">Kritika për filmin "Wolf Totem"<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Kritika për filmin "Wolf Totem"
  2015-03-24 11:01:12

Kritikët e kanë cilësuar filmin e ri artistic "Wolf Totem" si një shtrembërim të kulturës mongole.

Shkrimtari kinez me origjinë mongole Guo Xuebo, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kinës në mikroblogun e tij e ka kritikuar filmin "Wolf Totem", të regjizorit francez Jean Jacques Annaud.

"Ujku nuk ka qenë asnjëherë një totem për popullin mongol," është shprehur Guo Xuebo, më 18 shkurt, një ditë para shfaqjes së filmit, bazuar në librin me të njejtin titull, në kinematë e mbarë Kinës. Ky koment i studjuesit Guo është klikuar mbi 9 mijë herë.

Subjekti i filmit bazohet në një roman gjysmëbiografik të botuar në 2004 nga Jiang Rong, emri i artit i shkrimtarit Lyu Jiamin. Ai tregon historinë e të riut Han, një studenti kinez që punonte dhe jetonte në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendëshme, në vitet 1966-76. Me kalimin e viteve studenti mësoi rreth kulturës nomade të vendësve dhe lidhjen e tyre me ujqit. Përshkrimi i bashkëjetesës së popullsisë nomade me ujqit e bëri romanin më të shiturin në Kinë, kur ai u botua. Sipas Shtëpisë Botuese të Letërsisë dhe Arteve Changjiang u shitën rreth 5 milion kopje të romanit dhe ai u përkthye në 30 gjuhë, ndërsa versioni në anglisht i tij është botuar nga Shtëpia e njohur botuese "Penguin Books" në vitin 2008, ndërkohë që për të drejtën e autorit ky ent botues pagoi në paradhënie 100 mijë dollarë.

Në roman ujqit vlerësohen nga banorët mongolë për shpirtin e tyre të grupit, të garës dhe për mbrojtjen e mjedisit. Sipas fjalëve të një kryetari fisi mongol, shkrimtari thekson se madje edhe ushtria e Genghis Khan-it kishte mësuar strategjitë e luftës duke ndjekur ujqit.

Por studjuesi Guo kundërshton subjektin e romanit dhe të filmit se kanë shtrembëruar rolin e ujkut në kulturën mongole dhe madje e kanë tepruar evidentimin e rolit të tij në mbrojtje të sistemit ekologjik.

"Ujqit janë të djallëzuar dhe shihen si armiq nga gjuetarët mongolë" thotë Guo.

Lidhur me studimet e tij për kulturën mongole Guo është shprehur për mediat se ka studjuar në vitin 1960 në Institutin e Gjuhës Mongole, duke u fokusuar në historinë dhe kulturën mongole. Madje ai ka ndjekur studimet e mëvonëshme në Akademinë e Shkencave Sociale të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendëshme në vitet 80-të të shekullit të kaluar. Duke folur për "China Daily" Guo rithekson se asnjëherë nuk ka hasur në faktin se ujku përbën një totem në kulturën mongole.

"Ujqit janë të egër, egoistë, të ftohtë dhe të pamëshirshëm. Të promovosh shpirtin e ujqve është antinjerëzore" shprehet Guo.

Një tjetër kritikë ndaj filmit "Wolf Totem" është shprehur nga regjizori mongol i filmave dokumentarë Rasidurj, sipas të cilit asnjëherë ujku nuk ka qenë një totem për popullsinë mongole. "Romani "Wolf Totem" mund të kategorizohet si një vepër letrare ku autori shpreh idetë e tij personale," komenton Rasidurj. Pavarësisht ekzistencës ose jo të ujkut si totem i kulturës mongole ka disa motive të lidhura me figurën e kësaj kafshe në zakonet folklorike të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendëshme. Në fshatin tim para viteve 80-të kishte shumë ujq, thotë një banor I këtij rajoni. Por sipas tij fjala "ujk" nuk përdorej gjatë fjalorit të përditëshëm të banorëve të atij rajoni. Madje ai kujton se ata e kishin zëvendësuar këtë fjalë me " qeni fluturues" apo " qeni i verdhë" ndërsa donin ti referoheshin ujkut.

Profesori i gjuhës mongole pranë departamentit të letërsisë në Universitetin Minzu të Kinës, Namujil, është shprehur lidhur me këtë temë se duhet bërë dallimi midis ujkut totem dhe konceptit të përgjithshëm për të. Sipas tij adhurimi për një kafshë, në rastin konkret ujk ndodh zakonisht në shoqëritë klanore primitive. Ndaj nuk mund të jetë lidhje kjo me popullsinë e sotme mongole. Ai shton se meqë përhapja gjeografike e popullsisë mongole është e madhe dhe kanë ekzistuar klane dhe fise, thuhet se disa paraardhës të mongolëve mund të kenë patur një adhurim për ujkun. Për këtë arsye profesori universitar beson se ende ruhen disa tradita zakonore në klanet mongole lidhur me ujkun.

Pavarësisht debateve që ka ngjallur, filmi "Wolf Totem" ka siguruar të ardhura prej 500 milion yuan (79 milion dollarë) brenda një muaji, madje është rritur dhe shitja e romanit me të njejtin titull në librari. (Eda Merepeza)