">Forcim shtetit ligjor për të kundërshtuar ekstremizmin fetar. Intervistë me ekspertin Ilir Kulla<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Forcim shtetit ligjor për të kundërshtuar ekstremizmin fetar. Intervistë me ekspertin Ilir Kulla
  2014-10-08 17:00:46

Lajmet për përfshirjen e shqiptarëve në radhët e Shtetit Islamik dhe përhapja e islamit radikal në Ballkan po ngjallin shqetësim në një rajon që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian dhe ndan të njëjtat vlera të qytetërimit perëndimor, pavarësisht se disa kombe përfshijnë edhe besimtarë myslimanë.

Ekspertët sugjerojnë forcimin e shtetit ligjor dhe rreshtimin përkrah komunitetit ndërkombëtar kundër terrorizmit.

Ilir Kulla, një ndër ekspertët më të mirë për sigurinë e marrëdhëniet ndërinstitucionale si dhe ish-këshilltar i sigurisë i presidentit Bamir Topi, vlerëson përafrimin dhe ndryshimin e legjislacionit për të ndaluar dhe dënuar shtetasit shqiptarë që luftojnë në vende të tjera: "Ka qenë një hap i duhur si dhe duhet bashkërenduar me elementë të tjerë të policimit dhe trajnimit të shërbimeve sekrete," thotë ai në një intervistë për CRI Shqip.

Kosovari Lavdërim Muhaxheri, është një nga shqiptarët më të njohur mediatikisht që lufton për xhihad (lufta e shenjtë) në radhët e Shtetit Islamik.

Kur e pyes zotin Kulla se si kanë mundur të rekrutohen shqiptarët në Shqipëri apo Kosovë, ai më sqaron se nuk ka pasur një proces të rekrutimit direkt, por rrjedhojë e transformimit të ngjarjeve në Siri.

"Procesi i vajtjes së shqiptarëve në Siri ka ndodhur në një kohë kur organizata e ashtuquajtur e Shtetit Islamik nuk ekzistonte. Është një periudhë para dy tre vjeçare kur e gjithë bota ishte e përfshirë në të ashtuquajturën 'Pranverë Arabe' dhe në të cilën ka pasur inkurajim jo vetëm të politikanëve nga Lindja e Mesme apo politikanëve botërorë për rënien e regjimeve diktatoriale në Lindjen e Mesme, por edhe të politikanëve të rajonit shqiptar," thotë Kulla.

"Grupimet e para të njerëzve kanë shkuar ose për qëllime humanitare ose janë përfshirë në një aktivitet në thonjëza për çlirimin nga diktatura të popullit sirian,"shton eksperti.

Të huajt rekrutoheshin fillimisht për të luftuar kundër ushtrisë së diktatorit sirian Bashar al-Assad, ndërsa më pas kaluan nga një fraksion tek tjetri dhe sot janë pjesë e të ashtuquajturit front islamik.

Rasti i rekrutimeve të luftëtarëve të huaj lidhet padyshim edhe me financimet e huaja që mbështesin fuqizimin e islamit radikal. Pak kohë më parë një editorial i gazetës së Londrës 'Financial Times', theksonte vërshimin e fondeve saudite në Ballkan, e gjithashtu në Shqipëri në mbështetje të islamit radikal, ndërtimit të xhamive sipas stilit vahabist (Wahhabi) dhe përhapjes së dogmës së kësaj dege të islamit.

Për ekspertin shqiptar financimet e huaja të këtij lloji "janë gjithmonë shumë të izoluara dhe kalojnë në rrugë jo bankare."

Zoti Kulla thotë se duhet forcuar puna e agjencive të zbatimit të ligjit për identifikimin dhe parandalimin e këtyre lloj financimeve.

Në Kosovë, ndërkohë autoritetet kanë ndaluar 35 imamë të cilët dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë. Por në një kohë që veprimi i autoriteteve shihet më shumë si represion dhe dhunë ndaj klerit islam sesa zbatim i ligjit, zoti Kulla thotë se "rrezikohet të rritet numri i ekstremistëve që do të thonë se ne nuk kemi besim tek autoritetet, pasi vetëm Sheriati mund t'i zgjidhë këto probleme."