">Marrëveshje rekord për filmin<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Marrëveshje rekord për filmin
  2014-09-25 16:20:02

Panairi Ndërkombëtar i Filmit dhe programeve televizive që u zhvillua nga 21-23 gusht në Pekin realizoi marrëveshje që shënuan shifrën rekord prej 5 miliard yuanë. Ky panair u zhvillua në kujdesin e Administratës së shtypit dhe botimeve, Radios, Televizionit, nga televizioni shtetëror i Kinës (CCTV), Korporata Ndërkombëtare e Televizionit e Kinës (CITVC), si dhe Qendra për shkëmbime të programeve radiotelevizive e Kinës. Gjatë kësaj veprimtarie u shfaqën filma serialë televizivë, filma dokumentarë, filma të animuar, programe televizive që trajtonin jetën e përditëshme, por edhe tema historike, për rininë, fëmijët etj. Sipas të dhënave të CITVC, marrëveshjet e nënshkruara gjatë panairit arritën në shifrën 5.492 miliardë yuan (US$893.3 milion), 13% më e lartë se vitin e kaluar. Kjo shifër shënon një rekord historik në këtë veprimtari mediatike. 43,048 programe u paraqitën gjatë Panairit , përfshirë 17,677 serialë televizivë, (517,653 episode), 4,949 filma artistikë, 13,942 filma dokumentarë dhe spektakle televizivë si dhe 6,480 filma të animuar me seri (617,639 episode). Në veprimtari morën pjesë mbi 1,650 përfaqësues të qendrave audio vizuale dhe kinematografike, të cilët shkëmbyen ide por dhe nënshkruan apo hapën rrugën e bashkëpunimeve të reja në fushën e multimedias.

Tashmë është rritur numri i serialeve televizivë krahasuar me të shkuarën. Sipas You Xiaogang, kryetar i Shoqatës së Prodhimit të dramave televizive, bazuar në politikën e re të administrates shtetërore e cila do të nisë të zbatohet më 1 janar të vitit 2015, serialet televizive do të transmetohen në dy kanale satelitore televizive, në të njejtën kohë. Për këtë qëllim shumë investues në prodhimin e serialeve televizive kanë frikë të mos realizojnë fitimet e pritura,ndaj mbi 20% e prodhimeve të reja telelevizive janë ndërprerë. Producenti Wu Yi, shprehet se vitin e ardhshëm të gjitha kompanitë televizive duhet të përshtatin veprimtarinë e tyre me rregullat e politikës së re. Producenti Yang Xiaoming po përgatitet të xhirojë një serial të ri televiziv, që trajton temën e historisë së lashtë të Kinës, me titull "The Investiture of the Gods" që nis filmimet në tetor. Buxheti I tij është 120 million yuan (rreth 20 milion dollar) , por ai është ende në pritje. Producenti thotë se përgatitjet janë kryer në afro 2 vjet, por pas politikës së re të serialeve televizive , duhet të përshtasim punën tone.

Festivali i filmit të shkurtër kino-koreanojugor

Festivali i filmit të shkurtër kino-koreanojugor do të zhvillohet në tetor, njoftuan këto ditë organizatorët e kësaj veprimtarie.

Ky është i pari festival i këtij lloji me titull "Shpërnda ëndrrën", i organizuar nga disa institucione si Shoqata e Popullit Kinez për Miqësinë me Botën, Qendra e filmave dokumentarë, si dhe grupi mediatik koreanojugor "CJ Entertainment & Media Group". Festivali do të zhvillohet në Pekin nga 23-26 tetor. Deri tani kanë njoftuar pjesmarrjen në festival mbi 300 prodhime kinematografike.

Regjizori i njohur kinez Wang Xiaoshuai do të jetë kryetar i jurisë së festivalit, i cili në këtë edicion do të ndajë 7 çmime. Këngëtari i njohur jugkorean Yun Eun-hye do të jetë ambassador për publicitetin e festivalit.

Sipas organizatorëve kriteri kryesor i përzgjedhjes është trajtimi i ëndrrave të të rinjve, ndërthurja e traditës me stilin modern të jetës. "Shpresojmë se ky event do të shërbejë si një platform për brezin e ri për një komunikim të vazhdueshëm dhe zhvillim të miqësisë mes dy vendeve tona," tha Feng Zuoku, zëvendëskryetar i Shoqatës së Miqësisë së Popullit Kinez me Botën.

Tolstoi në Kinë

Muzeu Kombëtar i Kinës do të hapë sonte një ekspozitë kushtuar jetës së shkrimtarit dhe filozofit të njohur rus Lev Tolstoi, bëhet e ditur në një njoftim për mediat të këtij muzeu. Me titullin "Tolstoi dhe epoka e tij" përveç Pekinit, një ekspozitë e tillë do të hapet dhe në Muzeumin e Jasnaja Polijana si dhe në atë të Moskës deri në 21 dhjetor. Karriera letrare e shkrimtarit të madh dhe veçanërisht vepra e tij paraqitet në ekspozitë në 6 njësi, të cilat janë titulluar : prelud, familja, letërsia, zbulimet, Kina dhe jehona.

Vepra të Tolstojit në një total prej 255 copësh do të ekspozohen për publikun e kryeqytetit kinez. Ndër to organizatorët kanë paraqitur në eksponate piktura, skulptura, dorëshkrime, libra, foto dhe pajisje të përdorura prej shkrimtarit rus.

Në qendër të ekspozitës do të jetë portreti i Lev Tolstojit i realizuar nga piktori rus Ilia Rebin, një statujë e Tolstojit nga Gei dhe Ginzburg,dorëshkrime të romaneve të tij të famshëm "Lufta dhe Paqja", "Ana Karenina" dhe "Kryengritja ", por dhe pajisje të ndryshme të përdorura nga ky korife i letërsisë botërore gjatë jetës së tij.

Filarmonia Mbretërore e Liverpulit tur koncertesh në Kinë

Një tur koncertesh nis sonte dhe përfundon më 7 tetor në qytete të ndryshme të Kinës Orkestra filarmonike mbretëroe e Liverpulit, e drejtuar nga Vasilij Petrenko. Koncertet, sipas një njoftimi të organizatorëve do të shfaqen në Pekin, Shenzhen, Guangzhou, Suzhou, Nanjing dhe Tianjin. Në këto koncerte do të performojnë dhe tre instrumentistë kinezë, violinisti Ning Feng, pianisti Ji Liu, dhe tenori Yijie Shi, i cili do të interpretojë pjesë nga operat e kompozitorit të njohur Italian Verdi.

Filarmonia mbretërore e Liverpulit në drejtimin e Petrenkos do të luajë pjesë të njohura nga kompozitorët rusë Shostakoviç, Rahmaninov dhe Çajkovski, por dhe nga Wagner, Glazunov dhe Sibelius.

Ky është turi i dytë në Kinë i Filarmonisë së Liverpulit, pas atij të vitit 2010.

Le të njihemi me 3 solistët kinezë të turit të Filarmonisë Mbretërore të Liverpulit.

Violinisti Ning Feng ka lindur në Chengdu dhe ka kryer studimet në Konservatorin e Muzikës në Sichuan. Ai luan me një violin të rrallë Stradivari të krijuar në vitin 1721. Pianisti Ji Liu, ka lindur në Shangai në vitin 1990, por tashmë është një pianist me fame botërore, I njohur dhe për interpretimin e tij në moshën 13 vjeçare në skenën e famshme të "Carnegie Hall" të Nju Jorkut. Tenori Yijie Shi, ka lindur në Shangai ku edhe ka kryer studimet për kanto. (Eda Merepeza)