojnë zbatimin e politikës së "dy fëmijëve".

"Shqetësimi kryesor i çifteve është lidhur me të drejtat e të punësuarave femra, pastaj kujdesi, edukimi parashkollor dhe shkollimi i fëmijëve të tyre. Kostoja e lartë e rritjes së fëmijëve gjithashtu i bën shumë çifte të ngurrojnë të kenë një fëmijë të dytë," u shpreh Li Bin-i.

Për t'i zgjidhur këto probleme, kryetarja e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë dhe të Planifikimit Familjar të Kinës Li Bin tha se autoritetet e të gjitha niveleve duhet të mbrojnë të drejtat e femrave të punësuara për të marrë leje të mjaftueshme lindjeje dhe për t'u kthyer në punë pas lejes.

Ministria e Arsimit po ashtu ka premtuar ngritjen e më shumë kopshteve publike për fëmijët dhe trajnimin e një personeli më të madh të kujdesit për fëmijët.

Li Bin njoftoi po ashtu se qeveria do të ndërtojë më shumë spitale për fëmijët dhe se nga fakultetet e mjekësisë do të dalin më shumë pediatër.

Numri i përgjithshëm i popullsisë kineze parashikohet të arrijë 1.45 miliardë në 15 vjetët e ardhshëm. Deri në 2050, shifra pritet të bjerë në 1.38 miliardë, thuajse po aq sa shifra e tanishme.