">Festivali ndërkombëtar i Filmit në Pekin<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Festivali ndërkombëtar i Filmit në Pekin
  2015-04-02 14:28:02

Festivali ndërkombëtar i Filmit në Pekin

Festivali ndërkombëtar i Filmit në Pekin në edicionin e tij të 5-të do të zhvillohet në Pekin nga 16 deri më 23 prill. Juria e tij do të kryesohet nga regjizori i njohur francez Luc Besson, kanë njoftuar këto ditë organizatorët.

Juria e Festivalit

Në jurinë e festivalit do të ketë dhe personalitete të tjera nga fusha e filmit si skenaristë, regjizorë aktorë dhe aktore, përfshirë dhe aktorin e mirënjohur rus, njëherësh dhe producent Fedor Bondarchuk, producentin dhe regjizorin hongkongas Peter Chan; skenaristin amerikan Robert Mark Kamen; regjizorin dhe skenaristin jugkorean Kim Ki-duk; producentin dhe regjizorin brazilian Fernando Meirelles; si dhe aktoren kineze Zhou Xun.

Çmimet e Festivalit

Juria do të votojë për 10 çmime, përfshirë dhe atë të "Filmit më të mire" dhe "Regjizorit më të mire". Do të jepen 10 çmime Tiantan.

930 filma nga 90 vende dhe rajone të botës, ndër të cilët 122 kinezë janë në garën e çmimeve Tiantan. Shumë prej filmave të përzgjedhur për të marrë pjesë në festival janë të kineastëve të huaj dhe do të shfaqin premierën e tyre në këtë edicionin të festivalit të Pekinit.

Në kuadër të ditëve të festivalit do të zhvillohen veprimtari të shumta, ndër të cilat ceremonia e hapjes, veprimtaria me temë "Panorama e filmit në Pekin", "Tregu I filmit", "Forumi I filmit" si dhe ceremonia e mbylljes dhe e ndarjes së çmimeve të festivalit.

Ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së festivalit do të zhvillohen në Qendrën ndërkombëtare të samiteve dhe ekspozitave Huairou, pranë liqenit Yanqi, në periferi të Pekinit.

Kinematë dhe filmat e festivalit

Mbi 360 filma vendës dhe të huaj, përfshirë dhe fituesin e çmimit Oscar "Birdman," trilogjinë "The Godfather" dhe një edicion special IMAX I filmit "Avatar" do të shfaqen gjatë kësaj periudhe në 30 kinema në Pekin.

Nga 1,531 filma nga 103 vende dhe rajone të botës që u regjistruan për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Pekin vetëm 200 filma të huaj të pa shfaqur më pare në Kinë do të ofrohen për publikun e gjerë në sallat e kinemave pekinase gjatë zhvillimit të festivalit.

Veprimtaritë e shumta në Festival

Në kuadër të këtij festivali filmi do të zhvillohen dhe mbi 100 veprimtari, si "New Focus," "Forward Future," dokumentarët për Operan e Pekinit, një concert me muzikë nga filma të ndryshëm, si dhe konferenca për shtyp të pjesëmarrësve në garën e festivalit të sivjetshëm.Nuk do të mungojnë gjatë ditëve të festivalit dhe konferencat për shtyp të ekipeve filmike pjesëmarrëse në të, si ato kineze dhe të huaja, që do të promëvojnë prodhimet kinematografike në garën e festivalit. Media vendëse por dhe ajo e huaj do të kenë një vend të veçantë në pasqyrimin e edicionit të 5-të të Festivalit të Filmit në Pekin. Edhe CRI shqip përmes informacioneve në "Palimsest" dhe hapësirat e tjera kulturore do të sjellë të rejat e këtij festivali tashmë të njohur ndërkombëtarisht, për tu ndalur në natën finale të tij kur do të zhvillohet dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Viti 2015 shënon 120 vjetorin e industrisë botërore të filmit dhe 110 vjetorin e industrisë kineze të filmit. Me këtë rast dy koncerte, "The Centennial Classic Film Concert" dhe "The World-Famous Works Film Concert," do të shfaqen krahas festivalit të filmit.

Ky Festival ndërkombëtar ndonëse prej 5 vjetësh përvojë nuk është i vetmi në Kinë, pasi festivale filmash zhvillohen çdo vit në Shangai, Hong Kong apo Tajvan. Kinematografia kineze në dhjetvjeçarët e fundit ka shënuar arritje të lavdërueshme të cilat e kanë bërë të njohur në botë. Aktorët kinezë prej vitesh janë pjesë e çmimeve të shumta në festivalet ndërkombëtare të filmit, kudo në botë, pa munguar këtu dhe regjizorët apo skenaristët. Bashkëprodhime kinematografike ku njëri nga autorët është Kina tashmë janë vlerësuar nga shikuesit në mbarë botën, ndërsa tregu kinez i filmit tërheq gjithnjë e më shumë bashkëpunime të huaja. Përsa i përket edicionit të sivjetshëm të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Pekin,organizatorët janë shprehur në media se ai ka për synim zhvillimin e industrisë botërore të filmit, dhe veçanërisht atë aziatike, duke konkurruar denjësisht festivalet e tjerë ndërkombëtarë të filmit. (Eda Merepeza)