">Zbulimi i ushqimit kinez nga perëndimorët 4<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Zbulimi i ushqimit kinez nga perëndimorët 4
  2015-02-26 11:21:01

Delegacioni i Lord Macartney-t

Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë shqetësimi kryesor i Britanisë lidhur me Kinën ishte se si ta zgjeronte tregtinë përtej kufizimeve të vendosura në portin jugor të Guangzhou-t, një shqetësim që çoi në dërgimin në Kinë në vitin 1793 të një delegacioni të kryesuar nga Lord Macartney. Delegacioni u prit nga perandori Qianlong në rezidencën e tij verore në Rehe. Megjithatë, kërkesat e Macartney-t, të cilat përfshinin hapjen e porteve të tjera të tregtisë së jashtme dhe akreditimin e një ambasadori në oborrin perandorak kinez, me edukatë, por prerazi, u hodhën poshtë. Disa anëtarë të delegacionit botuan kujtimet e tyre të kësaj vizite dhe vetë Macartney mbajti një ditar. Nga këto burime mund të nxirren një varg perspektivash lidhur me qëndrimin perëndimor për ushqimin kinez.

Ditari i Macartney-t siguron një shembull interesant të asaj që mund të quhet "diplomacia e ushqimit". Gjatë vizitës, pavarësisht lutjeve të Macartney-t se delegacioni duhet të lejohej të përpiqej për ta gjetur vetë ushqimin, i gjithë ushqimi furnizohej nga oborri perandorak kinez. Ndërsa delegacioni ndodhej ende në anije në bregdetin verior të Kinës, kinezët dërguan aty sasi të mëdha ushqimi të freskët, duke filluar me "20 mëzatë, 120 dele, 120 derra", duke e bërë Macartney-n të shkruajë se një mikpritje, vëmendja dhe respekti që kishte gjetur ishin "të tilla që i huaji mund të hasë vetëm në pjesët lindore të botës". Për t'ua kthyer nderin, Macartney ftoi për darkë të dy zyrtarët e lartë kinezë të atashuar pranë delegacionit. Macartney shkroi në ditar se, edhe pse ata ishin "disi në siklet nga thikat dhe pirunat tanë, shpejt i kaluan vështirësitë dhe i përdorën ato me një shkathtësi dhe mjeshtëri të dukshme mbi disa nga gjërat e mira që na kishin sjellë". Zyrtarët provuan edhe një shumëllojshmëri të gjerë verërash dhe pijesh të tjera alkoolike, duke shprehur pëlqimin e tyre për likerin. Teksa delegacioni vazhdoi vizitën në Tianjin, guvernatori i përgjithshëm i provincës u dërgoi atyre dy herë ushqime të gatuara me kujdes.

Më 14 shtator 1793 Macartney dhe anëtarët e delegacionit së tij u pritën nga perandori Qianlong. Ata u argëtuan në një "banket i kushtueshëm". Vetë perandori u dërgoi atyre disa gjellë nga tryeza e tij dhe i thirri Macartney-n dhe sekretarin e ambasadës për t'u dhënë me dorën e vet një kupë vere të ngrohtë, një pije të cilën Macartney e përshkruan si të bërë nga orizi, barishtet dhe mjalti dhe e cila ishte gjykimit të tij "shumë e këndshme dhe e përshtatshme, duke qenë se mëngjeset ishin të ftohtë". Shtrimi dhe ngritja e tryezës u kryen në një heshtje dhe solemnitet të tillë sa Macartney i krahasoi atë me "kremtimin e një misteri fetar". Për habinë e Macartney-t, përkundër refuzimit të kërkesave të tij, delegacioni vazhdoi të mirëpritjej bujarisht teksa vijonte udhëtimin për në jug të vendit. Kinezët kishin vënë re se anglezët ishin mësuar ta përziernin qumështin me çajin. Për të siguruar që delegacioni të furnizohej me qumësht të freskët gjatë gjithë kohës zyrtarët u dhanë "një çift lopësh në një barkë të dhënë enkas për to".

Kujtimet e para të botuara nga delegacioni i kryesuar nga Macartney ishin ato të shërbëtorit të tij, Aeneas Andersonit. Më 6 gusht 1793, kur ambasada filloi udhëtimin e vet për në Tianjin, Macartney shënoi se rezervat që u ishin dhënë për atë ditë ishin në "bollëk të madh". Duke folur lidhur me të njëjtën ditë, Anderson u shpreh se mishi i viçit me të cilin ishin furnizuar atë ditë ishte i cilësisë shumë të mirë.

Anderson-i nuk i kurseu lavdërimet edhe për ëmbëlsirat kineze: "Kekët e tyre të çdo lloji bëhen në një mënyrë të shkëlqyeshme dhe janë edhe më të pëlqyeshme për qiellzën se çfarëdo ëmbëlsire tjetër që më kujtohet të kem shijuar në Angli apo në ndonjë vend tjetër," shkroi Anderson-i.

Edhe anëtarë të tjerë të delegacionit dhanë mendimet e tyre për ushqimin kinez. Kështu, dr. James Dinwiddie, shkencëtari eksperimental i bashkëngjitur delegacionit, ishte shumë aventuresk në qasjen e tij ndaj ushqimit kinez. Duke parë një zyrtar kinez tek hante drekën, Dinwiddie shfrytëzoi rastin të shijonte çdo gjellë dhe iu dukën ato "jashtëzakonisht të shijshme dhe të gatuara siç duhej me erëza". Kur ndodhej në një prej anijeve që po e çonin delegacionin në Pekin, atij iu desh të hante siç hanin kinezët. "Ne hëngrëm në mesditë, një këmbë qengji të gatuar me oriz, të ulur këmbëkryq në tokë, pa ndonjë karrige, tryezë, mbulesë, thikë, pirun ose lugë, dhe nuk i kishim praktikuar mjaftueshëm shkopinjtë që të ishim në gjendje që t'i përdornim në ndonjë mënyrë," shkroi James Dinwiddie.

John Barrow, një njeri nga një familje e thjeshtë, i cili ishte rritur nën patronazhin e Sër George Staunton dhe ishte bërë pjesë e delegacionit, gjithashtu bëri një përshkrim pozitiv të ushqimit kinez. Ushqimi që u ishte dhënë kur delegacionit ndodhej rrugës për në Pekin, ishte, sipas Barrow-t, "mëngjesi më i kushtueshëm me mish të pjekur derri dhe dreri, oriz dhe gjellë të gatshme. . ." Ai ishte edhe më entuziast lidhur me "darkën më të shkëlqyer" të shtruar për të kompensuar banesën e tyre të papërshtatshme. Ajo, sipas Barrow-t, përbëhej nga një shumëllojshmëri e madhe gjellësh të gatuara mjeshtërisht dhe të shërbyera në tasa porcelani. "Supa më e mirë që kam shijuar ndonjëherë në ndonjë pjesë të botës është bërë këtu nga viçi, e ndrequr me sojë dhe përbërës të tjerë. Raviolit e tyre janë të shkëlqyera dhe të gjitha brumrat e tyre janë jashtëzakonisht të lehta dhe të bardha si bora. Mësuam që ato bëheshin me miell gruri," shkruan John Barrow.