Të martën u mbajt në Pekin ceremonia e fillimit të Vitit të Zhvillimit të Gjelbër dhe të Mbrojtjes së Mjedisit në kuadër të mekanizmit të bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore. Drejtuesi në Ministrinë e Ekologjisë dhe Mjedisit Sun Jinlong dhe zv.ministri i Jashtëm i Kinës e sekretar i përgjithshëm i Sekretariatit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së Qin Gang ishin të pranishëm në ceremoni dhe mbajtën fjalime. Përfaqësuesit nga ambasadat e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Republika Çeke e Mali i Zi dhe vëzhgues nga ambasadat e Austrisë, Bjellorusisë dhe Zvicrës morën pjesë gjithashtu në këtë aktivitet.

Në botën e tanishme, zhvillimi i gjelbër është prirja kryesore e zhvillimit. Presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje në Samitin e Liderëve Kinë-Europë Qendrore e Lindore të mbajtur në shkurt se duhet të ngulet këmbë në “konsensusin e gjelbër", të nxitet “zhvillimi i gjelbër” dhe të thellohet bashkëpunimi në fushën e ekonomisë së gjelbër e të energjisë së pastër.

Në fjalimin e vet Sun Jinling-u shprehu shpresën se çdo vend do të përkrahë formimin e mekanizmit të bashkëpunimit për mjedisin ekologjik Kinë-Vendet e EQL-së dhe mbajtjen e mbledhjeve në nivel ministror, do të inkurajojë qeveritë, institucionet shkencore dhe ndërmarrjet të zhvillojnë shkëmbime, do të përkrahë krijimin e Aleancës Ndërkombëtare të Zhvillimit të Gjelbër në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” e do të nxitë bashkëpunimin në fushën e mjedisit ekologjik në fazën e re.

Qin Gang-u tha se pala kineze do të zhvillojë një varg aktivitetesh rreth temës së sivjetshme për të vënë në jetë rezultatet e Samitit të Liderëve Kinë-Europë Qendrore e Lindore. Sekretariati i Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore e Lindore do të bashkëpunojë me Ministrinë kineze të Ekologjisë dhe Mjedisit për të mbajtur aktivitetet përkatëse me përputhje me idenë e presidentit Xi Jinping “Ujërat e kthjellëta dhe malet e gjelbra janë male të arta e të argjendta”.

Gjatë intervistës me gazetaren e Grupit Mediatik të Kinës, amsadadori shqiptar në Pekin Selim Belortaja tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që për herë të parë në nëntë vjetët e nismës “17+1”, në vendet e Europës Qendrore e Lindore vihet në qendër të diskutimit ekonomia e gjelbër dhe mbrojtja e mjedisit. "Këto janë tema të cilat na përkasin të gjithëve, kanë një rëndësi globale dhe të gjithë duhet të jemi pjesëmarrës në programet për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e gjelbër. Për këtë arsye, kjo është një kënaqësi e madhe për të gjithë ne si pjesëmarrës," theksoi z. Belortaja.

Po atë ditë u hap Ekspozita e Pikturave të Fëmijëve Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore për vitin 2021 me temën e mbrojtjes së mjedisit. (Fang Xiaoyu/Artan)